LAJMI I FUNDIT:

Sëmundjet e syve te fëmijët

Sëmundjet e syve te fëmijët

Prof. Ass. Afrim Shabani, dr. sci.
oftalmolog
tel. 044 208 307

Shumica e fëmijëve kanë sy normal dhe të shëndoshë, por disa prej tyre mund të lindin me sëmundje ose çrregullime serioze të cilat mund të çojnë deri në dobësim të shikimit por edhe deri në verbim.

Shikimi i mirë është i domosdoshëm për zhvillimin fizik dhe progresin edukativ gjatë rritjes së fëmijës. Zbulimi i hershëm i sëmundjeve të trajtueshme të syrit te fëmijët mund të ndikojë drejtpërdrejt në shikim dhe në disa raste edhe në shëndetin e përgjithshëm.


Ambliopia

Ambliopia gjithashtu e njohur si “syri dembel” është një gjendje me të pamur të dobësuar në njërin apo të dy sytë. Ambliopia mund të jetë e trashëguar ose e shkaktuar nga anomalitë refraktive të pakorrigjuara (shkurtëpamësia, largëpamësie ose astigmatizmi). Ambliopia paraqitet kur kemi ndryshim në kualitetin e imazheve të fituara në secilin sy dhe të cilat imazhe dërgohen në tru. Truri e zgjedh imazhin më të mirë dhe e anulon imazhin e turbullt që vije nga syri me pamje më të dobët. Sistemi vizual në këtë sy do të zhvillohet më ngadalë dhe nëse nuk veprojmë në kohë të duhur do të vjen deri te ambliopia.

Prindërit zakonisht nuk mund të njohin syrin dembel te fëmijët për arsye se te shumë fëmijë nuk vërejmë ndonjë shenjë të kësaj gjendje, për këtë arsye fëmijët duhet të dërgohen në kontrolle të rregullta te mjeku i syve. Për fat të keq te ne në Kosovë ende nuk kemi kontrolle të rregullta që nga kopshtet e fëmijëve, parashkollorët dhe në shkolla.

Trajtimi i ambliopisë

▪ Mbyllja e syrit (Patch therapy) – mbyllja e syrit të shëndoshë që të stimulohet zhvillimi i syrit të dobësuar
▪ Syzat – të ndihmojnë korrigjimin e shikimit të dobësuar në njërin ose të dy sytë.
▪ Operimi i syrit mund të kërkohet në rastet e rralla nëse fëmija lind me thjerrëzën e turbullt (katarakta kongjenitale), strabizmi, ptoza, etj.

Nëse ambliopia nuk trajtohet para moshës 4-vjeçare ajo mund të jetë e përhershme dhe e pashërueshme. Kjo është njëra nga arsyet pse është shumë e rëndësishme që të dërgohet fëmija te oftalmologu para moshës 18-muajshe.

Anomalitë refraktive

Anomalitë refraktive janë probleme të fokusimit të dritës në retinë që ndodhin për shkak të mosthyrjes së drejtë të dritës nga kornea dhe thjerrëza e syrit. Në mënyrë që syri të dërgojë një imazh të qartë dhe të saktë në tru, drita duhet të bie (fokusohet) në një pikë në retinë e cila quhet pika e shikimit të qartë (fove centralis).

– Shkurtëpamësia (Myopia) – shfaqet në 4% të fëmijëve. Një person është shkurtëpamës kur rrezet e dritës janë fokusuar para retinës. Këtë gjendje e hasim te sytë me boshtin aksial më të madh ose kur kornea është më e lakuar se sa normalisht.

– Largëpamësia (Hyperopia) – shfaqet te 20% të fëmijëve. Një person është largëpamës kur rrezet e dritës fokusohen prapa retinës. Këtë e hasim kur boshti aksial është më i shkurtër ose kornea është më pak e lakuar se normalisht. Shumë fëmijë mund ta korrigjojnë këtë gjendje duke kontraktuar muskujt e brendshëm të syve. Ky kontraktim i përhershëm mund të shkaktojë kokëdhimbje, lodhje te syve dhe ikje te syve (strabizëm).

– Astigmatizmi – shfaqet te 10% të fëmijëve. Në këtë gjendje kornea është më pak sferike dhe për këtë arsye reflektimi i dritës bëhet në një rrafsh të devijuar. Astigmatizmi mund të shfaqet si i vetëm ose së bashku me anomalitë tjera refraktive (myopia, hyperopia).

E domosdoshme është bartja e syzave. Te ne duhet punuar më shumë në largimin e paragjykimeve për bartjen e syzave, kur dimë se shumë prindër nuk i dërgojnë fëmijët te mjeku i syve nga frika se fëmija i tyre duhet të bartë syza.

Mbyllja e kanalit të lotit

Te foshnjet shpesh e hasim të mbyllur kanalin e lotit (nasolacrimal duct obstruction), kjo ndodh për shkak të mos hapjes së valvulës në kanalin e lotit e cila hapje duhet të ndodhë pas lindjes. Shenjat që i vërejmë te këta fëmijë janë: lotim shumë i shprehur, sekret ujor ose i turbullt që del nga syri, krurje e shprehur e syrit.

E rëndësishme: Në literaturën më të re gjejmë se 96% – 98% të rasteve kanali hapet me masazhe (presion të lehtë të këndit të brendshëm të syrit) dhe përdorim të antibiotikëve deri sa fëmija të mbushë 12 muaj. Në bazë të këtyre të dhënave shihet se është e panevojshme të bëhet sondimi para moshës njëvjeçare, siç ndodhë te një numër i madh i rasteve këtu në Kosovë.

Retinopatia premature (ROP)

Të porsalindurit parakohe dhe me peshë të ulët trupore që i nënshtrohen oksigjenit të lirë gjatë qëndrimit në inkubatorë janë të rrezikuar për zhvillim jo normal të enëve të gjakut në periferinë e retinës, e cila mund të shkaktojë shkolitje të retinës dhe verbim.

Neonatologët duhet t’u rekomandojnë prindërve që prematurët të dërgohen në kontrollë te oftalmologu. Intervenimi me laser në fazat e hershme mund të parandalojë keqësimin e sëmundjes.

Retinopatia pigmentose

Është një sëmundje trashëguese, ku vërehen ndryshime të shumta degjenerative pigmentuese në të dy sytë. Sëmundja ka progresion me kalimin e viteve e cila mund të përfundojë me verbim. Fëmijët mund të kenë probleme me shikimin gjatë natës (verbimi i natës) dhe humbjen e shikimit në periferi.

Personat të cilët janë të prekur nga kjo sëmundje duhet t’i dërgojnë fëmijët e tyre te oftalmologu, për shkak të mundësisë së trashëgimit të sëmundjes. Deri tani nuk është gjetur ndonjë shërim për këtë sëmundje.

Glaukoma kongjenitale

Te kjo sëmundje presioni i lartë i lëngut brenda syrit së bashku me kornen e rritur mund të shkaktojnë dëmtimin e nervit te të porsalindurit dhe te fëmijët. Shkaktarët më të shpeshtë janë malformacionet e ndonjë pjesë të syrit.

Lotimi i shprehur, syri i madh (buftalmus, megalocornea) janë shenja të cilat i vërejmë te fëmijët me glaukomë kongjenitale. Lotimi i shprehur mund të ngatërrohet me kanalin e mbyllur të lotit. Operimet e glaukomës kongjenitale me anë të metodave më të reja viskokanalostomia dhe kanaloplastika, për herë të parë në rajon janë kryer në Klinikën Gjermane të Syrit në Prishtinë (2009).

Katarakta kongjenitale

Thjerrëza e syrit zakonisht është transparente pas lindjes, por mund të ndodhë që kjo thjerrëz të jetë e turbullt dhe kjo gjendje quhet katarakta kongjenitale. Shikimi është jo i qartë ose i bllokuar në tërësi. Thjerrëza e turbullt nuk lejon të futet sasi e mjaftueshme e dritës në retinë dhe kjo mund të shpie deri te një ambliopi e rëndë dhe të pashërueshme.

Kataraktën kongjenitale mund ta vërejnë edhe prindërit, neonatologu dhe pediatri. Katarakta kongjenitale varësisht nga intensiteti i turbullirës së thjerrëzës duhet të operohet sa më herët që është e mundur, për shkak të parandalimit të ambliopisë. Operimi i kataraktës kongjenitale me anë të rrezeve të ultrazërit (fakoemulsifikimit) dhe implantim të thjerrëzës intraokulare (IOL-it) për herë të parë në Kosovë është kryer në Klinikën Gjermane të Syrit në Prishtinë (2006).

Shenjat e rrezikut

Të caktoni një termin te oftalmologu nëse te fëmija juaj vëreni njërën nga këto shenjat e mëposhtme:

▪ lëvizjet e përhershme të kokërdhokut të syrit (nistagmusi)
▪ sytë janë të përlotur gjatë gjithë kohës
▪ ndjeshmëri e shtuar e syve në dritë gjatë gjithë kohës
▪ kur te shihni diçka të bardhe ose të verdhë në bebëzën e syrit (nuk fitohet refleksi i kuq, këtë mund ta vëreni edhe në fotografitë të cilat ia bëni fëmijëve tuaj)
▪ skuqja e syve e cila qëndron për një kohë më të gjatë
▪ ikje të syrit (strabizëm)
▪ kapakët e syve janë të lëshuar poshtë
▪ koka e fëmijës është përherë e përkulur në njërën anë (tortikolis)
▪ njëra bebëz e syrit është më e madhe ose më e vogël se tjetra
▪ foshnjat të cilat nuk fokusojnë ose nuk përcjellin objektet deri në muajin e tretë
▪ foshnjat të cilat e mbyllin ose mbulojnë njërin sy.

/Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Dy suplementet e njohura mund të zvogëlojnë rrezikun e një sëmundjeje autoimune deri në 30 për qind

Dy suplementet e njohura mund të zvogëlojnë rrezikun e një sëmundjeje autoimune deri në 30 për qind

Shëndetësi Lajme
Kalo në kategori