Shukri Buja është zyrtarizuar si kandidat i PDK-së për kryetar të Lipjanit.

Buja përmes një postimi në Facebook, ka falënderuar strukturat e partisë për mbështetjen, transmeton Telegrafi.


"Sot, në një takim me Kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, u zyrtarizova si kandidat për kryetar të Komunës së Lipjanit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës. Dua të shpreh mirënjohjen time të thellë për besimin dhe përkrahjen nga Kryetari Memli Krasniqi, strukturat e Degës së PDK-së në Lipjan, anëtarësia e PDK-së, si dhe nga të gjithë qytetarët që më kanë dhënë motivin dhe kurajën për të marrë këtë përgjegjësi", ka pohuar ai.

Tutje, ai thotë "Kandidatura ime është përgjigje e nevojës për ndryshim, për një qeverisje më të afërt me qytetarin, më të ndershme dhe më efikase".

"Lipjani ka nevojë për punë të vërtetë, projekte madhore dhe një lidership që nuk fshihet pas fjalëve. Unë nuk premtoj gjithçka, por atë që premtoj, e mbaj dhe e realizoj. Koha për të vepruar është tani! Ftoj secilin prej jush të jetë pjesë e këtij ndryshimi", ka shtuar ai.

Zgjedhjet lokale do të mbahen më 12 tetor./Telegrafi/