Shkëndija e fiton derbin shqiptar ndaj Bashkimit

Skuadra e Shkëndija mbylli pjesën e parë të sezonit me fitore dhe hyn e qetë në pauzën dimërore. Në kuadër të javës së 16-të të Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut, kampionët në fuqi triumfuan bindshëm si mysafr ndaj Bashkimi në Kumanovë me rezultatin 1:3, duke regjistruar fitoren e 11-të të këtij edicioni. Me këtë sukses, tetovarët e mbyllën sezonin vjeshtor në vendin e tretë me 36 pikë, gjashtë më pak se lideri Vardari. Ndërkohë Bashkimi shënoi humbjen e gjashtë dhe pritet ta përfundojë gjysmën e sezonit në vendin e pestë, njofton Telegrafi.
Ndeshja në Kumanovë nisi furishëm, me dy gola brenda shtatë minutave të para. Mysafirët kaluan të parët në epërsi pas autogolit të Armend Alimit. Por reagimi i vendasve ishte i menjëhershëm, vetëm tri minuta më vonë, Panovski depërtoi bukur në krahun e djathtë dhe asistoi për Aleksovskin, që nga afër e dërgoi topin në rrjetë për 1:1.
Shkëndija kërkoi të rikthente epërsinë dhe dominoi pas golit të pësuar. Rastet u shtuan para portës së Bashkimit, ndërsa Tamba pati mundësinë më të mirë, por goditi jashtë kuadratit. Senegalezi nuk gaboi herën e dytë:,në minutën e 34-t, pas një rasti të shpëtuar në vijën e portës nga Fisnik Zuka ndaj gjuajtjes së Ibraimit, Tamba përfitoi dhe shënoi në portën e boshatisur, duke i çuar miqtë në epërsi 1:2, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë.
Edhe në pjesën e dytë, ndonëse pritej reagim më i fortë nga Bashkimi, ishte Shkëndija ajo që mbante kontrollin dhe kërkonte golin e tretë. Momenti kyç erdhi pas zëvendësimeve të trajnerit Beqiri, kur në lojë hyri Fiton Ademi, i cili menjëherë goditi traversën. Por pak minuta më vonë, pas një krosimi të saktë të Liridon Latifit, ishte pikërisht Ademi që u gjend i pari te topi i ardhur në zonë dhe vulosi fitoren e tetovarëve 1:3.
Shkëndija e nis pjesën pranverore më 15 shkurt me duelin kundër Tikveshit, ndërsa Bashkimi në shtëpi do të presë Pelisterin. /Telegrafi/

















































