Shqipe Selimi reagon pas protestës në Hagë: E domosdoshme në vendin e duhur

Në Hagë të Holandës të dielën mijëra shqiptarë nga diaspora, por edhe nga Kosova, protestuan duke kërkuar drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Protesta e 14 shtatorit u thirr nga mërgata shqiptare dhe u mbështet nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK).
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Selimi, njëherësh bashkëshortja e Rexhep Selimit, ka shprehur mbështetjen e saj për protestën e mbajtur të dielën në Hagë, ku po mbahen në paraburgim ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ajo e ka vlerësuar këtë protestë si të domosdoshme dhe të zhvilluar në vendin e duhur.
“Protestë e domosdoshme dhe në vendin e duhur! Shpreh mirënjohjen time dhe i falënderoj të gjithë qytetarët nga Kosova dhe nga mbarë bota që u bashkuan në Hagë, për të ngritur zërin kundër padrejtësive që po ndodhin në Hagë”, ka shkruar Selimi.
Që nga 4 dhe 5 nëntori 2020, që të katër të akuzuarit ndodhen në paraburgim në Hagë, ku janë Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Procesi gjyqësor ndaj tyre ka nisur më prill të vitit 2023. Në mbi dy vjet, Zyra e Prokurorit të Specializuar thirri në gjykatore 125 dëshmitarë si dhe ka paraqitur rreth 3.000 prova materiale.
ZPS-ja deklaroi më 16 prill se ka përmbyllur paraqitjen e provave ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte konfirmuar aktakuzën ndaj ish-krerëve të UÇK-së në tetor të vitit 2020, por e bëri publike vetëm një muaj më vonë./Telegrafi/


















































