Shumica kërkon miratimin e Projektligjit për çmimet tavan, opozita e quan të dëmshëm

Projektligji për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg nuk është kundër biznesit dhe tregut të lirë, tha ministri i Financave, Hekuran Murati.
Ai, duke arsyetuar projektligjin në seancën e sotme, tha se i njëjti është i nevojshëm në mënyrë që shteti të mos mbetet spektator kur produktet e çmimeve bazë dalin jashtë logjikës ekonomike dhe rëndojnë mbi familjet kosovare.
“Shteti të mos mbetet spektator kur produktet e çmimeve bazë dalin jashtë logjikës ekonomike dhe rëndojnë drejtpërdrejt mbi familjet tona. Ky projektligj synon të vendosë masa të përkohshme dhe proporcionale për produktet themelore në rastet e destabilizimit të tregut. Kemi të bëjmë me një instrument të jashtëzakonshëm për situata të jashtëzakonshme. Ky projektligj nuk është kundër biznesit dhe tregut të lirë”, tha ai.
Mirëpo kundër këtij projektligji u shpreh deputeti i PDK-së, Arben Mustafa. Ai, duke folur në emër të partisë, akuzoi qeverinë se po përdor këtë projektligj për t’u fshehur pas mosveprimit të tyre për pengimin e inflacionit në Kosovë.
Ai tha se ky projektligj nuk do të mbrojë qytetarët, as nuk do të arrijë t’i ulë çmimet, por vetëm do të shkaktojë pasiguri në tregun e Kosovës.
“Ju e keni përdorur këtë ligj vetëm për t’u kamufluar dhe fshehur pas mosveprimit tuaj për pengimin e inflacionit. Ky ligj, një ndër veprimet kryesore që parasheh, është edhe kufizimi i marzhës tregtare. Ne e kemi parë se sa efektiv ju keni qenë me parandalu rritjen e çmimeve duke vendosur kufij për marzhën tregtare. E keni bërë caktimin e marzhës tregtare për çmimin e naftës dhe kemi parë se ai ka mbërritur në 2 euro. Kjo tregon se çka pritet nga ju për me kontrollu çmimet e produkteve të tjera me marzhën tregtare. Njëjtë është edhe për caktimin e çmimit maksimal të lejuar... Kjo as nuk ka me mbrojt qytetarin, as nuk ka me mundur me i ulë çmimet, vetëm ka me shkaktua pasiguri të madhe në tregun e Kosovës”, tha ai.
Kritika për projektligjin adresoi edhe deputetja e LDK-së, Janina Ymeri, e cila tha se përmes projektligjit formohet një bord, i cili sipas saj është tërësisht partiak.
“Bordi nuk është i pavarur. Ministria e bën rekrutimin dhe propozimin e anëtarëve dhe Kuvendi me shumicë të thjeshtë bën vetëm emërtimin. Ne nuk jemi vend enverist me i pas çmimet apo ndërhyrjet në tregun e lirë me anë të një partie. Ministria e ka sekretariatin, metodologjinë, zbatimin dhe monitorimin e ligjit”, tha ajo.
Po ashtu, kundër projektligjit u shpreh edhe shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri.
“A ka pasur ndonjë konsultim me ata që prodhojnë dhe furnizojnë? A keni pasur takim të Këshillit Ekonomik Social që është detyrë e qeverisë? Mbi cilën bazë e keni ndërtuar këtë strukturë hierarkike të këtij ligji, duke ditur se nuk e keni pyetur askënd nga ata që preken”, theksoi ai.




















































