Në një atmosferë krejt ndryshe nga ajo që jemi mësuar të shohim në Çair, FC Shkupi zhvilloi ndeshjen e fundit të këtij sezoni në një stadium pothuajse të boshatisur dhe pa përkrahjen e tifo grupit të tyre më besnik, “Shvercerat”, të cilët e bojkotuan takimin ndaj Tikveshit, njofton Telegrafi.

Takimi përfundoi me barazim 1-1, rezultat që nuk ndryshoi shumë në renditje, por që foli shumë për situatën aktuale brenda dhe jashtë fushës së shkupjanëve. Shkupi, që paraprakisht kishte siguruar mbetjen në elitën e futbollit të Maqedonisë së Veriut, e zhvilloi ndeshjen pa ndonjë presion rezultati, ndërsa Tikveshit i mjaftonte edhe një pikë për të vazhduar garën drejt shmangies së balotazhit. Ishte Millovanoviç ai që realizoi i pari në minutën e 39-të nga pika e bardhë, ndërsa vetëm tre minuta më vonë Demir Imeri realizoi një gol të bukur për të barazuar shifrat.


Në pjesën e dytë, Shkupi krijoi disa raste të mira, madje një gol iu anulua për pozitë jashtë loje. Por edhe Tikveshi, në fundin e ndeshjes, pati rastin e vet të artë për fitore. Në fund, barazimi 1-1 la secilën skuadër me nga një pikë.

Ndërkohë, edhe në Strugë mungoi fituesi. Struga Trim Lum dhe AP Brera barazuan 1-1 në një tjetër përballje ku njëra skuadër (Struga) ishte e sigurt në tabelë, ndërsa tjetra (Brera) lufton për mbijetesë. Kehinde kaloi vendasit në epërsi, ndërsa Ndzengue barazoi për Brerën, me të dyja golat që u realizuan në pjesën e parë.

Barazim pa gola u regjistrua edhe në Kratovë mes Sileksit dhe Pelisterit, ndërsa Vardari mori tri pikë si mysafir, duke mundur Rabotniçkin me rezultat minimal 1-0.

Dy ndeshjet tjera, Besa – Voska dhe Gostivari – Shkëndija, përfunduan me rezultat zyrtar 3-0 për Besën dhe Shkëndijën, pasi Voska dhe Gostivari kishin tërhequr ekipet e tyre nga kampionati në fund të sezonit. Java e fundit e këtij edicioni do të zhvillohet më 18 maj, me fillim nga ora 17:00, ku pritet të zyrtarizohet përfundimisht renditja dhe ekipet që do të preken nga balotazhi apo rënia nga liga.  Shkëndija - Sileksi, AP Brera - Rabotniçki, Pelisteri – Besa, Tikveshi - Struga Trim & Lum. /Telegrafi/

Standings provided by Sofascore
telegrafi sport app