Shkaku i shpërthimit të vullkanit Kilauea, në Ishullin e Madh të Hawaiit, po bien edhe ‘kristale të gjelbra’ me shiun.
Banorët po shfrytëzojnë rrjetet sociale, për t’i shfaqur gurët e pazakontë, që po i gjejnë nëpër hapësira të ndryshme, kryesisht ku ka hi vullkanik, transmeton Telegrafi.
“Në mesin e shkatërrimeve dhe stresit të pafund, njerëzit kanë nisur të gjejnë gurë gjithandej. Në kuptimin e plotë të fjalës, me shiun po bien edhe kristale. Natyra është e mahnitshme”, ka thënë meteorologu Erin Jordan.
Ende nuk dihet se çfarë janë këto gurë, por gjeologia Cheryl Gansecki nga Universiteti i Hawaiit, ka thënë për Mashable, se janë dy mundësi të krijimit të tyre.
“Lava që ka shpërthyer së fundmi, është shumë e pasur me minerale dhe këto mund të jenë Olivine. Mund të jenë edhe shtuf – strukturë që krijohet kur lava ftohet me shpejtësi – që ka mbetur pas dhe është përzier me reshjet”, ka thënë Gansecki.
Ekspertët kanë thënë se nuk janë gurët e njohur si Olivine, të cilët përdoren shumë në bizhuteri dhe shiten prej 450 euro për një gram.
Megjithëse ende nuk dihet çfarë janë apo sa është vlera e tyre, gurët po shiten me të madhe, kryesisht përmes internetit. /Telegrafi/