LAJMI I FUNDIT:

Sesioni pranveror i Kuvendit me pak ligje të miratuara dhe mungesë të shpeshtë të kuorumit

Sesioni pranveror i Kuvendit me pak ligje të miratuara dhe mungesë të shpeshtë të kuorumit
Kuvendi i Kosovës / Foto: Arkiv

Pak ditë kanë mbetur që Kuvendi i Kosovës të përmbyll sesionin pranveror për sivjet. Por, sipas Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), puna që është bërë në legjislativin e vendit në këtë periudhë kohore është karakterizuar me mungesë të theksuar të kuorumit në punimet plenare, e njëjtë thonë edhe në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), por ndryshe mendojnë nga partia në pushtet. 

Shefi i Grupit Parlamentar i Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK), Arben Gashi ka thënë për Telegrafin se në këtë sesion nuk është përmbushur agjenda legjislative.

Sipas tij, partia në pushtet ka bërë shumë mungesa në mospjesëmarrjen e tyre në seancat e Kuvendit dhe kjo ka bërë, siç tha ai, që rezultati i punës të mos jetë pozitiv.


Arben Gashi, shef i Grupit Parlamentar të LDK-së

“Mospërmbushja e agjendës legjislative si dhe mungesa e pjesëmarrjes në seanca nga ana e shumicës parlamentare, bëjnë që rezultati i punës së Kuvendit të Kosovës të mos jetë pozitiv”, ka thënë Gashi.

Ndërsa, Adnan Rrustemi nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka thënë se kjo legjislaturë ka miratuar më shumë ligje, në krahasim me legjislaturën e pestë.

Rrustemi u shpreh për Telegrafin se deri më tani janë miratuar rreth 80 ligje, kurse rreth 70 të tjera janë në procedurë në mes të dy leximeve.

“Kjo legjislaturë ka miratuar më së shumti ligje që nga legjislatura e pestë. Kjo ka ardhur edhe për shkak se kjo Qeveri ka pasur një plan legjislativ ambicioz. Deri më tani janë miratuar rreth 80 ligje, kurse rreth 70 të tjera janë në procedurë në mes të dy leximeve”, tha ai.

Megjithatë, sipas deputetit të LVV-së, fenomeni i mospjesëmarrjes mbetet i pranishëm, edhe pse, siç tha, ai shumë më pak sesa në të kaluarën.

Rrustemi ia lë fajin opozitës për mospjesëmarrje në votim, duke thënë se e kanë redaktuar opozitarizimin.

“Është për të ardhur keq që opozita e ka redaktuar opozitarizmin në mospjesëmarrjen në votim. Ata edhe pse fizikisht në seancë, refuzojnë të votojnë qoftë edhe kundër. Deputetët pa dallim, pozitë e opozitë duhet ta kuptojnë që roli i tyre primar është miratimi i ligjeve. Dhe ligjet janë për të gjithë qytetarët, pa dallime partiake”, tha tutje ai.

Adnan Rrustemi nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV)

Kjo legjislaturë sipas Rrustemit, mbetet nga legjislaturat më efikase e produktive, si dhe më stabile.

“Deputetët të cilët nuk marrin pjesë në seancë duhet të mbajnë përgjegjësi politike para votuesve. Ka një dukuri të pazakontë e të paarsyeshme, ku deputetët edhe pse nuk kanë asnjë vërejtje për përmbajtjen e projektligjeve, të cilat i votojnë në komisione, por nuk votojnë kur vijnë në seancë plenare”.

Rrustemi shpreson që të miratohet rregullorja e re dhe në sesionin vjeshtor të jenë më efikas, më produktiv e më të përgjegjshëm.

“Tash që po e mbyllim sesionin pranveror, përkundër ligjeve të kaluara, shpresoj që të miratohet rregullorja e re dhe në sesionin vjeshtor të jemi edhe më efikasë, më produktivë e më të përgjegjshëm”, tha ndër të tjera deputeti i LVV-së, Rrustemi.

Telegrafi po ashtu ka provuar të marrë përgjigje edhe nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), por nuk kanë qenë të qasshëm.

Ndërkaq, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ditë më parë ka publikuar vlerësimin e punës së Kuvendit të Kosovës për gjashtë muajt e parë të sesionit pranveror 2022, periudhë kjo e karakterizuar me mungesë të theksuar të kuorumit në punimet plenare.

Agnesa Haxhiu nga KDI për Telegrafin tha se në bazë të vlerësimit, mungesa e kuorumit në seancat plenare gjatë kësaj periudhe kohore ka qenë shumë e shpeshtë.

“Në shumë prej seancave, shumica parlamentare nuk ka arritur të sigurojë numrin e nevojshëm të deputetëve për të shtyrë përpara iniciativat e saj duke shkaktuar zvarritjen e tyre. Në anën tjetër opozita ka treguar një rol konstruktiv, duke marrë pjesë në votimin e çështjeve që kërkojnë 2/3 e votave, siç është rasti i marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat shumica parlamentare nuk mund t’i kalojë e vetme. Edhe pse, në disa raste, opozita e ka kushtëzuar votën e saj për votimin e marrëveshjeve të caktuara, në këmbim të plotësimit të kërkesave të tyre, siç ishte rasti me formimin e Komisionit hetimor për energjinë”, ka thënë Haxhiu.

Agnesa Haxhiu, KDI
KDI: Mungesa e kuorumit në Kuvend po e pengon mbarëvajtjen e punimeve dhe përmbushjen e agjendës
Lexo po ashtu KDI: Mungesa e kuorumit në Kuvend po e pengon mbarëvajtjen e punimeve dhe përmbushjen e agjendës

Haxhiu thotë se edhe pse barrën kryesore për mbarëvajtjen e punimeve dhe përmbushjen e agjendës e ka shumica parlamentare, duket se kjo vlerë numerike nuk po reflekton edhe në fuqinë politike për të marrë vendime të rëndësishme në Kuvendin e Kosovës.

“Rasti i dështimit të miratimit të Kodit Civil, i cili pavarësisht që kishte marrë mbështetjen e plotë të qeverisë dhe rëndësisë që ky dokument juridik ka për Kosovën, nuk e pati të njëjtën përkrahje edhe nga deputetët që i takojnë shumicës parlamentare. Debati parlamentar që u zhvillua gjatë shqyrtimit të këtij Projekt Kodi shpërfaqi dallimet e mëdha në mes të deputetëve të të gjitha grupeve parlamentare, por më e rëndësishmja shpërfaqi dallimet në mesin e deputetëve të shumicës parlamentare, për çka edhe dështoj miratimi i tij”, tha Haxhiu. /Telegrafi/ 

Në trend Lajme

Më shumë
Detaje nga dosja: Viktimat e të pandehurit kishin lënë një takim para vrasjes në Klinë, një familjar tha se 'do të marrë hak'

Detaje nga dosja: Viktimat e të pandehurit kishin lënë një takim para vrasjes në Klinë, një familjar tha se 'do të marrë hak'

Drejtësi
Në vendkalimin kufitar Muriqan, policia sekuestron gati 700 mijë euro të fshehura në dyert e veturës

Në vendkalimin kufitar Muriqan, policia sekuestron gati 700 mijë euro të fshehura në dyert e veturës

Lajme
Katër të lënduar në aksidentin mes katër automjeteve në rrugën Veternik-Bresje

Katër të lënduar në aksidentin mes katër automjeteve në rrugën Veternik-Bresje

Kronika e Zezë
Rasti i 2.1 milionëshit, zëvendësministri Sallahu: 500 mijë euro janë në një bankë në Turqi, po punojmë me autoritetet atje që t’i kthehen Thesarit të Shtetit

Rasti i 2.1 milionëshit, zëvendësministri Sallahu: 500 mijë euro janë në një bankë në Turqi, po punojmë me autoritetet atje që t’i kthehen Thesarit të Shtetit

Lajme
Institucionet e Kosovës të mbyllura për shtetasen e Taxhikistanit që përballet me dëbim

Institucionet e Kosovës të mbyllura për shtetasen e Taxhikistanit që përballet me dëbim

Lajme
Stano: Çështja e arsimit dhe shëndetësisë në veri duhet të adresohen në dialog

Stano: Çështja e arsimit dhe shëndetësisë në veri duhet të adresohen në dialog

Lajme
Kalo në kategori