Konceptet e reja dhe inovative gjithherë zgjojnë më shumë interesim tek qytetarët.
Një koncept i tillë së fundmi ka arritur edhe në qytetin e Mitrovicës, shkruan Telegrafi.
“Kapike” është një formë tjetër e të shërbyerit kafe. Ajo është një kioskë që përmes shërbimit cilësor për një kohë të shkurtë ka fituar një vend të veçantë tek qytetarët.
“Kapike” ofron kafe “to go” për të gjithë qytetarët që janë në lëvizje por që nuk duan të bëjnë kompromis me cilësinë e kafesë.
Themeluesi i “Kapike”, Asim Azemi, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se këtë ide fillimisht donte ta zhvillonte në qytetin e tij, Mitrovicë, por shpreson që në tërë Kosovën “Kapike” të ketë një pikë.
“Sa i përket Mitrovicës, do të qëndrojmë në këtë pikë ku jemi këtu përderisa kemi lejen e Kuvendit Komunal. Shpresojmë të qëndrojmë këtu për një kohë të gjatë”, ka thënë Azemi, i njohur me pseudonimin “Cima”.
E vendosur në një lokacion ku ka shumë qarkullim të qytetarëve, Azemi ka treguar se kjo është arsyeja pse është vendosur “Kapike” në këtë vend, transmeton Telegrafi.
“Qytetarët e kanë pritur mirë sepse ka qenë e nevojshme një pikë e tillë. Jemi duke ofruar një kafe cilësore dhe të nevojshme për qytetarët, të cilët lëvizin, shkojnë në punë, marrin kafenë këtu dhe vazhdojnë për në punë. Është duke shkuar mirë, faleminderit qytetarëve të Mitrovicës”, ka shtuar ai.
Ai ka theksuar se “Kapike” është duke e zgjeruar menynë dhe se do t’i kenë disa kafe që nuk ofrohen në Mitrovicë, derisa bëri të ditur se aktualisht ofrojnë kafe të llojit makiato, ice kafe, expresso e të tjerë.
Më tej, ai ka potencuar se “Kapike” i ka përmbushur dhe është duke i përmbushur pritshmëritë e tij, siç është shprehur ai, falë qytetarëve të Mitrovicës që e kanë mirëpritur këtë risi. /Telegrafi/