LAJMI I FUNDIT:

Shqiptarët nëpër dekada: Çfarë kaluan ata në vitet 1917, 1927, 1937… 2017! (Foto)

Shqiptarët nëpër dekada: Çfarë kaluan ata në vitet 1917, 1927, 1937… 2017! (Foto)

Zhvillime të shumta e kanë karakterizuar botën në 100 vitet e fundit. Por, jo shumë gjëra të mira u ndodhën shqiptarëve në vitet që shtatëshen e kishin në fund. Se në çfarë rrethanash kanë jetuar dhe çfarë kanë përjetuar ata në vitet 1917, 1927, 1937, 1947, 1957, 1967, 1977, 1987, 1997, 2007 dhe 2017, këto mund t’i mësoni apo kujtoni edhe njëherë përmes shkrimit të mëposhtëm.

Shqiptarët nëpër dekada: Çfarë kaluan ata në vitet 1914, 1924, 1934… 2014? (Foto/Video)
Lexo po ashtu Shqiptarët nëpër dekada: Çfarë kaluan ata në vitet 1914, 1924, 1934… 2014? (Foto/Video)
Shqiptarët nëpër dekada: Çfarë kaluan ata në vitet 1915, 1925, 1935… 2015! (Foto/Video)
Lexo po ashtu Shqiptarët nëpër dekada: Çfarë kaluan ata në vitet 1915, 1925, 1935… 2015! (Foto/Video)
Shqiptarët nëpër dekada: Çfarë kaluan ata në vitet 1916, 1926, 1936… 2016! (Foto/Video)
Lexo po ashtu Shqiptarët nëpër dekada: Çfarë kaluan ata në vitet 1916, 1926, 1936… 2016! (Foto/Video)

1917: FILLIMI I FUNDIT I LUFTËS SË MADHE

Bota vazhdon të jetë në luftë. Por, këtë herë rrjedhat e luftës ndryshojnë në dobi të Antantës së Madhe, sepse shteteve rreth koalicionit anglo-francez i bashkohen edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndryshim i politikave – kryesisht neutrale – të jashtme amerikane, erdhi pas zbulimit të të ashtuquajturit Telegrami Zimmermann. Fjala është për komunikimin sekret mes Gjermanisë dhe Meksikës. Ky zbulim ishte triumf i madh i inteligjencës britanike që dëshmon se sa e rëndësishme është informata.


Telegrami Zimmerman (i koduar)

Se informata është e rëndësishme, e sidomos mënyra se si duhet të plasohet ajo, dëshmon fakti se po këtë vit, më 4 qershor, jepet për herë të parë Çmimi i Parë Pulitzer i Gazetarisë. Ky çmim nderon emrin e gazetarit dhe të botuesit që ka bërë revolucion në gazetari dhe në përgjithësi në botën e informimit, Joseph Pulitzer.

Joseph Pulitzer dhe pushteti i mediave (ilustrim i realizuar në kohën e tij)

Kështu, më 6 prill 1917, amerikanët do të futen në luftë dhe kjo do të shënojë fillimin e fundit të Perandorisë Gjermane dhe Perandorisë Austro-Hungareze.

Shkatërrimi i Perandorisë Austro-Hungareze nuk do të jetë lajm i mirë për shqiptarët e copëtuar e të rrethuar me armiq. Pos kësaj, një ngjarje tjetër do të ndikojë jo mirë te shqiptarët. Në mars 1917 nisin trazirat sociale në Rusi që detyrojnë perandorin Nikolai i II-të të abdikojë, e që do të kulmojnë në tetor me revolucion komunist.

Komunizmi do të triumfojë mes rusëve, duke shënuar kështu një epokë të re në rrjedhat e historisë së shekullit XX. Pas Luftës së Dytë Botërore – që shpërthen më 1939 e përfundon më 1945 – pos Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike, komunizmi do të jetë sistem shtetëror në tërë Evropën Juglindore, përfshirë tokat ku jetojnë shqiptarët. Dhe, me komunizmin e fuqishëm në Evropë, do të nisë epoka e njohur si Lufta e Ftohtë.

Rrugët e Moskës, në tetor 1917

Në këtë vit ka lindur këngëtarja Dame Vera Margaret Lynn. Për padrejtësitë që do të ndodhin me përfundimin e Luftës së Parë Botërore, do të shpërthejë Lufta e Dytë Botërore. Vera atëherë do ta këndojë këngën “Do të takohemi sërish” – këngë kjo që ngjallte optimizmin e ushtarëve se do të kthehen gjallë tek më të dashurit e tyre! “A e mban mend dikush Vera Lynnin, kur tha se do të takohemi sërish, në një ditë me diell. Vera, çfarë ndodhi me ty? A ndjen dikush tjetër këtu, ashtu siç ndjej unë?”, është kënga e vitit 1979, e rok grupit anglez, Pink Floyd. Kënga është kompozuar nga Roger Waters, babai i të cilit vdes në Itali më 1944. Për të “mesazhi” i Verës ishte veç një mashtrim!

Vera Lynn

Më 29 maj 1917 do të lind John Fitzgerald Kennedy, presidenti i 35-të amerikan. Më 22 nëntor 1963, ai do të vritet dhe vrasja e tij do të jetë një nga misteret më të mëdha të shekullit XX. Ndërsa, më 6 shtator do të lind Philipp von Boeselager, që ka mundur t’i japë kah tjetër historisë, nëse ai me grupin e tij, më 20 korrik 1944 do t’ia dilte ta vriste diktatorin gjerman, Adolf Hitler. Po këtë vit, pra më 1917, do të arrestohet dhe ekzekutohet valltarja ekzotike holandeze, një nga spiunet më të mëdha të Luftës së Parë Botërore, Margaretha Geertruida “Margreet” MacLeod – e njohur si Mata Hari.

John Fitzgerald Kennedy (foto e vitit 1918)

Më 26 qershor 1917, në Tupallë të Luginës së Preshevës do të lind një nga albanologët më të mëdhenj shqiptarë, Idriz Ajeti. Ndërkaq, një ditë më vonë, në Shkodër do të lind kompozitori i madh, Prenk Jakova, autori i operës së parë shqiptare, “Mrika”. Më 16 shtator 1969, në kohën kur komunizmi sundonte Shqipërinë, ai do të vendosë t’i japë fund jetës së tij.

Prenk Jakova

Kur është fjala te shqiptarët, ata në këto rrjedha ishin pothuajse të parëndësishëm. Për këtë vit vlen të përmendet se vazhdon të funksionojë Republika Autonome Shqiptare e Korçës, nën kontrollin francez, dhe se u hap Liceu Kombëtar Shqiptar (Liceu Kombëtar i Korçës ose Liceu Francez), që përhapte kulturën franceze dhe vlerat evropiane. Në këtë shkollë do të mësojë komunisti më i madh shqiptar, Enver Hoxha, që do të sundojë me dhunë Shqipërinë që nga viti 1944 e deri me vdekjen e tij më 1985. Nën pushtetin e tij, më 1974 do të ekzekutohet komunisti dhe bashkëpunëtori i tij që ka lindur më 14 shkurt 1917, Beqir Balluku.

Kartolinë franceze: Korça e vitit 1917

Më 1917, shqiptarët do ta humbin intelektualin dhe luftëtarin e madh të çështjes kombëtare, korçarin Themistokli Gërmenji. Ai ishte prefekt i Korçës, por me intriga të grekomanëve dhe bashkëpunëtorëve shqiptarë, do të arrestohet dhe do të dërgohet për gjyq në Selanik, ku do të pushkatohet. Në letrën e fundit që do t’ia dërgojë gruas (para pushkatimit të tij më 7 nëntor 1917, në Selanik), do të thotë: “E dashura ime Evdhoksi, rashë dëshmor i çpifjeve… Dijeni që vdes i pafajshëm… Kërkoj ndjesë nga të gjithë atdhetarët, në qoftë se kam bërë ndonjë të ligë pa dashur” (sic.)!

Oficeri francez në Korçë

Në këtë vit, nga emrat tjerë të rëndësishëm të historisë shqiptare, do të vdesin: Preng Doçi – një nga themeluesit e shoqërisë “Bashkimi” dhe bashkëhartues i alfabet me bazë latine; Nikollë Kaçorri – prift katolik, politikan, nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë dhe zëvendëskryeministri i parë i Shqipërisë në kabinetin e Ismail Qemalit; si dhe Stathi Melani – prift ortodoks shqiptar që ka marrë pjesë në Kongresin e Manastirit.

Nikollë Kaçorri

Më 4 mars 1917, Woodrow Wilson do të japë betimin për mandatin e dytë si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai do të njihet si mik i madh i shqiptarëve, i cili do të mbrojë ekzistencën e shtetit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris, një vit më vonë. Ndërsa, më 20 korrik 1917, Parlamenti i Finlandës me shumicën socialdemokrate shpall pavarësinë. 100 vjet më vonë, Finlanda do të jetë një nga shtetet më të zhvilluara në botë, me nivel ndër më të lartët të edukimit dhe të jetesës.

Woodrow Wilson

1927: VDIQ SHOTA, VDIQ SEFERI…

Në vitin 1927, Shqipëria nën Ahmet Zogun ishte në dilema të mëdha: të mbante anën e Jugosllavisë ose të Italisë. Zogu zgjedh Italinë, gjë që e hidhëron Jugosllavinë që e kishte ndihmuar të kthehej në pushtet më 1924. Por, kushtet e bashkëpunimit me Italinë ishin aq të këqija sa që thuhet se pushtimi italian i Shqipërisë nuk ndodh më 1939 po më 1927.

Fjala është për zbatimin e Traktatit me këto pika: “1. Shqipëria dhe Italia pranojnë se shqetësimi i çfarëdolloj ndaj status quo-së aktuale politike, juridike dhe territoriale të Shqipërisë është në kundërshtim me interesat politike të palëve; 2. Në mënyrë që të mbrohen interesat e sipërpërmendura, palët nënshkruese ndërmarrin t’i japin njëra-tjetrës mbështetje dhe bashkëpunim të përzemërt të ndërsjellë, dhe të mos nënshkruajnë me Fuqi të tjera politike apo ushtarake që kanë paragjykime ndaj interesave të palës tjetër kontraktuese të përcaktuar në këtë traktat; 3. Palët e larta kontraktuese marrin përsipër t’i nënshtrojnë një procedurë paqëtimi apo arbitrimi çështjeve që mund t’i përçajnë ato dhe që mund të kenë mbetur pa zgjidhur përmes metodave të zakonshme diplomatike. Format dhe procedurat e zgjidhjeve paqësore do të përcaktohen në një konventë të posaçme që do të përfundohet pa vonesa; 4. Kohëzgjatja e Traktatit aktual do të jetë për pesë vjet dhe mund të denoncohet ose rinovohet një vit para skadimit”.

Siç do të thotë historiani dhe gazetari anglez Henry Wickham Steed, në një raport të 5 prillit 1927 – për Institutin Mbretëror për Çështje Ndërkombëtare – pala shqiptare nuk e ka ditur mirë se çfarë po nënshkruan.

Romë, 24 qershor 1927: Ratifikimi i Traktatit me Italinë

Shqipëria ishte aq e pazhvilluar, me zona të tëra të lëna pas dore, sa që nis të shndërrohet në atraksion për gazetarët, historianët apo antropologët e huaj – gati siç janë sot fiset e harruara të Amazonës apo të Afrikës. Kështu, gazetari Joseph Roth, gjatë një vizite që bën në kryeqytetin e Shqipërisë, do të thotë: “Tirana është një minierë subjektesh sensacionale: rrugët janë me kalldrëm, komplikacionet politike janë të shumta dhe vendi i ngjan një ‘molle sherri’”. Ndërsa, për Shqipërinë në përgjithësi do të thotë: “Shqipëria është pikërisht në gjysmë të udhës, midis gjakmarrjes dhe Shoqatës së Kombeve”.

Tregu i Shkodrës (1927)

Edhe këtë vit funksiononte në Shqipëri, Banka Serbo-Shqiptare, e cila qëllim të vetëm kishte futjen e të gjithë shqiptarëve nën varësinë ekonomike të Serbisë. Serbia moti kishte synim për të hapur këtë bankë, por këto plane i realizuan përmes Zogut. Fatmirësisht, Zogu u vetëdijesua për këtë gabim. Kështu, më 1927 mbyllet në Shkodër filiali i bankës qëllimkeqe – me humbje të mëdha.

Të njëjtën kohë, Zogu lëshon në qarkullim bankënota dhe monedha me portretin e tij. Ai ishte edhe president e edhe kryeministër i vendit, ndërsa armiqtë që do ta rrezikonin pushtetin e tij, veç ishin rralluar.

10 Franga Ar (1927)

Teksa Zogu kujdesej se si do të dukej në franga, më 3 korrik 1927, një nga simbolet e rezistencës shqiptare, luftëtarja Shote Galica, do të japë shpirt në varfëri në Fushë Krujë. Shota kishte kërkuar më parë ndihmë nga Zogu, përmes një letre me këto fjalë: “Unë jam Shote Galica, gruaja e Azem Galicës, prijësit të Lëvizjes Kacake të Kosovës. Gjindem në katundin Shullaz të Krujës, kam edhe katër fëmijë jetimë me vedi. Janë fëmijët e luftarëve të vram për clirim të Kosovës. Jam e shtrëngueme t’ju vnoj në dijeni se jam tuj vdekë unit bashkë me fëmijët jetim” (sic.).

Shote Galica

Po këtë vit vdiq edhe atdhetari Iriz Seferi. Thuhet se kur dha shpirt, ia la këto fjalë trashëgimtarëve (përmes gruas, Bahtijes): “Thueju djemve, amanet Kosovën”!

Idriz Seferi (në rreshtin e parë, djathtas): Mendohet që kjo foto të jetë bërë në hyrje të Ferizajt pas Betejës së Grykë së Kaçanikut kundër ushtrisë turke të Shefqet Dërgut Pashës

Ndërkohë, më 1927 formohet Klubi Futbollistik Vëllaznimi në Gjakovë (atëherë quhej “Shpata e Kosovës”). Themelues ishte Faik Dushi. Në këtë vit vazhdon eksodi i dhunshëm i shqiptarëve të Kosovës për Turqi. Sipas statistikave, më 1927 u larguan 5,197 nga ta, apo 316 familje shqiptare.

Simboli i KF “Vëllaznimi”

Në këtë vit lindi edhe një politikan, i cili do të vritet më 1986 në rrethana ende të panjohura. Fjala është për kryeministrin suedez Olof Palme. Të njëjtin vit e në të njëjtin shtet, do të formohet kompania e automobilave, Volvo, që do të nis një standard të ri në sigurinë e udhëtarëve.

Më 1927 do të lindin edhe: shkrimtari dhe nobelisti kolumbian, Gabriel Garcia Marquez; Papa Benedikti i XVI – i katërti Papë në historinë 2000-vjeçare të krishterimit që do të tërhiqet nga ky titull; aktorja e njohur italiane, një seks simbol i viteve ’60 të shekullit të kaluar, Gina Lollobrigida; aktori Roger Moore që do të luajë rolin e agjentit më të njohur të letërsisë dhe kinematografisë, James Bond; si dhe dramaturgu dhe nobelisti gjerman, Gunter Grass.

Gina Lollobrigida

Më 1927 lindin dy komunistë të njohur: Në Dibër të Madhe do të lind Hibe Palikuqi, së cilës do t’i këndojnë shumë këngë shqiptarët në Jugosllavinë komuniste, meqë thuhet se luftoi dhe ra heroikisht si pjesë e Brigadës së XVIII-të Sulmuese, duke çliruar Kërçovën nga forcat nazifashiste. E, në Lubinjë të Poshtme të Prizrenit u lind funksionari i lartë komunist i Kosovës, Ilaz Kurteshi. Kurteshi dyshohet se ishte goran, por me vepra tamam njeri e tamam përfaqësues i interesave shqiptare. Ai ishte një nga hartuesit e Kushtetutës së vitit 1974 dhe, me vendimin e presidentit Ibrahim Rugova, edhe anëtar i delegacionit të Kosovës që – në prag të bombardimeve të NATO-së – ka nënshkruar në Paris të ashtuquajturën Marrëveshje e Rrambujes.

Ilaz Kurteshi

Ndërkohë, në Shkodër, 10 vite pasi lindi kompozitori i madh Prenk Jakova, do të lind një tjetër kompozitor i madh shqiptar, Çesk Zadeja, që jo veç si krijues po edhe si pedagog do të japë kontribut në zhvillimin e artit muzikor ndër shqiptarë.

Ne rreshtin e parë (ulur), të kësaj fotoje të bërë në Shkodër, janë tre fëmijë që më vonë do të jenë ndër kompozitorët më të mëdhenj shqiptarë. I pari është Çesk Zadeja, i pesti është Tish Daija dhe i dhjeti në rresht është Tonin Harapi

1937: ELABORATI FAMËKEQ: “NËSE E TOLERON KËTË, FËMIJËT E TU DO TA PËSOJNË NESËR”

Shkrimtari Millosh Gjergj Nikolla (Migjeni), një shoku ia kishte uruar vitin e ri 1937, me këto fjalë: “Shok i dashtun, unë përgjithësisht nuk shkruej urime, as për Krishtlindje as për Bajram, as për ditëlindje as për ndoj festë tjetër. Nuk shkruej, pse urimet që n’ato ditë tan bota ban, nuk dij a plotësohen një per qind se pothuej të gjitha dalin nga hipokrizia. Bota ketë e din, por njësoj vazhdon të shkruejë urime. As për Motmotin e Ri deri tash nuk i urova askujt asgja. Por kësaj here due të hyj në rradhen e njerëzve korrekte dhe t’u uroj shokve të mi Motmotin e Ri 1937.

– Së pari, t’uroj, shok i dashtun gjumin e ambël, që të mos ndëgjosh si gjëmojnë njerëzit nën barren e kryqave të vet tue mundunve, as britmen e ngadhnjysve në ketë jetë. Të mos ndëgjosh bumbullimen e Spanjës. Gjumin e ambël! Të mos ndëgjosh si afër teje gërset dhëmballa për dhëmballë, nga të ftohtit. Pse atëherë duhet të pyesësh: moj dhëmballë, pse ndeshe për dhëmballë dhe gërset aq? E gjuha në vend të dhëmballes përgjegjet: pse asht ftohtë, zotni, e kur asht ftohtë, zotni, u hyn dreqi trupit, muskulave, nervave, zotni, dhe qashtu gërset dhëmballa për dhëmballë, zotni. Asht tepër banale të themi se mungon veshja dhe mbathja dhe zjarrmi, prandej: gjumin e ambël, shok i dashtun.

– Së dyti mbas gjumit t’ambël, t’uroj – ç’asht dhe e natyrshme – të jesh i gëzuem, gjithmonë i gëzuem. Nga gëzimi i madh, në sentimentalizem, të puthish drrasat e dhomes e shtyllat, si bani Greta Garbo në filmin “Mbretnesha Kristina”, kur shijoi dashunin shtazore (desha të them hyjnore, por njësoj asht). Aq i gëzuem, saqë bota të ta kenë zili dhe të thonë: oh, sa i lumtun asht! Të jesh i gëzuem edhe pse n’anë tjetër zemra të pëlset, si paljaços. Të jesh i gëzuem, se gëzimi yt u jep shpresa edhe tjerve. Në rasë se tryeza e shkrimit të çalon, ti qeshu. Në rasë se e vetmja karrige që ke në shtëpi asht e shpueme dhe s’ke se ku te rrish, ti qeshu. Në rast se s’ke zjarm e ke të ftohtë, po, ti qeshu. Në rasë se ndonjë ditë, ashtu kot, të mungon dhe buka, ti merre për lojë, për shaka, dhe qeshu, qeshu.

Del në rrugë bile, në kryqzimin e udhve, dhe qeshu, qeshu, qeshu, e bota do ta ketë zili dhe do të thotë: ah, sa i lumtun asht! E kur të të vijë në shtëpi ta shofi shkakun e gëzimit tand, do t’i kujtohet botes vetvetja dhe do të fillojë të qeshi kikikikakaka. Smundja e të qeshunit do të përhapet ndër të gjithë dhe njerzit si majmunat do të hidhen përpjetë nga gëzimi… Dhe kështu uroj që vjetin 1937 ta kalojmë në gëzim, edhe se të smundë patalogjisht” (sic.).

Migjeni

Por, viti 1937 nuk do të jetë i mirë për shqiptarët…

Në Klubin Kulturor Serb në Beograd, bëhet projekti fatal për shpërnguljen e dhunshme të shqiptarëve prej Kosovës dhe Maqedonisë – për në Shqipëri dhe në Turqi. Fjala është për elaboratin famëkeq të Vasa Çubriloviqit (pjesëmarrës në atentatin e Sarajevës, ku vritet trashëgimtari i fronit austriak, Franz Ferdinand, që qe shkak i Luftës së Parë Botërore), i cili sugjeroi se mënyra për zgjedhjen e “problemit shqiptar” është spastrimi etnik masiv.

“Arnautët është e pamundur t’i shtypësh vetëm me kolonizim gradual… Mënyra e vetme dhe mjeti i vetëm është dhuna brutale e një qeverie shtetërore”, thoshte ai.

Çubriloviqi kërkonte dhunë ndaj shqiptarëve, dënime, arrestime, gjoba, forca paramilitare çetnike e shkatërrime të pronave, siç kishin bërë serbët më 1878-1878 me shqiptarët e Nishit, Kurshumlisë, Toplicës…

Vaso Çubriloviq, në vitin 1914, nën arrestin e policisë austro-hungareze

“Në kohën kur Gjermania mund të dëbojë dhjetëra mijëra hebrenj dhe Rusia mund të zhvendosë miliona njerëz nga një pjesë e kontinentit në tjetrën, dëbimi i disa qindra-mijëra shqiptarëve nuk do të çojë në shpërthimin e një lufte botërore”, shtonte ai. “Nëse shteti dëshiron të intervenojë në dobi të popullit të tij në luftën për tokë, do të ketë sukses veç duke vepruar brutalisht”.

Këtë elaborat e ka mbështetur edhe shkrimtari kroat, nobelisti Ivo Andriq që punonte kundër interesave edhe të popullit të tij e në dobi të Serbisë.

Për të zbatuar elaboratin, Qeveria e Beogradit veç kishte organizuar formacione paramilitare të çetnikëve të udhëhequr nga Kosta Peçanci, Miliq Krstiq, Jovan Babunski, Vasilije Trbiq etj. që organizonin ekspedita dhune, terrori dhe plaçkitje të organizuara. Të njëjtat skena dhune e terrori do të përsëriten gjatë luftës së fundit në Kosovë, më 1998-99.

Ilustrim: Hekurudha e Ferizajt (Foto e bërë nga Franz Baron Nopcsa më 1903)

Teksa këto tmerre ndodhnin në Kosovë, shumë shqiptarë i ishin bashkëngjitur Luftës Civile në Spanjë, që për tri vite (1936-1939) do të lë afro një milion të vrarë. Këtë vit nëpër Evropë do të përhapet posteri i quajtur, “If You Tolerate This Your Children Will Be Next” (Nëse e toleron këtë, fëmijët e tu do ta pësojnë nesër). Ky ka qenë slogani që nxiti edhe vullnetarët nga Uellsi i Britanisë së Madhe, t’ju bashkohen forcave republikane ta luftojnë regjimin e gjeneralit Francisco Franko në Spanjë. Në poster ishte fotografia e një fëmije të vrarë nga bombardimet. Një nga vullnetarët e dikurshëm që shkoi në Spanjë, ishte një katundar uellsian sipas të cilit “nëse mund t’i vras lepujt, atëherë mund t’i vras edhe fashistët”! Kaq e thjeshtë ishte të vrasësh atëherë! Të inspiruar nga kjo ngjarje, më 1998, grupi uelsian Manic Street Preachers,borë do ta këndojnë këngën “If You Tolerate This Your Children Will Be Next”, që nënkupton vrasjen e idealizmit, të fëmijërisë e të rinisë. Pra, vrasjen e së ardhmes!

Posteri i tmerrit i vitit 1937

Më 1937, Pablo Picasso përfundon edhe kryeveprën e tij “Guernica”. Po këtë vit, Hermann Goering ishte shef i forcave ajrore gjermane. Moment ideal për ta testuar aviacionin gjerman ishte mbështetja e Francos duke bombarduar qytetin Guernica – kryeqytetin shpirtëror të baskëve. Bombardimi ishte i tmerrshëm, me shumë shkatërrime e me shumë viktima. Nga këtu Picasso inspirohet për kryeveprën e tij.

Guernica pas bombardimit

Pas pushtimit nazist të Francës, Picasso nuk u largua nga Parisi. Por, nuk bënte ekspozita, meqë shqetësohej shpesh nga oficerët nazistë të Gestapos gjermane. Gjatë një kontrolli që këta të fundit ia bënë atij në banesë, një oficer gjerman e sheh fotografinë e pikturës “Guernica”. “E ke bërë ti?”, e pyet ai Picasson. “Jo, ti e ke bërë!”, i përgjigjet Picasso.

“Guernica” e Picassos

Ngjarjet që shënuan botën janë inaugurimi i mandatit të dytë të presidentit amerikan Franklin D. Roosevelt; zhdukja e aviatores Amelia Earhart; nisja e Luftës së Dytë Sino-Japoneze mes Japonisë dhe Kinës që la deri 22 milionë viktima; tragjedia e Hindenburgut – eksplodimit të zepelinit gjerman; si dhe filmi i parë i vizatuar i metrazhit të gjatë nga Walt Disney, “Snow White and the Seven Dwarfs” (Borëbardha dhe shtatë shkurtabiqët).

Ky është viti kur lindën artistët e mëdhenj, si mikja e Kosovës, aktorja Vanessa Redgrave. Familja e saj është në librin e rekordeve Guinness, sepse ka dhënë më së shumti aktorë. Aktorë tjerë të mëdhenj që linden më 1937 janë edhe Warren Beatty, George Takei, Jack Nicholson, Morgan Freeman, Bill Cosby, Dustin Hoffman, Jayne Fonda dhe një nga regjisorët më të mirë në historinë e kinematografisë, Ridley Scott.

Në këtë vit lindën edhe dy politikanë, fatet e të cilëve do të ndërlidhen: lideri i Irakut Saddam Hussein dhe sekretari amerikan i Shtetit, Colin Powell. Gjatë mandatit të Powellit, shteti i Saddamit dhe pushteti i tij do të bien në duar të amerikanëve.

Colin Powell

Në vitin 1937 do të vdesin dy kompozitorë të mëdhenj, George Gershwin dhe Maurice Ravel. Do të vdesë edhe një prej shkencëtarëve më të mëdhenj të shekullit XX, nobelisti Guglielmo Marconi, që mbi të gjitha njihet si zbuluesi i radios dhe radio-telegrafisë (të cilat thuhet se para tij i kishte zbuluar NikolaTesla, por që nuk ka ditur t’i materializojë), që do të ndryshojnë botën e mediave përgjithmonë. Më 1937 do të vdesë një nga njerëzit më të pasur në historinë e njerëzimit, John Rockefeller. Sipas revistës Forbes, pasuria neto e tij kishte vlerën e 392 miliardë dollarëve të vitit 2016. .

John Rockefeller

Antropologu gjerman, Raimer Shulc, në vitin 1937 ishte pjesë e një ekspeditë gjermano-italiane në Theth të Dukagjinit. Gjatë qëndrimit merr pjesë dhe dokumenton varrimin e Ujk Vuksanit, si dhe të ashtuquajturën “Gjama e burrave” – traditë e lashtë, sidomos në veri të Shqipërisë. Në ritual marrin pjesë të paktën 10 burra. Sa më i madh të jetë numri i tyre, aq më i madh është respekti për të vdekurin. Historiani shqiptar, Pjetër Marticanaj, ka thënë se kjo traditë është e lidhur ngushtë me vdekjen e Skënderbeut. Nga mërzia thonë se princi Lekë Dukagjini kishte bërtitur me të madhe, rrihte gjoksin, këpuste flokët dhe gërvishte fytyrën e tij.

Gjama e burrave në varrimin e Ujk Vuksanit

Më 17 prill 1937 ndodh njohja kanonike e Autoqefalisë së Kishës Ortodokse të Shqipërisë nga Patriarkana Ekumenike në Stamboll. Ndërsa, gazeta franceze “L’Intransigeant”, në mars 1937 boton një shkrim në lidhje me vendimin e Zogut për heqjen e ferexhesë. Në të ndër të tjera thuhet: “Mysliman besnik, por sundimtar modern, Mbreti Ahmet Zogu, në fakt, ka adoptuar nga Parlamenti një ligj që urdhëron gratë e Mbretërisë së tij të heqin dorë nga ferexheja, një zakon i vjetër i imponuar në shekullin e XV-të nga turqit, kur ata pushtuan Shqipërinë pas vdekjes së heroit kombëtar shqiptar Skënderbeut. Ky vendim ka ngjallur gëzim të madh në të gjithë Shqipërinë: tek gratë së pari, të cilat janë, si të gjitha bijat e Evës, të lumtura që admirohen, dhe tek të gjithë të rinjtë. Tirana është bërë papritur një qytet i lumtur… Të qeshurat dhe rinia ndriçojnë të gjitha fytyrat… Dhe, të huajt, të kënaqur, zbulojnë bukuritë…”!

Zogu me motrat e tij

Në fillim të vitit 1937, në Grazhdanik të Prizrenit do të lind një nga emrat më të shquar të letrave shqipe, Anton Pashku, që sjell një frymë krejtësisht moderne në traditën e prozës shqiptare. Ndërsa, në Korçë do të lind regjisori Viktor Gjika (që njihet për filmat: “I teti në bronz”, “Gjeneral gramafoni”, “Nëntori i dytë”, “Njeriu me top”, “Komisari i dritës”…).

Më 1937 lindi edhe nobelisti finlandez, Martti Ahtisaari, sipas planit të të cilit do të shpallet pavarësia e Kosovës më 17 shkurt 2008.

Anton Pashku

1947: MIQËSIA DHE ARMIQËSIA ME JUGOSLLAVINË

Në maj shpërthen Lufta Civile në Greqi. Komisioni i Kombeve të Bashkuara konkludon se Shqipëria, Bullgaria dhe Jugosllavia po mbështesin guerilët komunistë grekë.

OKB merret edhe me një temë tjetër, me incidentin në ngushticën e Korfuzit kur dy anije britanike bien në mina. Në një rezolutë kërkohet formimi i një komisioni që të hetojë rastin, e në një tjetër që rasti të dërgohet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Ky incident ndodhi më 22 tetor 1946. Nga minat vdesin 45 oficerë dhe detarë britanikë. 42 të tjerë u plagosën. Por, se kush i vuri minat dhe cili ishte qëllimi që një shtet i vogël të futet në konflikt me një fuqi botërore, kjo ende saktë nuk dihet.

Koçi Xoxe në burg

Në korrik, Shqipëria e varfër refuzon të jetë pjesë e Planit Marshall të zhvillimit, të projektuar nga amerikanët. Në vend instalohet modeli sovjetik ekonomik. Fjala është për shtetëzimin e industrisë. Kështu, shteti komunist shqiptar zotëron afro 89 për qind të prodhimit industrial të vendit. Mbeti pa u shtetëzuar prona e vogël zejtare e tregtare, për të cilën u ndoq si fillim rruga e kooperimit socialist. Procesin e shtetëzimeve shteti e bazoi në tri kritere: shpronësim pa shpërblim, me forcë e ritme të shpejta.

Në të njëjtën kohë, Jugosllavia synonte të fuste në varësi ekonomike shtetin shqiptar, me kreditë dhe përpunimin e lëndës së parë. Jugosllavia e përfaqësonte Shqipërinë në Kominternë e edhe në takimet për zhvillim ekonomik të shteteve të Lindjes. Madje, ata që e kundërshtuan varësinë e tillë ekonomike, u arrestuan. Nako Spiru, nga presionet u detyrua të bënte vetëvrasje më 1947. Dyshohet se prapa kësaj loje qëndronte vllahu – zyrtari i lartë komunist i Shqipërisë – Koçi Xoxe, i cili pas prishjes së raporteve me jugosllavët, do të arrestohet dhe do të ekzekutohet më 1949 nga regjimi i Enver Hoxhës.

Homazhe për Nako Spirun

Më 1947, otorinolaringologu kroat, Branimir Gushiq, bën një vizitë në Shqipëri, nga veriu në jug. Gjatë kësaj vizite ai realizon shumë fotografi, që dëshmojnë zymtësinë dhe varfërinë e vendit.

“Shqipëria në vitin 1947 ishte ekonomikisht dhe shpirtërisht e shkatërruar pas luftës civile (1943-1944) dhe pas ngjarjeve të Luftës së Dytë Botërore (1939-1944). Pushtetarët komunistë të vendit kishin ndërprerë pothuajse tëra marrëdhëniet me Perëndimin. Edhe për këtë arsye, fotografitë e Branimir Gushiqit të vitit 1947 janë unike dhe të rëndësishme”, ka shkruar për fotot e tij, albanologu Robert Elsie, që do të vdesë më 2017.

Foto e Gushiqit: Gjirokastra, më 1947

Ndërkohë, shqiptarët e Kosovës i kishin punët keq me komunistët jugosllavë e edhe me ata të Shqipërisë që ishin në miqësi të madhe me zyrtarët e Jugosllavisë. Në Kosovë do të marrë fund edhe Lëvizja Nacional-Demokratike shqiptare (NDSH), që luftonte kundër komunizmit, për bashkimin e tokave shqiptare. Eksponentët kryesorë të kësaj lëvizjeje do të vriten nga komunistët më 1946, përfshirë Gjon Serreqin.

Hillary Clinton

Në vitin 1947 u lind Valter Deshpali, çelist dhe profesor në Akademinë e Muzikës në Zagreb. Po këtë vit u lindën edhe shkrimtarët Primo Shllaku dhe Xhevahir Lleshi.

Viti 1947 ishte vit i ardhjes në jetë të rokerëve të mëdhenj, si: David Bowie, Elton John, Iggy Pop, Brian May, Marc Bolan dhe Brian Johnson. Po ashtu, u lindën dy kandidatë për president të SHBA-ve: Mitt Romney dhe mikja e madhe e shqiptarëve, Hillary Clinton.

Më 1947 vdiq Victor Emmanueli i III-të i Italisë që në vitet (1939–43) kishte edhe titullin e mbretit të shqiptarëve, si dhe mafiozi më i famëkeq në histori, Al Capone, i cili ka thënë se qëllimit ia arrin më lehtë “me fjalë të mira e me armë, se veç me fjalë të mira”!

Al Capone

1957: ÇASHTJET…

Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor të Shqipërisë ishte Haxhi Lleshi e kryeministër Mehmet Shehu. Enver Hoxha ishte “veç” Sekretar i Parë Partisë së Punës.

Në këtë vit nisin të acarohen edhe më shumë raportet me Bashkimin Sovjetik. Kjo prishje nisi më 1955, kur në Beograd shkon lideri sovjetik, Nikita Khruschev, dhe pasi më 1956 po i njëjti denoncon politikën e Josif Stalinit.

Hoxha, këtë vit, në plenumin e Komitetit të Qendror mbrojti trashëgiminë e Stalinit.

“Me nxirjen e Stalinit, armiqtë nuk janë të shqetësuar për të si një person, por qëllimi i tyre është të diskreditojnë Bashkimin Sovjetik, sistemin socialist dhe lëvizjen komuniste ndërkombëtare e, për rrjedhojë, të minojnë besimin e punëtorëve në socializëm”, ka thënë Hoxha.

Mehmet Shehu, Enver Hoxha dhe Haxhi Lleshi

Ky fjalim s’i ka pëlqyer fare Khruschevit i cili e fton lidershipin shqiptarë në Moskë. Sipas Hoxhës, lideri sovjetik i ka kërkuar atij që t’i rregullojnë raportet me Jugosllavinë, por ky i kishte thënë se nuk u beson jugosllavëve, sepse “ata po flasin kundër sistemit socialist të shtetit tonë dhe janë kundër themeleve të marksist-leninizmit”. Hoxhës i pengonte po ashtu edhe pse jugosllavët nuk po e thonë asnjë fjalë kundër imperializmit dhe pse nuk po i kuptojnë devijimet që po i bëjnë.

Raportet u acaruan edhe më shumë kur Tito këtë vit refuzoi të jetë pjesë e Konferencës Ndërkombëtare të Partive Komuniste. Në këtë takim, shqiptarët me kinezët miratojnë deklaratën ku dënojnë revizionimin si rrezik të botës komuniste.

Sovjetikët u nervozuan e nuk ia dolën t’i bindin shqiptarët që të rrinë urtë as kur ua dhanë një kredi prej 160 milionë dollarëve e as kur ua falën borxhin prej 105 milionëve.

Tito dhe Khruschevi

Në vitin 1957, albanologu i njohur Wilfried Fiedler ishte në Shqipëri, si pjesë e ekspeditës së përbashkët etnografike gjermano-shqiptare të etnologëve Erich Stockmann dhe Ramadan Sokoli. Pas kësaj ekspedite, në Gjermani u botua studimi “Këngët e Çamëve”. Po këtë vit ishte edhe një ngjarje me rëndësi: themelimi i Universitetit të Tiranës. Ky institucion arsimor kishte kritere dikur dhe zinte vend më të rëndësishëm në rangimin botëror sesa sot.

Kavaja më 1957 (Foto e bërë nga Wilfried Fiedler)

Ndërkohë, në Kosovë vazhdon shkelja e shqiptarëve. Serbët dominojnë në nomenklaturën e Kosovës, sepse ata kanë mbështetjen e famëkeqit Aleksandar Rankoviq. Shef i Këshillit Ekzekutiv të Kosovës ishte Fadil Hoxha, ndërsa Ismet Shaqiri ishte kryetar i Kuvendit.

Këtë vit në Prishtinë ishte një takimi i “gjuhtarëve për caktimin e disa çashtjeve t’ortografis së gjuhës shqipe”. “Në kët Mbledhje muerën pjesë, pothuejse, gjithë gjuhtarët e Kosovë-Metohís, personeli mësimuer i Seminarit Albanologjik të Fakultetit të Beligradit, gjuhtarët e Republikës Popullore të Maqedonís dhe shum arsimtarë dhe dashamirë të gjuhës shqipe” (sic.). Pra, atëherë dialekti geg jo veç që flitej po edhe shkruhej.

Këtë vit, poeti i madh, Ali Podrimja, botoi poezinë e parë në revistën “Jeta e Re”. Kryeredaktor i kësaj reviste me rëndësi për shqiptarët, ishte një tjetër poet i madh shqiptar, Esad Mekuli.

Ali Podrimja

Muzika rock do të nis të ndryshojë botën. Elvis Presley përdridhet vet e me veten dridh Amerikën duke marrë sërish pjesë në emisionin “The Ed Sullivan Show”. Ndërsa, në Liverpul lind miqësia e tandemit më të madh të historisë së muzikës rock: John Lennon dhe Paul McCartney. Tri vite më vonë këta dy do ta formojnë grupin “The Beatles”.

Në këtë vit, Gana do të jetë shteti i parë i Afrikës koloniale që do të pavarësohet (nga Britania e Madhe). Kur Gana bëhet shtet, presidenti Komla Agbeli Gbedemah viziton SHBA-të, por në një restorant atij i refuzohet shërbimi.

Në këtë vit ndodhë një tjetër risi në botën e teknologjisë: sovjetikët dërgojnë në orbitë satelitin “Sputnik 2”, me qenin Laika. Ndërsa, IBM shet kompjuterin e parë me gjuhën programuese “Fortran”.

Qeni Laika që ngordhi në orbitë

Më 1957 u lind këngëtari austriak Falco, që me gjuhë gjermane do të bëjë famë botërore në vitet ’80 të shekullit të kaluar, si dhe Osama bin LadenI – një nga terroristët më të mëdhenj të historisë.

Po këtë vit lindën aktorët Melanie Griffith, Steve Buscemi dhe Daniel Day-Lewis, fituesi i vetëm i tri çmimeve Oscar për rolin kryesor në filmat “My Left Foot” (1989), “There Will Be Blood” (2007) dhe “Lincoln” (2012). Ky është aktori që ka refuzuar më së shumti role, meqë për 20 vite – nga 1997 e deri më 2017 – do të luajë në vetëm shtatë filma.

Më 1957 vdiqën edhe dy aktorë të njohur, Humphrey Bogart dhe Oliver Hardy.

Oliver Hardy

1967: ATEIZMI DHE KUNDËRKULTURA

Më 6 shkurt 1967, Enver Hoxha mban një fjalim mediokër përpara disa organizatave bazë të partisë në Tiranë. Fjalimi do të botohet të nesërmen te gazeta “Zëri i Popullit”, me pompozitet e me titullin: “Enver Hoxha, Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të Partisë, trajton temën: ‘Revolucionarizimi i mëtejshëm i Partisë dhe i pushtetit’”! Më 8 shkurt, po në këtë gazetë, del si kryeartikull iniciativa e të rinjve durrsakë të gjimnazit “Naim Frashëri”, që kërkonin mbylljen e kishave e të xhamive. Kështu nisi një histeri kundër fesë duke e bërë Shqipërinë shtetin e parë e të vetëm ateist në botë. Kjo zyrtarizohet edhe me Kushtetutën e vitit 1976, ku neni 37 thoshte: “Shteti nuk njeh asnjë fe dhe përkrah e zhvillon propagandë ateiste për të rrënjosur tek njerëzit botëkuptimin materialist shkencor”!

Si rezultat i kësaj ndërmarrje të çmendur, e sipas një raporti të përpiluar nga komunistët, mbyllen e shkatërrohen 740 xhami, 608 kisha ortodokse e manastire, 157 kisha katolike, 530 teqe, tyrbe, mekame etj.

Rinia në aksion antifetar

Në një raport të kohës, për këto zhvillime thuhet: “Në mbështetjeve të masave të rëndësishme që ka marrë partia për revolucionarizimin e mëtejshëm të jetës, në të gjithë vendin shpërthyen inisiativa të shumta revolucionare, si rezultat i të cilave ideologjia e vjetër feudo-borgjeze ka pësuar dhe po pëson goditje të rënda. Fjalimi programatik i 6 shkurtit që mbajti shoku Enver ishte një faktor tjetër frymëzues që i armatosi masat për ta intensifikuar dhe ngritur në një shkallë më të lartë këtë luftë, ku janë inkuadruar të mëdhenj e të vegjël, gra e burra. Në kuadrin e kësaj lufte të ashpër klasore, goditje të fuqishme po pësojnë mënyra e vjetër dhe borgjeze e jetesës, doket e zakonet prapanike dhe veçanërisht ideologjia fetare, e cila prej shekujsh jo vetëm që ka helmuar ndërgjegjen e njerëzve, por ka hyrë thellë në jetën e tyre të përditshme, duke i shoqëruar në çdo moment.masat e gjera punonjëse dhe në mënyrë të veçnatë rinia, kanë marrë zotime që të heqin dorë nga të gjitha festat dhe ceremonitë fetare, nga zakonet e vjetra dhe prapanike dhe të festojnë festat tona dhe zakonet e reja socialiste. Mirëpo kjo nuk mund të bëhet menjëherë” (sic.).

Marshi i çmendur kundër besimit

Këtë vit Shqipëria kaplohet edhe nga tërmetet nga të cilat, vetëm në zonën Dibër-Librazhd shkatërrohen 177 fshatra. 12 veta vdiqën dhe 174 të tjerë u plagosen. Para këtij tërmeti, një aeroplan jugosllav kishte shkelur hapësirën ajrore të Shqipërisë. Fjala ishte për një bombardues të tipit F-84G, që humbi orientimin. Ai u mundua të kthehej, por nga Rinasi u ngritën tre MiG-19 që e bllokojnë nga të gjitha anët dhe e detyrojnë të ulet.

Shqipëria kishte shumë të meta, por një gjë nuk duhet mohuar: ishte tamam sovrane!

Kartolinë nga Tirana

Ndërkohë, në botën ma normale, një frustrim i akumuluar rinor do të shpërthej më 1967 në San Francisko. Në lagjen Haight Ashbury të këtij qyteti, do të mblidhen radikalët, të braktisurit, artistët, bitnikët, mistikët, rebelët, rockerët… të cilët do ta tronditin Perëndimin me një eksperiment të madh politik, shoqëror dhe kulturor, pasojat pozitive dhe negative të të cilit edhe sot vërehen. Lëvizja e tyre do të njihet me emrin: Hipi (Hippy)

Në këtë dekadë, më shumë se kurrë rinia kundërshton gjeneratat e vjetra, duke krijuar madje kundërkulturën si opozitë e vlerave të klasës së mesme amerikane. Rinia fillon të sfidojë institucionet, barrierat politike dhe ekonomike, luftën në Vietnam, diskriminimin racor dhe gjinor.

George Harrison në Haight-Ashbury

Haight Ashbury ishte si një republikë autonome psikodelike, me një mënyrë krejt tjetër të jetesës, me kulturë, gazeta dhe shërbimet unike publike. Banorët e këtij qytet-shteti mendonin se këtu zëvendësohet konformizmi me kreativet, represioni me liri emocionale dhe seksuale, lufta me dashuri dhe paqe.

Ata mendonin të mundshmen dhe rruga drejtë të mundshmes – pos Rock’n’Roll-it – ishte edhe droga dhe seksi: haptas, kudo dhe me këdo. Këtu nuk vlente kontrata martesore, sepse lumturia individuale ishte kryesorja. Mu për këtë, disa e cilësojnë këtë dekadë si burim të degjenerimit moral, pasojat e të cilit vërehen çdo ditë e më shumë me shkurorëzime, devijime seksuale dhe abuzime me drogë.

Devijimet e tilla bënë që më 6 tetor 1967, vargani me një arkivol me lule, të përshkojë rrugët në Haight Ashbury. Ngjarja u quajt: vdekja e hipive. Ëndrra utopike u shkatërrua nga tejdoza me drogë. Lëvizja kërkonte alternativa tjera, për çka formohet fraksioni Jipi (Yippi) që mendon se për ndryshime pozitive duhet të përdoren edhe metodat më radikale.

“Vdekja e hipive”

“Të gjashtëdhjetat na treguan mundësitë dhe përgjegjësitë që ne i kemi. Jo përgjigjet. Ato na drejtuan shikimin drejtë së mundshmes”, do të thotë John Lennon më vonë (ditën e vrasjes së tij, më 8 dhjetor 1980).

Hipikët ishin ëndërrimtarë. Shpresonin të realizonin një revolucion shpirtëror pas të cilit të gjithë njerëzit do të jenë të lumtur dhe të barabartë. Ata proklamonin paqen, dashurinë dhe lirinë individuale, ndërsa urrenin korrupsionin, autoritetin e pushtetit politik dhe ekonomik të “Vëllait të Madh”.

Bill Clinton dhe Tony Blair, pjesëmarrës të kësaj lëvizjeje. janë shembull për këtë. Por, edhe Steve Jobes dhe Steve Wozniak, themeluesit e gjigantit “Apple”; Steward Brand (ideologu i internetit), pastaj Ken Kesey, Neal Cassady, Del Close etj. Synimi i hipikëve ishte që të barazohet individi me institucion. Ata ia dolën.

Marsh paqësor në San Francisko

Këtë vit publikohen disa nga kryeveprat e muzikës rok: “Sgt. Pepper’s Lonenly Heats Club Band” (The Beatles), “Disraeli Gears” (Cream), “The Piper At The Gates Of Dawn” (Pink Floyd ), “The Who Sell Out” (The Who), “The Doors” (The Doors), “Surrealistic Pillow” (Jefferson Airplane), “Are You Experienced” (The Jimi Hendrix Experience)… që dëshmojnë se muzika më nuk është profesion i njerëzve me pedigre apo shkollim profesional. Muzika, dhe në përgjithësi arti, është produkt i të gjithë njerëzve që e duan dhe që sakrifikohen për të.

Ndërkohë, shqiptarët në Jugosllavinë komuniste, pas rënies nga pushteti të Rankoviqit, do të shohin ditë më të mira. Në Kosovë shtohen rock grupet e shqiptarëve dhe rocku bëhet pjesë e përditshmërisë.

Në vitin 1967 vdiq J. Robert Oppenheimer, që njihet si babai i bombës atomike, ndërsa vritet revolucionari më i njohur komunist, Ernesto “Che” Guevara

Pink Floyd

1977: LAMTUMIRË KINË

Viti 1977 ishte vit i teknologjisë digjitale. Më 1970, Intel do të vë në shitje mikroprocesorin e parë “Intel 4004”. Brenda tij ishin 2300 transistorë. Ky zbulim do ta ndryshojë botën më shumë se kurrë. Ëndrra për kompjuterët personalë, tash është realitet. Më 1977 dalin në shitje këto modele: TRS-80 nga Tandy Corporation; Commodore PET nga Commodore; Atari VCS nga Atari; dhe Apple II nga Apple. Nga këto kompani mbijetoi vetëm kjo e fundit që sot, sipas revistës Forbes, vlerësohet me 752 miliardë dollarë.

Një nga modelet më të suksesshme, Apple II – i projektuar nga Steve Wozniak

Viti 1977 është vit i muzikës punk – degë e zhurmshme e rockut, me vija të paqarta melodike, por që do të bëjë rininë për vete e do të ndikojë në rrjedhat e mëvonshme muzikore. Sinonim i kësaj muzike do të jetë grupi Sex Pistols dhe kënga e tyre e lansuar më 1977, “God Save the Queen” (Zot ruaje Mbretëreshën), që sulmon bindjen dhe respektin anglez ndaj kurorës.

Por, megjithatë, suksese më të mëdha arrijnë grupet tamam rock, si Fleetwood Mac me albumin e lansuar këtë vit, “Rumours”, që do të shitet në afro 40 milionë kopje. Ndërsa, Led Zeepelin do të thyejnë rekord kur në Pontiak të Miçiganit do të mbajnë koncert para 76,229 personave.

Bota këtë vit po përjetonte një tjetër fenomen: muzikën disco. Promotor i kësaj muzike u bënë filmi “Saturday Night Fever” (Ethet e së shtunës mbrëma), me aktorin John Travolta, dhe kolona zanore e grupit australian, Bee Gees.

Kur është fjala te muzika, këtë vit vdesin këta emra: rockeri Mark Bolan; operistja Maria Callas; rekorderi i disqeve të shitura, Bing Crosby; dhe mbreti i Rock’N’Roll-it, Elvis Presley.

Led Zeppelin (pamje nga koncerti i vitit 1977, në stadiumin “Silverdome”)

Ndërkohë, në Jugosllavinë komuniste nis shembja e shtetit. Më 18 janar 1977, në rrethana të dyshimta mbytet në një aksident ajror, kryeministri jugosllav Xhemal Bijediq, gruaja e tij dhe gjashtë persona të tjerë. Versioni zyrtar thoshte se moti i keq ishte shkaktar i aksidentit, por dyshimet më të mëdha janë se gjithçka ishte orkestruar nga Serbia për të eliminuar rivalët politikë dhe për të marrë kontrollin në Jugosllavi, pas vdekjes së Titos. E, Bijediqi shihej si një nga trashëgimtarët. Ndaj, thuhet se gruaja e Titos, serbja Jovanka Broz, kishte gisht në këtë ngjarje. Trashëgimtarët e Bijediqit shprehen se ajo e orkestroi këtë krim së bashku me oficerët e lartë të Armatës Popullore të Jugosllavisë, Nikola Lubiçiq (më vonë mbështetës i Sllobodan Millosheviqit) dhe Bllagoje Axhiq, bashkë me kryetarin e Kryesisë së Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, Petar Graçanin.

Xhemal Bijediqi me gruan e tij

Ndërkohë, në Shqipëri do të vdesë Ibrahim Ibrahim Biçakçiu (i biri i Aqif Pashë Elbasanit), kryeministër i Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pas futjes së komunistëve në Shkodër, ai do të arrestohet e do të dënohet me burg të përjetshëm. Më 1962 do të lirohet dhe do të detyrohet të punojë si pastrues i tualeteve.

Në BRSS, ish-shtetin mik të Shqipërisë, jepet një urdhër për të shkatërruar shtëpinë “Ipatiev”. Kjo ishte shtëpia ku u vra cari Nikolai i II-të i Rusisë me tërë familjen e tij më 1918. Arsyeja ishte se shtëpia nuk ka vlerë historike. E, për ta zbatuar këtë urdhër, Politbyroja sovjetike cakton Boris Yletsinin që do të udhëheq Rusinë pas shkatërrimit të BRSS-së dhe përmbysjes së komunizmit.

Nga e majta: Kapiteni Hendrik Reimers, Ibrahim Biçakçiu (10 vjeç), Aqif Pashë Biçakçiu dhe Ali Agjah Bej Biçakçiu

Kur është fjala te mikja e Shqipërisë, pas vdekjes së Mao Zedongut – liderit komunist kinez – në Kinë nisin ca reforma të kryesuara nga Deng Xiaoping. Më 1977 Tito do të shkojë në Pekin dhe kjo vizitë do të irritojë edhe më shumë Enver Hoxhën (më shumë se vizita e presidentit amerikan Richard Nixon, më 1972).

Gjashtë vite më parë, Shqipëria inicion një Rezolutën 2758, ku kërkon në OKB të mos përfaqësohet Republika e Kinës (Tajvani) e Chiang Kai-shekut, po Republika Popullore e Kinës s Mao Zedongut. Dhe, ia doli! Madje, në një seminar të mbajtur në Tiranë, ku të pranishëm ishin edhe studiues nga Kosova, në fjalën përshëndetëse u tha: “I përshëndesim vëllezërit kinez, e miqtë kosovarë”. Por, kjo dashuri tash po shuhet. Kështu, më 1977, shumë zyrtarë e ushtarakë të Shqipërisë eliminohen pas të ashtuquajturit “Konspiracioni kinez”. Dashurisë shqiptaro-kineze po i vjen fundi…

Rezoluta që e bëri Kinën faktor botëror

Në Kosovë këtë vit nis ndërtimi i Pallatit të Rinisë, “Boro e Ramizi”. Emrin e merr duke u bazuar në ideologjinë e vëllazërim-bashkimit në Jugosllavi, simbol i së cilës ishin dy partizanë: shqiptari i Pejës, Ramiz Sadiku, dhe serbi i Bratsigovës së Bullgarisë, Boro Vukmiroviq. Në prill 1943, Boroja kapet në Landovicë nga Xhandarmëria shqiptare. Thuhet se Ramizi e kishte shansin të dilte i gjallë, si shqiptar, por vendosi të vdesë bashkë me Boron. Në momentet e ekzekutimit, ata e përqafuan njëri-tjetrin dhe bërtitën slogane komuniste.

Ramizi dhe Boro

Nga viti 1977, më shumë njerëz të mëdhenj vdesin sesa që lindin. Në këtë vit p.sh. vdiq shkencëtari që dërgoi amerikanët në Hënë, Wernher von Braun, si dhe gjeniu i papërsëritshëm i aktrimit dhe kinematografisë, Charlie Chaplin. Ndërsa, u lind këngëtari koreanojugor, Park Jae-sang, i njohur si PSY, që në fakt do të jetë sinonim i budallallëkut që shndërrohet në fenomen global – pikërisht si rezultat revolucionit digjital që nis më 1977. Pos tij, këtë vit lindi presidenti i tashëm francez, Emmanuel Macron, që më 2017 u pa si një shpresë kundrejt populizmit djathtist në Evropë.

Emmanuel Macron

1987: NGRITJA E MILLOSHEVIQIT

Ajo që ndodh sot në Korenë e Veriut, ka ndodhur më 1987 në Shqipëri. Këtë vit mbahen zgjedhjet parlamentare, të fundit në komunizëm. Fronti Demokratik – organizatë e Partisë së Punës – ishte e vetmja forcë që merr pjesë në zgjedhje, duke fituar që të 250 ulëset. Të drejtë vote kishin 1,830,652 shqiptarë dhe që të gjithë ata votuan. Nga këto vota, veç njëra doli e pavlefshme.

Për këto zgjedhje, trashëgimtari i Enver Hoxhës, Ramiz Alia, te “Zëri i Popullit” ka thënë: “Besimi i popullit është nder dhe përgjegjësi. Deputetët duhet të punojnë sa më shumë që ta justifikojnë këtë besim, të punojnë që t’i hapin rrugë të gjerë luftës e përpjekjeve të popullit, t’u përgjigjen me vëmendje e kujdes dëshirave të zemrës së madhe që ai ka”.

Ballina e “Zërit të Popullit”, për zgjedhjet e 1 shkurtit 1987

Shqipëria ishte në mjerim ekonomik. Ishte vendi më i izoluar në botë, siç është sot Koreja e Veriut. Më nuk kishte ndihma nga BRSS e as nga Kina, ndërsa shansi gjerman i vitit 1985 u humb pa asnjë arsye.

Një reporter i huaj viziton këtë vit këtë shtet, ku realizon disa foto. Për këtë vizitë ai thotë: “Ishte errësirë dhe binte shi. Pasi lamë pas dritat e kufirit jugosllav, përpara na u shfaq një rrugë me ndriçim të zbehtë. Po hynim në Shqipëri. Në mes të rrugës u shfaqën rojet kufitare që dolën nga shkurret. Të veshur me uniforma të gjelbra, kapele me një yll të kuq, syze të errëta dhe me armë në krah. Nuk buzëqeshin. Ishte viti 1987, komunizmi dhe ‘lufta e ftohtë’”!

Tirana e vitit 1987

Serbët e Fushë Kosovës nisin lëvizjen antishqiptare që do ta sjell në pushtet kriminelin e luftës, Kasapin e Ballkanit – Sllobodan Millosheviq. Askush në botë nuk shqetësohej për këtë. New York Times, më 26 prill 1987, kështu do ta përshkruaj një moment fatkeq të historisë së Ballkanit: “Mijëra serbë që kërkojnë trajtim më të mirë në rajonin e pakicës shqiptare të Jugosllavisë, në Kosovë, qëndruan tërë natë zgjuar pas përleshjeve etnike. Kjo ndodhi pas një incidenti të së premtes që nxiti tensione mes shqiptarëve të rajonit dhe grupeve tjera etnike. Përleshjet gjithashtu ishin goditje tjetër ndaj qeverisë Jugosllave, e cila tashmë përballet me probleme ekonomike dhe trazira të punës, në prag të përvjetorit të parë të Qeverisë së kryeministrit Branko Mikulliq. Në këtë incident, një turmë prej 15 mijë serbësh dhe malazezësh hodhën gurë tek policët, pasi ata përdorën shkopinj gome për t’i ndaluar për t’u futur në qendrën kulturore të Fushë Kosovës. Trazirat ndodhën pasi Sllobodan Millosheviqi, shefi i Partisë Komuniste të Serbisë, po takohej me një delegacion të serbëve dhe malazezëve vendas për të diskutuar ankesat e tyre. Agjencia e lajmeve Tanjug citoi sot z. Millosheviq duke thënë se do të disiplinohen ata që urdhëronin përdorimin e shkopinjve”.

Fjala është për vizitën e Millosheviqit më 24 prill 1987, ku ai turmave do t’ju drejtohet me fjalët që më vonë do të cilësohen si fillimi i fundit i Jugosllavisë komuniste dhe tmerrit ballkanik: “Kurrkush s’ka me guxu me ju rreh”!

Kryetare e Këshillit Ekzekutiv të Kosovës ishte Kaqusha Jashari, e cila bashkë me Azem Vllasin do të eliminohet politikisht nga Millosheviqi. Jashari ishte një nga politikanet më të guximshme, që as dorën për përshëndetje, në një takim, nuk ia ka dhënë Millosheviqit.

Nga kjo kohë nga serbët lind termi “Shqiptar i ndershëm”, që nënkupton shqiptarët luajalë ndaj politikave të Millosheviqit. Dhe, në pushtet ata i vendoste politika serbe.

Millosheqi dhe Vllasi në Fushë Kosovë (1987)

Derisa Millosheviqi këtë vit niste një marsh të çmendurisë që do të shkaktojë luftë në Slloveni, në Kroaci, në Bosnje e Hercegovinë dhe në Kosovë (10 vite më vonë), presidenti amerikan, Ronald Reagan, po ndërmerrte politikat që do ta bëjnë botën vend më të sigurt.

Më 12 qershor, gjatë një vizite në Berlin, ai mban një nga fjalimet më të fuqishme të dekadës, teksa i drejtohet liderit sovjetik, Mikhail Gorbachev, me këto fjalë: “Sekretari i Përgjithshëm Gorbachev, nëse kërkoni paqe, nëse kërkoni prosperitet për Bashkimin Sovjetik dhe Evropën Lindore, nëse kërkoni liberalizim: Ejani në këtë portë! Z. Gorbachev, hapeni këtë portë! Z. Gorbachev, shembeni këtë mur”!

Me sovjetikët ai do të nënshkruajë një traktat që do të eliminojë raketat nukleare dhe ndezësit në domenin prej 500 -1,000 dhe 1,000-5,500 kilometrave. Deri më 1991 do të eliminohen 2,692 raketa të tilla.

Reagan në Berlin

Më 7 nëntor, pushtetin në Tunizi do ta merr Zine El Abidine Ben Ali. Me përmbysjen e tij më 2011, do të nisë vala e kryengritjeve që do të njihet si “Pranvera arabe”. Shtetet që i prek ky ndryshim më shumë janë, pos Tunizisë, edhe Libia, Egjipti, Jemeni, Bahrejni dhe Siria (që vazhdon të jetë në një luftë të brendshme të përgjakshme).

Këtë vit do të vdesin aktorët e njohur, si: Rita Hayworth, Fred Astaire, John Huston, Lee Marvin dhe Mary Astor. Do të vdesë po ashtu edhe pop-artisti më i njohur, Andy Warhol, i cili gjatë një ekspozite të tij, më 1968 në Stoklohm të Suedisë, do ta thotë këtë fjalë “profetike”: “Në të ardhmen, secili do të jetë i famshëm për 15 minuta”.

Kjo thënie e tij ka sot vlerë më shumë se kurrë.

Andy Warhol

1997: KAOS NË SHQIPËRI, LUFTË NË KOSOVË

Më 1997, shteti shqiptar ra. Një lëvizje antiqeveritare do të nis në Lushnjë më 24 janar, e do të përfundojë më 24 korrik me dorëheqjen e Sali Berishës nga posti i presidentit. Shkak ishte falimentimi i skemave piramidale që treti 1.2 miliardë dollarë kursime të shqiptarëve.

Thuhet se të parën skemë piramidale në Shqipëri e instaloi më 1991, shqiptari i Kosovës, Hajdin Sejdia. Meqë ai fitoi, modelin e tij e ndoqën 24 kompani tjera. Shqiptarët ranë lehtë në grackë, nga lakmia për pasurim të shpejtë dhe të madh. Fjala është për dhënien e një sasie parash e marrjen e një sasie më të madhe nga përqindjet e larta të kthimit. Ndonëse Fondi Monetar Ndërkombëtar kërkonte të mbylleshin këto skema, Qeveria e Aleksandër Meksit e lejoi këtë veprimtari. E, kur kompanitë falimentuan dhe paratë humbën, vendi u zhyt në kaos. Ushtri nuk kishte, as polici. Shteti ra nën kontrollin e bandave.

Shqipëria nën sundimin e rrugaçëve (Banda e Cërrikut, Banda e “Mandelës”, Banda e “Kakamit”, Banda e “Çobenëve”, Banda e “5 Dyqaneve”, Banda e Rrugës së Kavajës, Banda e Lushnjës, Organizata e Dritan Dajtit, Organizata “Hakmarrja Për Drejtësi”, Organizata e Kinostudios, Banda e Altin Dardhës, Banda e Fisit “Kola”, Banda e Fisit “Dedja”, Organizata e Gjergj Gushalit, Banda e Tan Kateshit, Banda e Zani Caushit, Organizata e Lul Berishës, Grupi “Kokaina”, Banda e Jaupëve, Banda e Otllakut, Grupi i e Nehat Kullës, Grupi i “Malokut”, Banda e Lul Cakës, Banda e “Loshit Të Karbunarës”, Grupi i Rrugës “Myslym Shyri”, Gripi i emiljano Shullazit).

Më 1997, fjala që u përdor është “rebel”. Kështu quheshin shqiptarët që shkatërronin shtetin e që në fakt në mars vendin e sollën në gjendjen e luftës civile. Në këtë kaos vdesin afro 4,000 shqiptarë. Bashkim Gazidede, shef i SHIK-ut, akuzoi shërbimin sekret amerikan CIA, atë grek Asphalia dhe atë jugosllav UDB se kishin nxitur dhe financuar rebelët.

Fatos Nano dhe Bashkim Fino

Me 9 mars formohet Qeveria e Pajtimit Kombëtar me në krye Bashkim Finon, kryetar i deriatëhershëm Gjirokastrës. Më 11 mars krijohet Komiteti i Jugut që kërkon dorëheqjen e Berishës dhe shpalljen e Vlorës kryeqytet të vendit. Vlora në fakt ishte në duar të kriminelit Zani Çaushi. Aq i paaftë ishte shteti, sa që Çaushit i besohet mbrojtja e kryeministrit italian, Romano Prodi, gjatë vizitës që i bëri Vlorës më 13 prill të këtij viti.

Më 13 mars lirohen nga burgu Fatos Nano e Ramiz Alia. Më 28 mars Kombet e Bashkuara miratojnë Rezolutën 1101 për ndihmë humanitare ndaj Shqipërisë. Të njëjtën ditë do të ndodhë edhe ajo që njihet si Tragjedia e Otrantos. Më 28 mars, nga brigjet e Vlorës drejt Italisë nisen 115 persona, me anijen që kishin rrëmbyer rebelët, të quajtur “Kateri i Radës”. Anija u fundos pas një goditjeje nga një anijeje luftarake italiane, në ujërat e Otrantos. 81 vetë u mbytën. Shumica në anije ishin njerëz familjarë që donin të iknin nga tmerri që kishte kapluar Shqipërinë.

Më 15 prill, misioni ndërkombëtar Alba, me afro 7,000 ushtarë, arrin në Shqipëri për të rikthyer rendin dhe ligjin në vend. Zgjedhjet e 29 qershorit të cilat u zhvilluan në kushte jonormale, u fituan nga Partia Socialiste. Berisha dha dorëheqjen dhe Kuvendi i ri zgjodhi president Rexhep Mejdanin i cili mandatoi Nanon si kryeministër të ri.

Simbol i rebelëve u bënë tre gishta (si të serbëve)

Në këtë vit krize, Leka Zogu, i biri i Ahmet Zogut, kthehet në Shqipëri. Në Tiranë defilon me uniformë ushtarake. Ai kërkon referendum popullor për kthimin e monarkisë në vend. Por, kur dy të tretat votojnë kundër, e organizon një demonstratë ku akuzon për manipulime të rezultatit. Nga përplasja e demonstruesve me policinë, pesë persona mbeten të vrarë. Leka iki sërish nga Shqipëria.

Leka Zogu në Tiranë

Anarkia në Shqipëri thelloi edhe më shumë ndarjet veri-jug, gegë e toskë. Kësaj i kontribuoi politika, duke e identifikuar veriun me Partinë Demokratike dhe jugun me Partinë Socialiste. Shkrimtari Ismail Kadare, për këtë situatë atëherë ka thënë: “Ora e Shqipërisë ishte kthyer prapa në luftën civile midis nacionalistëve dhe komunistëve në vitet 1943-44”. Ndërkaq, akademiku Rexhep Qosja e ka quajtur: “Revolucion i vonuar demokratik”!

Nga kaosi në Shqipëri, veriu mbeti praktikisht i pakontrolluar. Dhe, nga kjo pjesë e Shqipërisë, do të bëhet furnizimi më i madh me armë për luftën që do të nis në Kosovë.

Anija “Kateri i Radës”

Më 31 janar, në një pritë nga forcat serbe bien dëshmorët e parë të luftës së fundit çlirimtare në Kosovë, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha. Pajaziti ishte duke udhëtuar nga Prishtina në drejtim të Vushtrrisë, bashkë me Zejnullahu dhe Hoxhën. Forcat serbe u kishin vënë pritë në fshatin Pestovë. Në vitin 2008, në 11-vjetorin e rënies, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ua akordoi atyre dekoratën më të lartë shtetërore të Kosovës, Urdhrin Hero i Kosovës.

Më 6 maj të vitit 1997, Luan Haradinaj, bashkë me vëllain Ramushin, me Fehmi Lladrovcin, Xhevë Krasniqin-Lladrovcin, Ilaz Kodrën, Abedin Rexhën, Selim Krasniqin, Rafet Ramën, Ramiz Lladrovcin, Emrush Xhemajlin, Ali Ahmetin, Gani Ramën e të tjerë, ishin nisur për të kaluar kufirin afër fshatit Vlahne të Hasit, në drejtim të Kuzhinit. Atë ditë forcat serbe u kishin zënë pritë. Luani, i cili u printe bashkëluftëtarëve, vritet pa i mbushur 24 vjet. Me këtë rast plagoset rëndë Rafet Rama, e më lehtë Ramush Haradinaj dhe Fehmi Lladrovci.

Hakif Zejnullahu, Zahir Pajaziti dhe Edmond Hoxha

Kosova ishte nën pushtim klasik. Mësimi mbahej nëpër shtëpi. Për të kundërshtuar këtë gjendje dhe për të kërkuar të drejtën për t’u kthyer në objektet universitare, organizohet një protestë paqësore e studentëve. Protesta nis në lagjen “Velania” të Prishtinës. Kjo lagje atë ditë ishte e rrethuar nga forcat policore. Forcat e tilla ishin në çdo kryqëzim të Prishtinës. Veç në “Velani” thuhet se ishin mbi 400 policë. Numri i studentëve thuhet të ketë qenë mbi 15 mijë. Por, marshi drejtë objekteve të Universitetit do të ndërpritet dhunshëm nga forcat policore serbe.

Këto protesta, tok me aktivitetet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), do të shënojnë një moment kthese në historinë e Kosovës. Për këto zhvillime, New York Times në tetor 1997 do ta botojë artikullin me titullin: “Shkëndija e rrezikshme në Kosovë”. “Uashingtoni që ka premtuar t’i mbajë sanksionet ekonomike ndaj Serbinë derisa të rikthehen të drejtat e Kosovës, ka bërë mjaft për të ndihmuar, por kjo nuk është e mjaftueshme. Një vit më parë, z. Millosheviq u pajtua me reformat arsimore që do të lejonin mësimin në gjuhën shqipe. Asgjë nuk ka ndodhur. Uashingtoni duhet të shtojë presionin mbi Beogradin për të realizuar këtë dhe reformat e tjera, veçanërisht duke i dhënë fund burgjeve arbitrare dhe rrahjeve. Nuk ka pothuajse asnjë prani të huaj në Kosovë. Vëzhguesit janë të nevojshëm, si dhe një i dërguar i posaçëm amerikan në Kosovë”, thuhet në këtë artikull.

Pamje nga protesta e 1 tetorit 1997: Muhamet Mavraj, Bujar Dugolli, rektori Ejup Statovci, Driton Lajçi dhe Albin Kurti

Më 1996, javorja britanike “The European” botoi artikullin e një eksperti ushtarak francez që thotë se “shërbimi inteligjent, civil dhe ushtarak gjerman, është përfshirë në trajnimin dhe pajisjen e kryengritësve me qëllim për të shtuar ndikimin e Gjermanisë në Ballkan… Lindja e UÇK-së më 1996 koincidon me emërimin e Hansjoerg Geigerit në krye të BND-së (shërbimi sekret gjerman)”. Po këtë vit, përfaqësuesit e UÇK-së thuhet se takojnë pjesëtarët e shërbimeve sekrete të SHBA-ve, Britanisë së Madhe dhe Zvicrës. The Sunday Times do të shkruaj se “agjentët amerikanë kanë pranuar se kanë trajnuar UÇK-në para bombardimeve të NATO-s më 1999”.

Në fakt, UÇK kishte ndërmarr aksione kundër stacioneve policore serbe. Duket e çuditshme, po kur mediat serbe i transmetonin lajmet për këto sulme, shumica e shqiptarëve besonte se këto janë inskenime të Serbisë. I tillë ishte perceptimi edhe për, p.sh., shpërthimin e veturës të rektorit të dhunshëm të Universitetit të Prishtinës, antishqiptarit Radivoje Papoviq, më 16 janar 1997 (Papoviqi i mbijetoi atentatit).

Emblema e UÇK-së (në fillim është përdorur emblema e Ushtrisë shqiptare)

Këtë vit do të arrestohet dhe dënohet Nait Hasani me 48 vite burg. Por, meqë sipas ligjit penal te Jugosllavisë së atëhershme dënimi maksimal ishte 20 vjet, Hasani dënohet me 20 vjet burg të rëndë. Në qershor 1998, në qelinë e burgut në Prishtinë atij i vjen për vizitë ministri serb i Drejtësisë që e pyet. “Çfarë mendon të bësh pas 20 viteve?”, thuhet ta ketë pyetur serbi. Naiti i përgjigjet: “Jo pas 20 viteve, por pas një kohe shumë të shkurtër unë do të jem i lirë e ju do të jeni të burgosur”. Në mesin e të dënuarve ishte edhe Bislim Zogaj (në mungesë, meqë nuk mund ta arrestonin, u dënua edhe Adem Jashari).

Më 16 tetor 1997, në Kliçinë do të vritet pjesëtari tjetër i UÇK-së, Adrian Krasniqi. Ai vritet gjatë një sulmi në stacioni policor. Në këtë sulm, bashkë me të kanë qenë edhe Mujë Krasniqi, Ilir Konushevci dhe Qerim Kelmendi. Adriani ishte i veshur me uniformë ushtarake.

Pamje nga gjykimi i Nait Hasanit

Serbia ushtronte dhunë e terror në Kosovë. Njerëzit rriheshin, arrestoheshin dhe dënoheshin në mënyrë arbitrare. Mijëra e mijëra marrin rrugën e kurbetit. Ndërsa, ata që rrinin, shumica prej tyre jetonin në varfëri të madhe, meqë pjesa dërrmuese e shqiptarëve ka kohë që ishte pushuar nga puna në organizatat dhe kompanitë shtetërore. Mbijetesa varej nga ndihmat e mërgatës. Ndaj, pos rezistencës paqësore që përfaqësohej nga Ibrahim Rugova, tash si opsion tjetër shpëtimi shihej edhe lufta e armatosur.

Kështu, më 25 nëntor 1997, forcat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës sulmuan forcat e policisë në Vojnik të Skenderajt. Të nesërmen, më 26 nëntor, një ekspeditë ndëshkimore me 10 automobila e mjete të tjera të motorizuara u drejtuan për në ketë fshat. Pas katër orë luftimesh, forcat serbe u tërhoqën. Në tërheqje e sipër, filluan të qëllojnë. Në shkollën e fshatit Llaushë, plumbat e tyre do të vrasin mësuesin Halit Geci.

Në varrim të Gecit, në emër të LDK-së e Ibrahim Rugovës, do të marrë pjesë edhe Fatmir Sejdiu. Ai aty do të thotë: “Pavarësisht intensitetit dhe dhunës dhe terrorit, nuk mund të na ndalin në rrugën pavarësisë, të cilën e kemi filluar dhe këmbëngulim se do ta realizojmë… Ju thërras që të këmbëngulim rrugën e filluar”!

Pamje nga varrimi i Halit Gecit

Varrimi i mësuesit Halit Gecit do të mbahet mend për diçka tjetër: daljen publike të UÇK-së. Në fshatin Aqarevë, një ditë më parë është marrë ky vendim. Qëllimi ishte që turmave t’ju dedikohet një fjalim që do të ishte si një thirrje për mobilizim dhe përgatitje për luftë. Kështu, para masave dolën Rexhep Selimi, Daut Haradinaj dhe Mujë Krasniqi. Fjalimin që e mbajti Selimi – që kishte maskë në fytyrë – ishte ky:

“Vëllezër dhe motra, nëna dhe baballarë, të afërm të vëllait tonë Halit Gecaj!

Në emër të Ushtrisë për çlirimin e Kosovës u shprehim ngushëllime të sinqerta dhe ju njoftojmë se e ndajmë dhembjen me ju. Populli shqiptar në trojet e veta, këtu në Kosovën e robëruar, nëpër vite e dekada ka provuar mbi supet e veta shtypjen dhe dhunën më çnjerëzore nga pushtuesit serbë.

Na u vranë, na u burgosën e na u masakruan bijtë dhe bijat më të mira të popullit tonë të pambrojtur.

Një nga këto veprime të dhunës së territorit serb është edhe vrasja e mësuesit tonë të nderuar Halit Gecaj nga Llausha, si dhe vrasja barbare e Ismet Gjocajt nga Deçani. Vrasje, dhunë, diskriminime e terror shtriu mbi këtë popull pushtuesi serb. Ai vrau fëmijë, të rinj, mësues nëpër shkolla, bujq nëpër ara. Vrau ç’nuk vrau.

Po një ditë nga gjiri i këtij populli lindi Ushtria Çlirimtare e Kosovës, si e vetmja forcë serioze për realizimin e idealeve dhe aspiratave të popullit tonë për bashkimin tonë kombëtar. Në radhët e kësaj ushtrie radhiten bijtë dhe bijat më të mirë të popullit, ata që jetën ia kushtuan lirisë.

UÇK-ja ka katër vite që u vu në ballë të luftës për çlirimin e Kosovës. Ka ndërmarrë disa aksione çlirimtare kundër pushtuesve nëpër pikat më të ndjeshme të tij si dhe kundër bashkëpunëtorëve të tij shqipfolëse, kolaboracionistëve. Grushti i drejtësisë, grushti i forcës, grushti i popullit do të bjerë mbi ta. Mbi cilindo që merr guximin të shkelë idealet e shenja të popullit tonë.

Lufta jonë e shenjtë do të zhvillohet deri në çlirim, deri në bashkimin tonë kombëtar. Një nga përpjekjet tona kundër armikut ishte edhe beteja e para do ditshme në fshatrat e Drenicës. Aty armiku pati dëme të mëdha materiale dhe në njerëz, prandaj u detyrua të tërhiqej kokulur. Në pamundësi t’ju vihet përballë forcave tona, vrau njerëz të pafajshëm, shtiu mbi shtëpi e shkolla.

Vëllezër, në skenën tonë politike kanë dalë mjaft parti politike e shoqata të cilat flasin gjoja në emër të mbrojtjes së interesave të popullit. Disa prej tyre mundohen ta degradojnë luftën tonë të shenjtë me qëndrimin e tyre pacifistë. Atyre u themi mjaft! Mjaft se një ditë do t’ju mallkojë historia!

Gjaku i të rënëve le të na bëhet urë që do të na bashkojë të gjithëve rreth Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të na bashkojë të gjithëve në luftën për çlirimin e Kosovës se vetëm kështu trojet tona do ta shohin dritën e lirisë.

Lavdi të rënëve për liri!”.

Dalja e parë publike e UÇK-së: Daut Haradinaj, Rexhep Selimi dhe Mujë Krasniqi

Më 1997 do të lind fituesja e çmimit Nobel për Paqe, Malala Yousafzai, ndërsa do të vdesë fituesja e çmimit të njëjtë, shqiptarja Gonxhe Bojaxhiu – Shën Tereza e Kalkutës.

Në Kinë do të vdesë politikani që nisi reformat ekonomike me të cilat e hapi shtetin e tij ndaj botës, Deng Xiaoping. Po ashtu, këtë vit do të vdesin: përfaqësuesi kryesor Bit Gjeneratës, Allen Gingsberg; këngëtarët Jeff Buckley, Michael Hutchence dhe John Denver; eksploruesi i madh, Jacques Cousteau; aktorët Robert Mitchum, James Stewart dhe Toshiro Mifune që ka shkëlqyer në filmat e regjisorit të madh, Akira Kurosawa; si dhe Princesha e Uellsit, Diana, varrimi i së cilës do të ndiqet nga dy miliardë njerëz në botë.

Më 1997 Steve Jobs kthehet në kompaninë që kishte themeluar, Apple, ndërsa Microsoft do të blejë 150 milionë dollarë aksione të kësaj kompanie që ballafaqohej me probleme të mëdha financiare.

Muzikanti francez, Jean Michel Jarre, në Moskë do të thyejë rekordin e vet me 3.5 milionë njerëz në koncert. E, në Maqedoni, pas bashkimit të Partisë për Prosperitet Demokratik dhe Partisë Demokratike Popullore, formohet Partia Demokratike Shqiptare. Lider i saj bëhet Arbër Xhaferi.

Tony Blair, Madeleine Albright dhe Bill Clinton

Këtë vit në Britani të Madhe dhe në SHBA do të bëhen emërimet në poste të njerëzve që do ta shpëtojnë popullin shqiptar të Kosovës. Pas 18 vitesh, në Britani të Madhe pushtetin e marrin laburistët, me Tony Blairin si kryeministër. Ndërsa, në SHBA, Bill Clinton do ta japë betimin e mandatit të dytë si president, e Madeleine Albright do të jetë e para femër në postin e sekretarit të Shtetit. Këta tre emra do të jenë vendimtarë për lirinë e Kosovës.

Po ashtu, më 1997 ishte përvjetori i parë i ngjarjes që shihej si shpresë për shpëtimin e shqiptarëve: hapjes së Zyrës Kulturore Amerikane, shef i së cilës ishte Michael McClellan. Për këtë ngjarje Rugova ka thënë: “Sot e kemi një shtëpi të bukur amerikane në Kosovë. Tash kemi festuar ditëlindjen e parë të saj”.

Michael McClellan

2007: KOSOVA NË PRAG TË PAVARËSISË, BOTA NË PRAG TË EPOKËS SË RRENAVE

Më 24 janar, Asambleja e Këshillit të Evropës miraton Rezolutën 1533 në lidhje me statusin përfundimtar të Kosovës. Disa nga nenet e projektrezolutës u hoqën për shkak se disa shtete votuan kundër. Njëri nga nenet ishte dhe ai për pavarësinë, ku thuhej se Kosova duhet të merr pavarësi për të siguruar paqe në Ballkan. Rezoluta që u miratua nuk përmbante fjalën pavarësi, por thoshte se një zgjidhje e negociuar preferohet nga ky këshill dhe nëse kjo zgjidhe nuk arrihet atëherë është nevojshme që zgjidhja përfundimtare të imponohet.

Më 2 shkurt, Martti Ahtisaari prezanton draft-planin e tij në Prishtinë dhe në Beograd, për pavarësinë e kushtëzuar të Kosovës. Plani i tij përfshinte masa për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të bashkësive the anëtarëve të tyre, decentralizimin dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore e fetare. Për më tepër, marrëveshja përshkruan masa kushtetuese, ekonomike dhe sigurie të cilat synojnë të kontribuojnë në zhvillimin e një Kosove shumetnike. Një element i rëndësishëm është mandati që i jepet një prezence ndërkombëtare civile dhe ushtarake në Kosovë, për të mbikëqyrur zbatimin e Marrëveshjes dhe për të ndihmuar autoritetet kompetente kosovare në sigurimin e paqes dhe stabilitetit në gjithë Kosovën. Dispozitat e Marrëveshjes do të kenë përparësi mbi të gjitha dispozitat e tjera ligjore në Kosovë.

Martti Ahtisaari dhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon

Më 10 shkurt, Lëvizja Vetëvendosje organizon protestë në Prishtinë kundër Pakos së Ahtissarit. Policia u përgjigj me dhunë ndaj protestuesve. Dhjetëra të nga ta u lënduan. Dy persona kanë vdekur nga plagët që morën prej plumbave të shkrepur nga policët rumunë të UNMIK-ut. Të vdekurit ishin Arben Xheladini (1972) nga Prishtina dhe Mon Balaj (1976) nga Besiana. Më 12 shkurt, ministri Brendshëm i Kosovës, Fatmir Rexhepi, jep dorëheqje. Ai thotë se ndjen përgjegjësi morale edhe pse policët e UNMIK-ut nuk ishin nën kontroll të tij. Më 14 shkurt 2007 jep dorëheqje edhe Stephen Curtis, shef i policisë ndërkombëtare në Kosovë, pas kërkesës së kryeadministratorit Joachim Ruecker.

Më 10 mars përfundojnë negociatat në Vjenë, meqë pala shqiptare e ajo serbe kanë qëndrime të kundërta. Më 15 mars, bashkëpunëtori i Martti Ahtisaarit, Albert Rohan, ia dorëzon OKB-së propozimin për statusin e Kosovës. Ndërsa, më 26 mars, Ahtisaari ia dërgon raportin përfundimtar Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Në raport thuhet se Kosova duhet të bëhet e pavarur. Propozimi i Ahtisaarit do të aprovohet nga Kuvendi i Kosovës më 5 prill. Pro pavarësisë flasin shtetet më të fuqishme në botë: SHBA-të, Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania. Më 15 maj, sekretarja amerikane e shtetit, Condoleezza Rice, në Moskë do të thotë: “Kosova kurrë më nuk do të jetë pjesë e Serbisë. Kjo është e pamundur”!

Pamje nga protesta e 10 shkurtit 2007

Më 13 qershor, Ekipi i Unitetit shpall konkursin 15-ditor për flamurin dhe stemën e Kosovës, ku thuhet se “secili propozim duhet t’i përmbahet frymës dhe përmbajtjes së propozimit gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës”. Më pas thuhet se nuk duhet të përdoret cilindo simbol shqiponje dhe se nuk duhet përdorur ngjyrat kuq e zi (për shkak të flamurit të Shqipërisë).

Pavarësia e Kosovës nis të quhet rast unik në botë, apo sui generis!

Këtë vit, më 17 nëntor 2007, në Kosovën mbahen zgjedhjet parlamentare. Rezultatet ishin këto: Partia Demokratike e Kosovës fiton 196,207 vota (34.3 për qind); Lidhja Demokratike e Kosovës fiton 129,410 vota (22.6 për qind), Lidhja Demokratike e Dardanisë fiton 57,000 vota (10 për qind), Aleanca Kosova e Re fiton 70,165 vota (9.6 për qind) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës fiton 54,611 vota (9.6 për qind). Qeveria e ardhshme do të formohet nga PDK dhe LDK.

Takimi i UNMIK-ut me ambasadorët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së

Më 8 janar, presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, kritikon klasën politike që nuk merrej vesh për zgjedhjet lokale, me këto fjalë: “Me një sjellje të pashembullt, që reflekton sa papërgjegjshmëri dhe arrogancë, aq edhe mungesë vullneti dhe besimi reciprok, klasa politike ka dështuar në gjetjen e konsensusit”.

20 janari si datë për zgjedhjet, do të zhvendoset më 18 shkurt. Vëmendja përqendrohet në betejën për Tiranën, ku ballafaqoheshin socialisti Edi Rama dhe demokrati Sokol Olldashi. Rama fiton për të tretën herë në Tiranë.

Problem tjetër ishte edhe zgjedhja e presidentit të ri. Me ndihmën e Fatos Nanos, president zgjidhet nënkryetari i Partisë Demokratike, Bamir Topi.

Por, ngjarja më e madhe e Shqipërisë, dhe në përgjithësi për shqiptarët, ishte vizita që më 10 qershor bëri në Shqipëri, presidenti amerikane George W. Bush. Gjatë vizitës ai tha në mënyrë të qartë se çështja e Kosovës do të mbyllet me pavarësinë e saj. “Pavarësia është qëllimi. Kjo është ajo që populli i Kosovës duhet ta dijë”, ka thënë Bush me këtë rast.

Bushi në Shqipëri

Lufta në Irak ishte ndër temat kryesore për vitin 2007, si dhe dërgimi i 30 mijë trupave tjera amerikane atje. Kjo luftë amerikane ishte objekt debatesh si brenda ashtu edhe jashtë SHBA-ve. Sepse, Iraku ishte shndërruar në një nga vendet më të rrezikshme në botë. Veç më 3 shkurt, kur një kamikaz hedh në erë një kamion të mbushur me një ton eksploziv në një lagje shiite të Bagdadit, do të vriten 130 persona e 305 do të plagosen.

Më 2007 pati luftime mes grupeve rivale palestineze, që në thelb shkaktuan ndarjen më dysh të territoreve: Hamasi kontrollonte Rripin e Gazës, ndërsa Fatahu e kontrollonte Bregun Perëndimor. Ndërsa, në Pakistan, presidenti Pervez Musharraf më në fund pranon të largohet nga posti i shefit të Ushtrisë. Këtë vit do të vritet ish-kryeministrja pakistaneze, Benazir Bhutto, bashkë me 20 persona tjerë gjatë një tubimi elektoral.

Benazir Bhutto

Në Birmani kishte protesta kundër juntës ushtarake. Protestat ishin të udhëhequra nga murgjit budistë dhe ato u shtypën dhunshëm. Emisari i OKB-së, Ibrahim Gambari, përpiqet vendosë dialogun mes ushtarakëve dhe opozitares Aung San Suu Kyi. Kjo e fundit, fituese e çmimit Nobel për Paqe, më 2017 është kryeministre e Birmanisë që do të hesht për krimet e pushtetit ndaj myslimanëve rohingia.

Në Rusi, Vladimir Putin tregoi se kur të largohet nga posti i presidentit në muajin mars, dëshiron që vendin e tij ta zë zëvendëskryeministri i parë, Dmitry Medvedev. Në anën tjetër, Medvedev tha se do të dëshironte që Putini të jetë kryeministër.

Dhuna në Sudan mbetet një nga shqetësimet më të mëdha humanitare. Rajoni i Darfurit vazhdon të jetë i dërrmuar nga konfliktet. Gjatë katër viteve të fundit, të paktën 200 mijë njerëz kanë vdekur dhe miliona të tjerë kanë mbetur pa strehë.

Darfur, 2007

Më 2007, ICQ ishte platforma (Messenger) më e popullarizuar për komunikim në internet. Nga ky vit nis përdorimi masiv i rrjeteve sociale, ndërsa platforma WordPress lejonte secilin të krijonte shumë lehtë një faqe interneti. Mu për këtë, më 2007 thuhet se nis epoka e re e lajmeve të rreme. Kësaj i ka ndihmuar edhe përdorimi i telefonave të zgjuar, sidomos pas 29 qershorit 2007 kur Steve Jobes prezanton gjeneratën e parë të produktit iPhone.

Steve Jobes me iPhone në dorë

2017: ZGJEDHJE PA ZGJIDHJE

Pushtetit të njeriut që sundoi për 37 vite në Zimbabve, Robert Mugabe, i erdhi fundi i turpshëm në pleqëri kur tanket e Ushtrisë dolën rrugëve të Harares. Teksa vendin e la në varfëri, paga e tij mujore ishte afro 19 mijë dollarë amerikanë, më e madhe se e liderëve të shteteve të zhvilluara, si Holanda, Sllovenia, Irlanda, Hungaria, Finlanda…

Në vitin 2017, në Birmani po ndodhin krime të tmerrshme. Rohingiat e besimin mysliman shkelen më shumë se çdo pakicë tjetër në botë. 400,000 nga ta u detyruan të lënë tokat e tyre e të ikin në Bangladesh. Vetëm në gusht e shtator janë vrarë afro shtatëmijë nga ta.

Refugjatët rohingia

E 2017-ta shënon fillimin e fundit të grupit terrorist të njohur si Shteti Islamik (ISIS), ndërsa në Arabinë Saudite nisin reforma nga princi Mohammad bin Salman që për qëllim kanë eliminimin e korrupsionit dhe modernizimin e shoqërisë.

Një nga rrezikuesit më të mëdhenj për paqen në botë ishte Koreja e Veriut me kërcënimet e saja për përdorimin e armëve bërthamore. Në anën tjetër, ishte vendosmëria amerikane për kundërpërgjigje ndaj sulmeve eventuale, deri në zhbërje të këtij shteti. Raportet e mediave dhe të analistëve thoshin se bota kurrë më afër një lufte nukleare nuk ka qenë. Pos këtyre zhvillimeve, bota po ngrohet edhe më shumë, e fuqia më e madhe në botë, SHBA-të, nuk bën gjë për ta “ftohur”. Në fakt, lideri i këtij shteti, Donald Trump, anulon pjesëmarrjen në Marrëveshjen e Klimës të Parisit, ndërsa nxit tensione tjera në Lindjen e Afërt kur pranon Jerusalemin si kryeqytet të ri të Izraelit.

Disa ngjarje të mëdha shënuan Evropën më 2017. Britania e Madhe nis procesin e largimit nga BE-ja, në Francë fiton Emmanuel Macron, e në Gjermani sërish Angela Merkel. Këtë vit marrin çdo herë e më shumë pushtet forcat e ekstremit të djathtë, ndërsa në Spanjë mbahet referendumi për pavarësinë e Katalunjës me çka pushteti qendror reagon duke caktuar zgjedhje të reja regjionale dhe duke shkarkuar qeverinë e duke anuluar autonominë e regjionit.

Mbështetësit e referendumit në Katalunjë

Në vitin 2017, Maqedonia hyri me një krizë politike, për shkak të vështirësisë për të formuar qeverinë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 11 dhjetorit 2016. Më 27 prill, për herë të parë kryetar i Parlamentit të Maqedonisë do të emërohet një shqiptar, Talat Xhaferi. Nga emërimi i tij u tërbuan anëtarët e iniciativës të ashtuquajtur “Për Maqedoni të përbashkët”, duke sulmuar Kuvendin e duke u lënduar afro 100 persona. Më 17 maj, presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, ia dorëzoi mandatin Zoran Zaevit, liderit të Lidhjes Social-Demokratike të Maqedonisë (LSDM) për të formuar qeverinë e re në Maqedoni. Më 2 nëntor ndodh dënimi i 37 të akuzuarve për luftimet në maj 2015 në Kumanovë. Ata morën dënim me burg prej 12 deri në 40 vjet.

Talat Xhaferi

Ndërkohë, më 18 shkurt, opozita në Shqipëri e udhëhequr nga Partia Demokratike, nisi protestën që zgjati tre muaj në çadrën e vendosur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë. Kërkesa e tyre ishte dorëheqja e Qeverisë së Edi Ramës, krijimi i një qeverie teknike dhe organizimi i zgjedhjeve parlamentare.

Më 28 prill, Ilir Meta zgjidhet president i vendit. Më 25 qershor mbahen zgjedhjet parlamentare. Partia Socialiste e Shqipërisë fiton duke siguruar 70 deputetë. Partia Demokratike fitoi 43 mandate; Partia Lëvizja Socialiste për Integrim – 19 mandate; Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet – tri mandate; dhe Partia Social Demokrate – një mandat. Më 9 shtator, Gramoz Ruçi i Partisë Socialiste zgjidhet kryetar i Kuvendit të Shqipërisë. E, më 13 shtator, Edi Rama merr votëbesimin e deputetëve për mandatin e dytë qeverisës.

Më 27 nëntor, Qeveria e Republikës së Shqipërisë dhe Qeveria e Kosovës kanë mbajtur mbledhjen e katërt të përbashkët në qytetin e Korçës, ndërsa në përfundim të saj u nënshkruan disa marrëveshje dhe protokolle bashkëpunimi të cilat kurrë nuk po japin ndonjë zbatim e as rezultat.

Pamje nga protesta e opozitës në Shqipëri

Viti 2017 ishte me shumë të papritura në Kosovë. Më 4 janar, kryetari i Partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ndalohet nga autoritetet franceze, bazuar në një urdhërarrest të Serbisë të lëshuar në vitin 2004. Ai do të lirohet 27 prill.

Më 14 janar ndodh një provokim: nga Serbia niset një tren, me qëllim të lansimit të linjës hekurudhore Beograd-Mitrovicë. Ky veprim u vlerësua nga pala kosovare si një provokim i rëndë, meqë në tren kishte shënime se Kosova është Serbia. Treni nuk hyri e të gjithë në Kosovë nisën të shtyhen se e ndalën trenin. Por, e vërteta është se treni u ndal nga… makinisti! Edhe më 4 shkurt nisi një tjetër “betejë” për merita: shembja e një muri ilegal në veri të lumit Ibër. Ç’është e vërteta, çdo ditë trenat vijnë nga Serbia në veri të vendit, ndërsa ai muri nuk është se u zhduk krejt!

Provokimet nga Serbia nuk kanë të ndalur – i ashtuquajturi “Treni rus”

Më 7 mars, presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, inicioi projektligjin për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), i cili parasheh ndryshimin e mandatit ekzistues të kësaj force në Ushtri të Kosovës. Por, u tërhoq, sepse ndërkombëtarët thanë që Ushtria duhet të formohet me ndryshime kushtetuese.

Më 10 maj bie Qeveria e udhëhequr nga Isa Mustafa. Kosova u fut në valë të re zgjedhjesh.
Më 11 qershor mbahen zgjedhjet e parakohshme të Përgjithshme në Republikën e Kosovës, ku garuan 26 subjekte politike: 19 parti politike, pesë koalicione dhe dy nisma me gjithsej 971 kandidatë. Rezultatet ishin këto: Koalicioni PAN (PDK-AAK-NISMA) fitoi 33,74 për qind të votave (39 deputetë); Lëvizja Vetëvendosje fitoi 27,49 për qind të votave (32 deputetë); koalicioni LAA (LDK-AKR-Alternativa) fitoi 25,53 për qind të votave (29 deputetë). Ndërkaq, 20 deputetë janë nga partitë e minoriteteve.

Vendi u fut në një ngërç të ri i cili zgjidhet tek më 7 shtator kur Kadri Veseli, kryetar i PDK-së, u zgjodh kryetar i Kuvendit të Kosovës. Ndërsa, më 9 shtator, Ramush Haradinaj mezi zgjedhjet kryeministër – me 61 vota pro. Qeveria e re e Kosovës, më e brishta deri sot u formua nga koalicioni i këtyre partive: Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), NISMA për Kosovën, Aleanca Kosova e Re (AKR) dhe Lista Serbe.

Transformimi i FSK-së do të jetë temë edhe e vitit 2018

Më 22 tetor u mbajtën zgjedhjet lokale në 38 komuna të Kosovës. Në këto zgjedhje morën pjesë 91 subjekte politike, prej tyre një koalicion, 35 parti politike, 30 iniciativa qytetare dhe 25 kandidatë të pavarur. Pas balotazhit të mbajtur më 19 nëntor, rezultati ishte ky: LDK fiton tetë komuna (Pejë, Lipjan, Fushë Kosovë, Viti, Gjilan, Istog, Podujevë, Vushtrri), AAK fiton shtatë komuna (Deçan, Junik, Gjakovë, Klinë, Obiliq, Suharekë, Rahovec), PDK fiton pesë komuna (Drenas, Dragash, Kacanik, Shtime, Ferizaj), Vetëvendosje fiton tri komuna (Prishtinë, Prizren, Kamenicë), Nisma fiton në Malishevë, AKR në Mitrovicën e Jugut, ndërsa dy kandidatë të pavarur fitojnë në Skenderaj (Bekim Jashari) dhe Han të Elezit (Refki Suma). E, Lista Serbe fiton nëntë komuna.

Madagaskari dhe Bangladeshi njohin pavarësinë e Kosovës. Ndërsa, në dhjetor, Kosova rrezikon raportet me miqtë ndërkombëtar nga një nismë për të shfuqizuar Gjykatën Speciale. Vendi po ashtu nuk e ka zgjidhur çështjen e demarkacionit me Malin e Zi. Në prag të 10-vjetorit të pavarësisë, Kosova vazhdon të jetë vendi më i izoluar në Evropë e me perspektivën më të zymtë si rezultat i papunësisë e nivelit të lartë të korrupsionit.

Ekonomia globale ka shënuar rritje këtë vit, ndërsa risi ishte rritja e vlerës së kripto-valutave.

Më 2017 vdiqën aktorët Jerry Lewis dhe Roger Moore (i cili në vitet 1973-1985 luajti në gjashtë filma të James Bondit), muzikantët Chuck Berry, Fats Domino dhe Tom Petty, publikuesi i revistës Playboy, jetën e të cilit shumëkush e ëndërronte – Hugh Hefner; regjisori Jonathan Demme; diplomatët Zbigniew Brzezinski dhe njeriu që bashkoi Gjermaninë, Helmut Kohl; albanologu Robert Elsie; aktorët e Kosovës, Hadi Shehu dhe Blerim Peci; shkrimtarët Ramiz Kelmendi, Dritëro Agolli e Murteza Xajë Nura…

Pamjet e shpeshta të kërkuesve të vizës, para ambasadave perëndimore në Prishtinë

2027: MUGABE?

Emrat që përmenden më 1997, dominuan skenën politike të Kosovës deri më 2017. Mugabe, i lindur më 1924, tashmë është i vdekur. Kjo është e sigurt! Mbase…!?

Në trend Botë

Më shumë
Urdhër arresti për Netanyahun, reagon BE-ja: Ky nuk është një vendim politik, por i drejtësisë

Urdhër arresti për Netanyahun, reagon BE-ja: Ky nuk është një vendim politik, por i drejtësisë

Evropa
Netanyahu reagon pas lëshimit të urdhër arrestit ndërkombëtar kundër tij

Netanyahu reagon pas lëshimit të urdhër arrestit ndërkombëtar kundër tij

Azia
Zëdhënëses së ministrisë së Jashtme ruse i cingëron telefoni në konferencë, dikush e urdhëron të mos flasë për sulmin me raketë ndërkontinentale në Ukrainë

Zëdhënëses së ministrisë së Jashtme ruse i cingëron telefoni në konferencë, dikush e urdhëron të mos flasë për sulmin me raketë ndërkontinentale në Ukrainë

Evropa
Shtatë vendet me ajrin më të pastër në botë

Shtatë vendet me ajrin më të pastër në botë

Botë
Pamje të reja të raketës balistike ndërkontinentale ruse që godet Ukrainën

Pamje të reja të raketës balistike ndërkontinentale ruse që godet Ukrainën

Evropa
Trump e emëroi për prokuror të përgjithshëm, Gaetz heq dorë pas presionit të publikut

Trump e emëroi për prokuror të përgjithshëm, Gaetz heq dorë pas presionit të publikut

Amerika
Kalo në kategori