Shkrirja e shtresës së akullit të Grenlandës ka kontribuar me 1.2 centimetra në rritjen e nivelit global të detit në pak më pak se 20 vjet.

Shtresa e akullit të Grenlandës ka humbur rreth 4,700 gigaton që nga fillimi i matjeve në prill të vitit 2002, mjaftueshëm “për të zhytur” të gjithë SHBA-në me gjysmë metri, tregojnë të dhënat satelitore nga programet Grace dhe Grace-FO deri në gusht 2021, shkruan Euronews, përcjell Telegrafi.


Të dhënat tregojnë se akulli po shkrihet, veçanërisht në bregun perëndimor të Grenlandës, postoi në Twitter këtë javë Polar Portal.

Një gigaton është e barabartë me 1 miliard ton.

Shtresa e akullit të Grenlandës mbulon katër të pestat e sipërfaqes totale të ishullit më të madh në Tokë.

Vetëm shtresa e akullit të Antarktidës është më e madhe.

Polar Portal është një platformë ku institucionet kërkimore daneze të Arktikut prezantojnë gjetjet mbi gjendjen e shtresës së akullit të Grenlandës dhe akullit të detit.

Grenlanda është kryesisht autonome, por zyrtarisht i përket Danimarkës.

Ishulli është veçanërisht i prekur nga ndryshimet klimatike, pasi Arktiku tashmë është ngrohur dukshëm më shumë se çdo rajon tjetër në tokë. /Telegrafi/