Serbia promovon kriminelët e luftës - reagon OVL e UÇK-së: Heshtja ndërkombëtare, bashkëfajësi morale

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së), ka reaguar ashpër pas vendimeve të fundit të Kuvendit të Serbisë, duke i cilësuar ato si vazhdimësi të “narrativave që rehabilitojnë krimet e luftës”.
Në reagimin e tyre, OVL e UÇK-së thekson se ndërsa në Kosovë ende vazhdojnë kërkimet për persona të pagjetur nga periudha e luftës, Serbia po vazhdon të glorifikojë figura të lidhura me krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.
“Duke lartësuar figura që lidhen drejtpërdrejt me gjenocidin shtetëror ndaj popullit shqiptar, Kuvendi i Serbisë dëshmon se ky shtet nuk është penduar për të kaluarën e tij kriminale,” thuhet në reagim.
OVL e UÇK-së ka kërkuar gjithashtu reagim të qartë dhe të prerë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, duke paralajmëruar se heshtja ndaj këtyre veprimeve përbën bashkëfajësi morale.
“Kërkojmë që SHBA dhe BE të reagojnë prerë ndaj këtij vendimi të paparë, sepse heshtja përballë narrativave që rehabilitojnë krimet kundër njerëzimit është bashkëfajësi morale”, thuhet në reagimin e tyre.
Ndryshe ditë më parë në Kuvendin e Serbisë është hapur ekspozita kushtuar Njësive Speciale të Policisë dhe komandantit të tyre, Obrad Stevanoviq.
Pamjet nga hapja e saj kanë treguar edhe ministrin e Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, ish-zëdhënës i Slobodan Milosheviqit, duke shtrënguar duart dhe duke u buzëqeshur me veteranë, një gjest që është parë si anashkalim i fakteve të dokumentuara për krimet e luftës.
Nga organizatat për të drejtat e njeriut kjo ekspozitë po cilësohet si përpjekje për revizionizëm historik dhe shtrembërim të fakteve të luftës në Kosovë. /Telegrafi/





















































