Java e 20 e Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut u mbyll me duelin Shkëndija – Pelisteri, ku tetovarët dolën triumfues me rezultat 2-1, duke vazhduar betejën në garën për titull, njofton Telegrafi.

Skuadra e drejtuar nga Jeton Beqiri e nisi ndeshjen me vendosmëri, por ishin mysafirët që goditën të parët. Në minutën e 7-të, Stefan Spirovski realizoi për 0-1, gol që u konfirmua pas rishikimit në VAR. Megjithatë, reagimi i kuqezinjve ishte i menjëhershëm.


Shkëndija shtoi presionin, rriti ritmin dhe filloi të dominojë territorialisht në fushë. Pas një goditjeje nga këndi, Besart Ibraimi devijoi topin për 1-1 në minutën e 21-të, duke rikthyer baraspeshën dhe energjinë pozitive në stadium. Tetovarët ishin pranë përmbysjes së shpejtë, por goditja me kokë e Fabrice Tamba kaloi pranë shtyllës.


Edhe pjesa e dytë nisi me intensitet të lartë. Shkëndija kërkoi penallti në minutën e 53-të për lojë me dorë, por arbitri Bunjamin Kerimi nuk akordoi asgjë. Presioni vazhdoi, ndërsa Beqiri freskoi skuadrën me zëvendësime të rëndësishme.

Goli i fitores erdhi në minutën e 64-të. Kapiteni Ibraimi, golashënuesi më i mirë në historinë e futbollit vendor, shfrytëzoi një top nga krahu i majtë dhe pakujdesinë e mbrojtjes kundërshtare për të realizuar për 2-1. Ishte momenti që vulosi dominimin dhe karakterin e Shkëndijës.

Në minutat e mbetura, tetovarët menaxhuan me maturi epërsinë, ndonëse Pelisteri provoi deri në fund. Në kohën shtesë, mysafirët patën dy mundësi të mira, por portieri Gaye reagoi sigurt, duke ruajtur epërsinë.

Në fund, Shkëndija arkëtoi një fitore të madhe, duke u afruar në vetëm katër pikë nga Vardari kryesues. Tashmë, e gjithë vëmendja zhvendoset te derbi i radhës, ku kuqezinjtë do të kërkojnë të japin goditjen e radhës në garën për kreun. /Telegrafi/

Standings provided by Sofascore
telegrafi sport app