Serena Williams dukej mahnitëse në ceremoninë e ndarjes së çmimeve 'Princess of Asturias 2025', të mbajtur të premten në Spanjë.

Ylli i tenisit, 43 vjeçe, e cila së fundmi pranoi se ka përdorur një ilaç për humbje peshe, kishte veshur një fustan të kuq të ndezur, elegant dhe me një supe të zbuluar.


Fustani i ngushtë theksonte belin e saj, duke nxjerrë në pah linjat trupore, ndërsa e kishte kombinuar me një palë taka elegante, shkruan DailyMail.

Serena mori Çmimin “Princess of Asturias” për Sportin, gjatë ngjarjes që u zhvillua në Teatrin Campoamor.

Këto çmime jepen çdo vit për individë dhe organizata nga e gjithë bota, të cilët kanë arritur suksese të veçanta në fusha të ndryshme.

Së fundmi, Serena ka ndarë sekretin pas transformimit të saj të madh fizik - vetëm një muaj pasi kishte shqetësuar fansat me pamjen e saj të re.

Sportistja ka folur hapur për rrugëtimin e saj drejt humbjes drastike të peshës, duke zbuluar se ka humbur rreth 14 kilogramë gjatë vitit të fundit.

Megjithatë, fituesja e 23 Grand Slam-eve ka pranuar se ka marrë ndihmë mjekësore, duke përdorur ilaçin Zepbound, një medikament i tipit GLP-1, sipas revistës Vogue.

GLP-1 është një hormon natyral që ndihmon në rregullimin e sheqerit në gjak dhe të oreksit - dhe gjendet në ilaçe të njohura për humbje peshe si: Ozempic, Wegovy dhe Mounjaro, përveç Zepbound-it.

Pranimi i Serenës vjen vetëm disa javë pasi ajo publikoi disa 'selfie' pas stërvitjes, ku trupi i saj i tonifikuar ndezi spekulime se mund të ketë përdorur Ozempic.

Në intervista për People dhe TODAY Show, Serena tha se ilaçi e ka ndihmuar të ndihet “e lehtë fizikisht dhe mendërisht”.

Ikona e tenisit, e cila u tërhoq nga sporti pas US Open 2022, tregoi se kishte filluar të luftonte me peshën pas lindjes së vajzës së saj të parë, Alexis Olympia, në vitin 2017.

Ajo u përball me sfida të ngjashme pas lindjes së vajzës së dytë, Adira River, në gusht të vitit 2023.

Serena shpjegoi se, megjithëse kishte periudha të shkurtra humbjeje peshe, më pas pesha e saj mbetej e pandryshuar, pavarësisht stilit të shëndetshëm të jetesës që kishte mbajtur gjithmonë si sportiste profesioniste.

Në atë moment, ajo kërkoi ndihmën e kompanisë mjekësore Ro, për të cilën është zëdhënëse dhe në të cilën bashkëshorti i saj është investitor, për të marrë udhëzime rreth përdorimit të ilaçeve GLP-1.

“Nuk arrija kurrë të shkoja në peshën që doja, pavarësisht se sa shumë stërvitesha,” tha ajo për People. “Isha në një situatë që s’e kisha përjetuar kurrë më parë – punoja shumë, haja shëndetshëm, por trupi im nuk reagonte”.

“Nuk kam marrë kurrë shkurtore në karrierën time, gjithmonë kam punuar fort dhe e di çfarë duhet për të qenë më e mira”, shtoi ajo. “Prandaj ishte zhgënjyese që, pavarësisht përpjekjeve, nuk arrija të ndryshoja numrin në peshore apo mënyrën si dukej trupi im”.

Ajo tha se ilaçi nuk e zëvendësoi punën e saj të palodhur, por e përforcoi rutinën e shëndetshme dhe fizikun që ajo tashmë kishte ndërtuar.

Serena u shpreh se tani ndihet më aktive, ka më pak dhimbje në nyje dhe përgjithësisht “shumë mirë”. /Telegrafi/