Site icon Telegrafi

Scholz kërkon nga Kurti konstruktivitet në dialogun me Serbinë

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, i ka kërkuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, konstruktivitet në procesin e dialogut me Serbinë.

Këtë kërkesë kancelari gjerman e ka bërë të mërkurën në takimin që ka zhvilluar me kryeminsitrin Kurti në Berlin.

Para gazetarëve, kancelari gjerman Scholz tha se kohën e sotme, kur po ndodh lufta në Ukrainë, është e rëndësishme që në Ballkanin Perëndimor të zgjidhen problemet.

“Kosova u pozicionua shumë herët dhe me qartësi në partneritet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ka mbështetur sanksionet. Kjo duhet të vlerësohet. Unë i ripërsërita Kurtit se Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës dhe në të ardhmen të gjitha shtetet e Ballkanit duhet të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian”, u shpreh Scholz, transmeton Telegrafi.

Ai tutje tha se objektivi i dialogut është marrëveshja e gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Objektiv i dialogut është arritja e marrëveshjes gjithëpërfshirëse. E inkurajova Kurtin për konstruktivitet në negociata. Marrëveshja do t’u sillte të mira qytetarëve të të dyja vendeve”, tha kancelari gjerman.

Scholz në konferencën e përbashkët me Kurtin po ashtu njoftoi se shumë shpejt do ta vizitojë Prishtinën, ndërsa tha se në gjysmën e dytë të vitit do ta ftojë kreun e Qeverisë së Kosovës përsëri në Berlin për një takim tjetër./Telegrafi/

Exit mobile version