Nga një ide e lindur në zemrën e Sharrit te ndërtimi i një agjencie lider në rajon, ai shpalos suksesin, vizionin dhe të ardhmen e turizmit shqiptar

Ky rrugëtim, që nisi si një projekt ambicioz dhe u shndërrua në udhëheqjen e një prej agjencive kryesore në rajon, përmbledh historinë e suksesit të Ruzhdi Kurtishaj. Mes vizionit dhe punës së palodhur, ai ka krijuar një model biznesi që ka ndikuar në mënyrën se si kosovarët e përjetojnë botën.


Në zyrën e tij në Prishtinë, ai të pret me energjinë e një njeriu që jeton me udhëtimet. Si themelues i Sharr Travel, Kurtishaj është shndërruar në një figurë kyçe të zhvillimit të turizmit në Kosovë, duke ofruar siguri, paketa të strukturuara dhe bashkëpunime ndërkombëtare.

Sot, Sharr Travel është sinonim i besueshmërisë dhe një motor i rëndësishëm i turizmit të qëndrueshëm. Nga rrugëtimet me autobusë deri te paketat moderne turistike, ai mbetet një zë aktiv për çështjet ekonomike dhe potencialin turistik shqiptar. Në këtë intervistë, ai flet për sfidat, vizionin, përvojat personale dhe të ardhmen e turizmit në Kosovë.


Z. Kurtishaj, si e kujtoni fillimin e rrugëtimit tuaj në industrinë e turizmit dhe në çfarë momenti e kuptuat se ideja për "Sharr Travel" mund të shndërrohej në një histori suksesi?

Në fillim ishte vetëm një ëndërr që nuk më linte të qetë. Kisha bindjen se njerëzit tanë meritonin më shumë se një udhëtim të zakonshëm; meritonin siguri, respekt dhe dinjitet nga nisja deri në kthim. E kujtoj shumë mirë vitin 2003. Kishim vullnet të madh, por edhe sfida të panumërta, pasi kushtet nuk ishin këto që janë sot.

Udhëtimi ynë i parë drejt Sarandës ka mbetur i pashlyer në kujtesën time: rreth 29 orë rrugë, kthesa të vështira nëpër Pukë dhe segmente të lodhshme kah Gjirokastra. Sot duket e pabesueshme, por atëherë kishim vetëm një qëllim: t’i dërgonim njerëzit në destinacion me "fytyrë të bardhë". Natyrisht, kishte emocione, por edhe frikën e pasigurisë që shoqëron çdo fillim: a do të na besojnë njerëzit dhe a do ta mbajmë fjalën?

Momenti kur e kuptova se kjo ide po bëhej histori suksesi nuk lidhej me shifrat, por me klientët e parë. Kur pashë familjet që hipnin me gëzim dhe besim në sy, e kuptova se po na jepnin diçka shumë më të madhe se një pagesë. Aty i thashë vetes se kjo nuk është thjesht punë, por mision. Ne nuk po shisnim vetëm bileta; po krijonim kujtime, po bashkonim familje dhe po u jepnim njerëzve mundësinë të shijonin pushimin e pritur gjatë gjithë vitit. "Sharr Travel" lindi për të ndërtuar ura mes njerëzve, jo vetëm për të kaluar rrugë.

Emri “Sharr” bart identitet dhe simbolikë të veçantë. Pse e zgjodhët pikërisht këtë emër dhe çfarë përfaqëson ai për ju sot, pas gjithë këtyre viteve?

Për mua, “Sharr Travel” nuk është vetëm emër biznesi. Është identiteti im, vendi prej nga vij dhe rrënjët e mia. Malet e Sharrit i kam parë gjithmonë si simbol force, krenarie dhe qëndrueshmërie. Që në fillim kam dashur që kompania ta ketë këtë frymë: të jetë e fortë përballë sfidave dhe e qëndrueshme në kohë të vështira. Sepse biznesi nuk ndërtohet për një ditë, por me durim dhe punë.

Sot, kur dëgjoj “Sharr Travel”, mendoj për mijëra udhëtarë që na kanë besuar, për familjet që kemi bashkuar dhe për kujtimet që kemi krijuar. “Sharr” mbetet vula e origjinës sime dhe kujtesa se njeriu duhet ta dijë gjithmonë prej nga vjen.

Nëse hedhim një vështrim pas në kohë, cili ka qenë vendimi më i guximshëm që keni marrë në hapat e parë të biznesit dhe cili moment mbetet pikë kthesë në karrierën tuaj?

Vendimi më i guximshëm ishte të investoja gjithçka në një treg të pasigurt, kur turizmi ende ishte i brishtë. Besoja se njerëzit do të kërkonin më shumë cilësi, siguri dhe respekt. Pika e kthesës erdhi kur vendosëm të mos ofronim vetëm udhëtime me autobus, por shërbim të kompletuar, ku çdo detaj kujdeset nga nisja deri në kthim.

Ky ndryshim ishte bast i madh, me rrezik dhe kosto, por na dha identitetin që kemi sot. Sot e kuptoj se suksesi nuk vjen vetëm nga puna, por edhe nga guximi për të marrë vendime të vështira në kohën e duhur.

Kur mijëra njerëz ju besojnë pushimet dhe kohën e tyre, si e përballoni këtë përgjegjësi dhe si ndërtohet e ruhet ky besim ndër vite?

Është krenari, por edhe përgjegjësi e madhe. Kur njerëzit të besojnë pushimet, e kupton se nuk ke të bësh thjesht me një shërbim, por me besimin e tyre. Nuk është gjithmonë e lehtë; ka net kur telefoni nuk pushon dhe situata që kërkojnë zgjidhje të menjëhershme. Edhe kur jam në shtëpi, mendja më rri te udhëtarët dhe te rruga, sepse kjo punë nuk mbaron me orar. Kur një prind të thotë: “Po t’i besoj fëmijët për këtë udhëtim”, aty e ndien peshën e vërtetë të këtij misioni.

Besimi nuk ndërtohet me fjalë të mëdha apo premtime boshe, por kur klienti gjen saktësisht atë që i është premtuar: korrektësi, respekt dhe seriozitet. Në turizëm, detajet bëjnë diferencën; nëse i ke thënë udhëtarit se do të jesh pranë tij, duhet të jesh aty në çdo hap. Ta fitosh një klient është sfidë, por ta ruash për dekada është arritja më e madhe. Ne kemi klientë që udhëtojnë me ne që nga viti 2003, ndërsa sot na sjellin edhe fëmijët e tyre. Kur një familje të beson në dy breza, atëherë e di se ke ndërtuar diçka të qëndrueshme.


Në një treg me konkurrencë të fortë dhe kriza globale, si ruhet stabiliteti, reputacioni dhe standardi i lartë i një kompanie turistike?

Krizat janë prova reale e çdo biznesi; pikërisht aty maten durimi, serioziteti dhe aftësia për të mos humbur drejtimin. Stabiliteti nuk vjen rastësisht, por ndërtohet me investim të vazhdueshëm, punë të pandërprerë dhe vendime të guximshme, edhe kur kushtet nuk janë të favorshme. Megjithatë, asgjë nuk është gjithmonë e lehtë. Personalisht, dështimin nuk e kam parë kurrë si fundin e rrugës, por si “shkollën” më të shtrenjtë që të mëson të jesh më i matur dhe të mos e marrësh suksesin si të garantuar.

Sa i përket reputacionit, ai nuk blihet me marketing apo pamje të jashtme. Ai fitohet në momentet më të vështira, kur klienti ka nevojë për ty dhe ti je aty. Besimi është baza e gjithçkaje; kur një klient na zgjedh, ai na jep gjënë më të vlefshme që ka. Detyra jonë është ta arsyetojmë këtë besim në çdo hap, pa bërë asnjëherë kompromis me sigurinë, e cila për ne është vijë e kuqe. Sot, kompania jonë operon me 25 autobusë modernë, me standarde të larta sigurie dhe teknologjie, ndërsa synimi ynë mbetet rritja e mëtejshme, duke ruajtur gjithmonë cilësinë që na ka sjellë deri këtu.

Mërgata mbetet motori i pashtershëm i ekonomisë sonë. Ju shohim vazhdimisht në terren, pothuajse çdo herë nëpër stacione ku janë udhëtarët, duke dokumentuar këto momente edhe në rrjetet sociale. Pse është e rëndësishme për ju kjo prani e drejtpërdrejtë?

Prania në terren është pjesë e mënyrës se si e kuptoj këtë punë. Duhet të jesh aty ku nisen njerëzit, ku kthehen dhe ku ndihen emocionet, pritja dhe malli. Kur pret një autobus në Gjermani, Zvicër apo diku tjetër, e kupton më mirë se përmes çdo raporti se çfarë do të thotë kjo punë; sheh njerëz që mezi presin të vijnë në vendlindje dhe familje që takon pas shumë kohe.

Kur i shoh ato përqafime në stacion, e ndiej se gjithë lodhja shpërblehet. Aty e kupton se nuk po lëviz vetëm njerëz, por po afron familje. Sa për videot dhe postimet, ato janë pasqyra e realitetit tonë; dua t’u tregoj njerëzve se ne jemi aty, pranë tyre, në çdo hap të rrugës. Mërgata për mua nuk janë thjesht klientë, janë shtylla e këtij vendi dhe meritojnë një udhëtim të sigurt, dinjitoz e me respekt.

Si ka ndryshuar udhëtari kosovar në vitet e fundit, cilat destinacione kërkon sot dhe çfarë ju tregon kjo për kulturën e re të udhëtimit?

Ndryshimi ka qenë i madh dhe kjo më gëzon, sepse tregon se shoqëria jonë është hapur me botën duke krijuar një kulturë të re udhëtimi. Dikur kërkesat ishin të thjeshta: mjaftonte një vend në autobus, një hotel i mirë dhe disa ditë pushimi. Sot udhëtari kosovar është shumë më i informuar dhe kërkues. Ai hulumton, krahason ofertat dhe kërkon cilësi në çdo detaj. Nuk mjafton më vetëm destinacioni; njerëzit duan një përvojë të plotë që përfshin historinë, kulturën, ushqimin autentik dhe kujtime që ia vlen t’i rrëfejnë.

Shqipëria mbetet zgjedhja më e dashur; afërsia dhe lidhja emocionale me bregdetin shqiptar e mbajnë gjithmonë në krye të listës. Megjithatë, horizonti është zgjeruar. Turqia vazhdon të kërkohet shumë, ndërsa Greqia e Kroacia po fitojnë interes të madh nga ata që duan përvoja të reja. Ajo që më gëzon më shumë është rritja e interesit për turne kulturore dhe qytete historike. Kjo tregon se kultura e udhëtimit te ne është ngritur dukshëm. Për sezonin 2026 jam shumë optimist dhe pres një rritje të kërkesës, ndaj po përgatitemi me oferta të reja dhe paketa të menduara mirë.

Si e ka ndryshuar liberalizimi i vizave hartën e udhëtimeve për kosovarët?

Liberalizimi ka hequr më shumë se thjesht procedurat; ka hequr një ndjenjë izolimi që zgjati me vite. Sot, udhëtimi nuk shihet më si luks, por si pjesë normale e jetës. Njerëzit janë bërë më spontanë dhe më të hapur për destinacione të reja; një fundjavë në Paris, Romë apo Berlin është tashmë plotësisht e arritshme. Ky proces i ka dhënë liri planifikimit dhe ka rritur kureshtjen për Evropën, duke bërë që bota sot të jetë më afër kosovarëve se kurrë më parë.

Çdo udhëtim është një investim në kujtesë. Sa e rëndësishme është figura e ciceronit në këtë përvojë?

Figura e ciceronit është jetike. Pa një udhërrëfyes të mirë, udhëtimi mbetet vetëm një koleksion fotografish pa shpirt. Ciceroni nuk jep thjesht informacione; ai është rrëfimtar, komunikues dhe njeriu që krijon atmosferën e grupit. Shpesh, është pikërisht ai që bën diferencën mes një udhëtimi të zakonshëm dhe një përvoje të paharrueshme. Për këtë arsye, në "Sharr Travel" i kushtojmë rëndësi të veçantë këtij elementi, duke pasur një rrjet ciceronësh profesionistë që janë ambasadorët tanë më të mirë në botë.

Çfarë duhet të bëjnë institucionet dhe komunat që Kosova ta trajtojë turizmin si sektor strategjik dhe të shfrytëzojë më mirë potencialin lokal?

Turizmi ende nuk e ka peshën që meriton. Ai nuk është thjesht pushim, por një industri që lidhet me bujqësinë, transportin dhe hotelerinë, një motor i mirëfilltë zhvillimi. Kosova ka potencial të madh, por natyra dhe historia kërkojnë vizion dhe promovim serioz; nuk mjafton t’i kemi, duhet t’i prezantojmë profesionalisht para botës.

Na duhet bashkëpunim më i ngushtë mes institucioneve dhe sektori privat. Komunat kanë rol kyç, sepse aty nis kontakti i parë me vizitorin. Pa rrugë të mira, sinjalistikë, pastërti dhe investime në hapësira publike, potenciali ynë humbet. Mbi të gjitha, duhet mikpritje profesionale. Turisti mban mend mënyrën se si u ndie, jo vetëm çfarë pa. Nëse investojmë me seriozitet dhe vizion afatgjatë, Kosova do të bëhet një destinacion i fuqishëm rajonal.

Në rrugëtimin tuaj të pasur me përvoja, cili udhëtim ju ka ndryshuar më së shumti si njeri, çfarë ju ka mësuar bota për njerëzit dhe si udhëtoni vetë kur nuk jeni në rolin e organizatorit?

Udhëtimi më i bukur është ai që ende nuk e kam bërë, thotë një shprehje. Por, personalisht, më së shumti më kanë ndryshuar vizitat në ato vende ku turizmi është kthyer në kulturë jetese, ku njerëzit e duan dhe e respektojnë tokën e tyre deri në detaje. Bota më ka mësuar se, pavarësisht gjuhës apo kulturës, të gjithë njerëzit kërkojnë të njëjtën gjë: një buzëqeshje të sinqertë dhe një dorë që i mirëpret. Kur udhëtoj privatisht? Atëherë përpiqem të jem vetëm një vëzhgues i thjeshtë. I mbyll sytë dhe dëgjoj qytetin, shijoj kafen në një qoshe të panjohur dhe harroj për pak orë se jam “organizatori”. Edhe unë, si çdo udhëtar tjetër, kam nevojë të mahnitem nga e bukura.

Suksesi shpesh ka një kosto të padukshme. Cilat janë sakrificat tuaja personale që mbeten larg syrit të publikut? Çfarë ju motivon çdo mëngjes dhe çfarë do t’i thoshit sot një të riu që synon sipërmarrjen në turizëm?

Suksesi ka një anë që publiku nuk e sheh. Njerëzit shohin rezultatet, por jo sakrificat: kohën larg familjes, festat ku nuk je i pranishëm dhe netët pa gjumë kur mban përgjegjësi për qindra udhëtarë në rrugë. Turizmi është profesion i bukur, por nuk njeh orar; kërkon reagim të menjëhershëm dhe përgjegjësi që nuk pret të nesërmen.

Ajo që më motivon çdo mëngjes është ndjenja se po bëjmë diçka më të madhe se një biznes: po bashkojmë familje dhe po krijojmë kujtime. Kur sheh gëzimin e njerëzve që takohen, e kupton se mundi ia vlen. Për të rinjtë mesazhi im është i thjeshtë: hyni me pasion, jo vetëm për fitim. Suksesi i vërtetë nuk vjen shpejt; ai ndërtohet me durim, këmbëngulje dhe punë. Nëse respektoni njerëzit, ruani fjalën dhe nuk dorëzoheni para vështirësive, rruga do të hapet vetvetiu. /Telegrafi/