SHBA sërish kërcënon Rusinë nëse nuk pranon armëpushim në Ukrainë
Shtëpia e Bardhë njoftoi se Rusia do të përballet me tarifa doganore "shumë të larta" nëse nuk pranon që brenda 50 ditëve të ndalë luftën në Ukrainë.
“Pra, brenda 50 ditëve, siç është qartë thënë, nëse brenda kësaj periudhe nuk arrihet një marrëveshje për ndalimin e zjarrit ose një marrëveshje paqeje, nëse Rusia refuzon të pranojë ligjërisht ndalimin e zjarrit, atëherë do të përballet me tarifa doganore shumë të larta dhe do të përballet me sanksione dytësore. Pra, vendet që blejnë naftë nga Rusia gjithashtu do të sanksionohen, dhe kjo padyshim do t’i shkaktojë dëm të madh ekonomisë ruse”, tha për gazetarët zëdhënësja, Karoline Leavitt.
Presidenti amerikan, Donald Trump dëshiron të përfundojë luftën me një zgjidhje diplomatike, tha Leavitt.
“Ai ka insistuar për këtë… presidenti dëshiron të ndalojë vrasjet dhe dëshiron të shpëtojë jetë”, shtoi ajo.
Vlen të përmendet se pjesa e tregtisë së jashtme amerikane me Rusinë është më pak se një për qind, dhe shkëmbimi i plotë tregtar midis dy fuqive është reduktuar në minimum pas agresionit rus në vitin 2022, që do të thotë se tarifat eventuale do të ishin joefektive.
Gjithashtu, tarifat dytësore ndaj vendeve që tregtojnë me Rusinë me shumë gjasa nuk do të kenë efektin e dëshiruar, duke pasur parasysh se Kina ka njoftuar se do ta ndihmojë Rusinë edhe më fuqishëm në rast shpërthimi të një lufte tregtare. /Telegrafi/






























