Selimi: Mbi trupin e përkulur të Thaçit kalon shumëçka

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka komentuar deklaratën e presidentit Thaçi, të bërë të premten në Samitin e Diasporës që u mbajt dje në Tiranë, ku ky i fundit tha se “nuk lejoj pa kaluar mbi trupin tim, të ndryshohet kufiri i Kosovës”.
Selimi, përmes një postimi në Facebook, tha se “po del se kufijtë prapë qenkan në rrezik, sepse mbi një trup të shtrirë e të përkulur, sikur ai i Thacit, kalon shumëçka”.
Postimi i plotë i deputetit Selimi:
“Në Samitin e Diasporës që u mbajt dje në Tiranë, 'presidenti i Kosovës' deklaroi: “se unë nuk lejoj pa kaluar mbi trupin tim, të ndryshohet kufiri i Kosovës”.
Pra, ai citoi një thënie popullore por me një ndryshim të vockël...
Thënia së cilës iu referua pjesërisht Thaçi thotë: "pa kaluar mbi trupin tim të vdekur..."
Siç duket Thaçi e paska pasur fjalën se "pa kaluar mbi trupin e tij të gjallë nuk ndryshohen kufijtë e Kosovës".
Po del se kufijtë prapë qenkan në rrezik, sepse mbi një trup të shtrirë e të përkulur, sikur ai i Thacit, kalon shumëçka”, ka shkruar Selimi. /Telegrafi/






















































