Shehu: AAK e LVV bojkotuan mbledhjen, nuk u miratua buxheti i Junikut për vitin 2026

Kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, ka njoftuar se në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal, e cila u mbajt sot, nuk është arritur të miratohet buxheti i komunës për vitin 2026.
Shehu ka bërë të ditur se arsyeja e mosmiratimit ishte mungesa e asambleistëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lëvizjes Vetëvendosje (VV), çka pamundësoi arritjen e kuorumit.
“Sot Kuvendi Komunal i Junikut ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme ku pikë e vetme e rendit të ditës ka qenë miratimi i buxhetit të Junikut për vitin 2026. Asambleistët nga partitë AAK dhe VV nuk kanë qenë prezent në këtë mbledhje. Për pasojë nuk ka pasur kuorum dhe nuk është miratuar buxheti i Komunës për vitin 2026”, ka deklaruar Shehu.
Ai e cilësoi këtë veprim si paradoksal, duke thënë se këto parti publikisht japin premtime të mëdha elektorale, por në praktikë nuk kontribuojnë në realizimin e projekteve në komunë.
Në fund të deklaratës, Shehu shprehu bindjen se LDK do të shënojë fitore të madhe në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, duke shtuar se nuk pret të ketë balotazh.


















































