Rusja rrëshqet për vdekje nga 90 metra lartësi pak çaste pasi bëri kërcim bungee për ditëlindje, ndërsa bënte selfie para të birit të tmerruar

Një nënë ra tragjikisht për vdekje para të birit, ndërsa bënte një selfie për të festuar një kërcim të suksesshëm me bungee (hedhje me litar).
Elizaveta "Liza" Gishchina rrëshqiti dhe ra nga 90 metra lartësi, pak çaste pasi u filmua duke kërcyer nga platforma për të shënuar ditëlindjen e saj.
Nëna 45-vjeçare, nënë e dy fëmijëve, mund të shihet në video duke qeshur dhe duke thënë: "le të shkojmë" përpara se të bërtasë nga gëzimi ndërsa bie drejt tokës.
Pamjet e tregojnë atë duke u lëkundur nga një "litar elastik" pak mbi tokë, pas së cilës ajo mbeti e palënduar, transmeton Telegrafi.
Liza vendosi të ngjitej përsëri në kullë pas kërcimit të saj të parë - i vendosur në Pavlovsk, pranë Shën Petersburgut të Rusisë - për të "bërë një selfie si kujtim".
Tragjedia ndodhi kur ajo qëndroi në platformë - 90 metra mbi tokë - pa litarë sigurie. Media ruse raportoi se Liza: "Pa litarë sigurie u ngjit përsëri, rrëshqiti dhe ra poshtë".
Aksidenti i tmerrshëm u pa nga djali i saj i shqetësuar, Nikita.
23-vjeçari kishte shkuar në kullën e braktisur me Lizën - që tani përdoret për kërcime të guximshme me litar - për të festuar ditëlindjen e saj.
Një zëdhënës nga 23block - kompania e kërcimit me litar që operon objektin e njohur - lëshoi një deklaratë.
"Në rrethana tragjike, kërcyesja me përvojë dhe nënë e dy fëmijëve Liza ka ndërruar jetë", shkruan ata.
"Elizaveta Gushchina, së bashku me djalin e saj Nikita, ishte anëtare e ekipit tonë sportiv", vazhduan ata.
"Tani i gjithë ekipi po vajton humbjen e saj, kjo është një tragjedi shumë e madhe për ne", u tha ndër tjera.
Zyra e prokurorit shtetëror rus ka nisur një hetim për vdekjen e Lizës.
Një zëdhënës i zyrës tha: "Ata do të përcaktojnë nëse organizatorët e atraksionit kanë zbatuar ligjin kur ofrojnë shërbime". /Telegrafi/



















































