Shkëndija përforcon sulmin me Mazarin

Shkëndija, përpara dy ndeshjeve të vlefshme për “play-off”-in e Ligës së Evropës ndaj Ludogoretsit, ka qenë aktive edhe në afatin kalimtar dhe pasditen e sotme zyrtarizoi afrimin e saj të radhës, njofton Telegrafi.
Mazari rikthehet në elitën e futbollit të Maqedonisë, i cili te Shkëndija vjen nga radhët e skuadrës së Ligës së Parë kroate, Varazhdin. Marrëveshja mes klubeve është arritur për një huazim njëvjeçar.
Sulmuesi 24-vjeçar pati një periudhë jo shumë të suksesshme në Kroaci, ku sezonin e kaluar zhvilloi vetëm gjashtë ndeshje. Shkëndija e kishte ndjekur me vëmendje situatën dhe duket se afrimi i Mazarit do të ndihmojë shumë repartin ofensiv, sidomos nëse Tambe largohet drejt Turqisë.
Para aventurës Varazhdinin, Mazari për tre sezone me radhë ishte ndër lojtarët më të spikatur te Rabotniçki, ndërsa më herët ka luajtur edhe për Pobedën, Ohrin dhe Strugën. /Telegrafi/









































