Një politikan brazilian është në paraburgim pasi hodhi granata ndaj policëve që erdhën në shtëpinë e tij në shtetin Rio de Zhaneiro për ta arrestuar.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Roberto Jefferson, një aleat i presidentit të ekstremit të djathtë Jair Bolsonaro, plagosi dy oficerë përpara se të dorëzohej të dielën.


Një gjykatës i Gjykatës së Lartë urdhëroi më parë ndalimin e tij për fyerje të kryetares së drejtësisë Carmen Lucia.

Ai ishte tashmë në arrest shtëpiak për kërcënimin e saj.

Ndërkohë Bolsonaro reagoi duke thënë se ata që qëlluan ndaj policisë duhet të arrestohen.

Siç bëhet e ditur më tej, dy oficerët u plagosën nga predhat gjatë sulmit në Levy Gasparian, në veri të kryeqytetit të shtetit Rio de Zhaneiro. Ata u dërguan në spital dhe më pas u liruan.

Jefferson, ish-udhëheqësi 69-vjeçar i partisë politike PTB, qëlloi gjithashtu një numër të shtënash nga një pushkë, duke thyer xhamin e përparmë të një makine policie.

Gjykatësi i Gjykatës së Lartë, Alexandre de Moraes, kishte urdhëruar ndalimin e politikanit me arsyetimin se ka shkelur kushtet e arrestit shtëpiak.

Tensionet politike janë të larta në Brazil përpara balotazhit të zgjedhjeve presidenciale të së dielës midis Bolsonaro dhe krahut të majtë Luiz Inácio Lula da Silva.

Lula - i cili ende shihet si kandidati kryesor - nuk arriti të arrijë 50% të votave të vlefshme për të parandaluar një balotazh në raundin e parë në fillim të këtij muaji. /Telegrafi/