“Rrugët pa krye janë gjithmonë mundësi”: Shkencëtari që zhvilloi vaksinën kundër poliomielitit

Më 12 prill 1955, Dr. Jonas Salk njoftoi se vaksina e tij ishte e sigurt dhe efektive. Ajo do të shpëtonte më pas jetë të panumërta - por, ai refuzoi të përfitonte financiarisht prej saj. Në vitin 1982, Salku foli për BBC mbi zbulimin e tij.
Nga: Greg McKevitt / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com
“Njerëzimi mori një nga lajmet më të ndritshme në gjithë historinë e tij”. Kështu e përshkroi një reporter amerikan njoftimin, në prill të vitit 1955, se Dr. Jonas Salk kishte arritur të zhvillonte vaksinën kundër poliomielitit. Poliomieliti ishte sëmundja e cila, deri atëherë, nuk kishte as parandalim dhe as shërim - dhe të gjithë ishin të rrezikuar prej saj. I intervistuar në televizion atë mbrëmje, Salku u pyet se kush e zotëronte patentën e vaksinës. “Epo, njerëzit, do të thosha”, u përgjigj ai. “Nuk ka patentë. A mund ta patentosh diellin”?
Poliomieliti, ose polio, ishte një emergjencë e shëndetit publik. Në vitin 1952, ShBA-ja regjistroi një rekord prej 57 628 rastesh të sëmundjes e cila shkakton paralizë të shtyllës kurrizore dhe të frymëmarrjes. Pacientët qëndronin të shtrirë, të mbyllur në ventilatorë të mëdhenj metalikë të njohur si “mushkëritë e hekurta” [iron lungs] për t’i ndihmuar të merrnin frymë, të cilat, së bashku me mbajtëset e këmbëve që mbanin fëmijët, u bënë simbole të vazhdueshme të poliomielitit. Njerëzit i druheshin afrimit të verës, periudhë kur shpërthimet ishin më të shpeshta.
Çdo prind i njihte dhe kishte frikë prej simptomave të sëmundjes, ka thënë Jody Zogran, një infermiere reparti që punonte në spitalin e Pitsburgut ku Salku dhe ekipi i tij zhvilluan vaksinën. Ajo i tregoi emisionit Witness History të BBC-së për rastet kur “një djalë i vogël luante futboll një ditë më parë, dhe ja ku është i mbyllur në këtë mushkëri të hekurt. Nuk ka asnjë ide çfarë po ndodh dhe bërtet, dhe nëse këmbët nuk i janë paralizuar, ai godet anët e respiratorit”.
Ndonëse më pak se një përqind e infeksioneve çonin në paralizë, përmasat e mëdha të shpërthimeve të poliomielitit nënkuptonin se një numër i madh fëmijësh përfundonin gjithsesi në mushkëritë e hekurta. Ata mund të qëndronin të mbyllur nga qafa e poshtë për ditë, muaj apo edhe vite. Pacientët për të cilët kujdesej Zograni ishin ende përhapës të sëmundjes, dhe asaj dhe kolegëve të saj u ishte thënë se e vetmja mbrojtje e qasshme ishte larja rigoroze e duarve. “I lanim duart sa herë që preknim pacientin ose edhe më shpesh, dhe më kujtohet se kur shkoja në shtëpi në mbrëmje, duart më ishin aq të lënduara dhe të çara”, ka thënë ajo.
Megjithëse ishin kryesisht fëmijët ata që prekeshin nga poliomieliti, askush nuk ishte i sigurt. Presidenti i ardhshëm amerikan Franklin D. Roosevelt, atëherë një figurë politike në ngritje, u infektua me virusin në vitin 1921, në moshën 39-vjeçare. Ai mbeti i paralizuar nga mesi e poshtë për pjesën tjetër të jetës. Në detyrë, e bëri luftën kundër poliomielitit kauzë personale dhe, në vitin 1938, themeloi Marshin e Qindarkave [March of Dimes], organizatën bamirëse kundër poliomielitit që përmbysi rendin tradicional të mbledhjes së fondeve. Në vend që të kërkonte donacione të mëdha nga pak njerëz, ajo kërkoi shuma të vogla nga shumë njerëz dhe mblodhi qindra miliona dollarë.
Nga fundi i viteve ’40 të shekullit XX, shkencëtarët kishin treguar se poliomieliti hynte në qarkullimin e gjakut përmes zorrëve. Në të njëjtën kohë, dy studiues dolën në skenë për të konkurruar në garën për vaksinë, secili duke ndjekur rrugë krejtësisht të ndryshme. Dr. Albert Sabin, profesor i pediatrisë në Shkollën Mjekësore të Sinsinatit, kishte kaluar dy dekada duke studiuar virusin e poliomielitit dhe besonte në lëvizjen e ngadaltë dhe të kujdesshme, ka thënë David M. Oshinsky, autor i librit Polio: Një histori amerikane [Polio: An American Story]. “Ai e shihte veten si shkencëtar të shkencëtarëve ... punonte në laborator, nuk largohej kurrë dhe bënte zbulime një e nga një, duke përdorur blloqe ndërtimi”, tha ai në një dokumentar të BBC-së në vitin 2014.
Ndërkohë, Jonas Salku ishte studiues me ritëm të shpejtë në Shkollën Mjekësore të Pitsburgut, i cili veçse kishte prodhuar një vaksinë të suksesshme kundër gripit për ushtarët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Vendimtare ishte mbështetja që ai kishte nga Marshi i Qindarkave, e cila ishte e paduruar ndaj përparimit. Dr. Paul Offit nga Qendra e Edukimit për Vaksinat në Filadelfia, i tha BBC-së se Salku punonte me shpejtësinë dhe fokusin e një kompanie farmaceutike, një stil që sfidonte idetë tradicionale mbi mënyrën se si silleshin shkencëtarët. Ai tha: “Salku dhe Sabini kishin dallime thelbësore për atë se cila do të ishte vaksina më e mirë. Salku mendonte se do të ishte virus plotësisht i vrarë. Sabini mendonte se do të ishte një virus i dobësuar”.
Testimi i vaksinës te familja e tij
Financimi nga Marshi i Qindarkave i dha Salkut një avantazh të qartë. I mundësoi të ngrinte laboratorin e tij në qendër të një spitali funksional në Pitsburg, i rrethuar prej pacientëve me poliomielit. Salku dhe ekipi i tij përdornin një virus të çaktivizuar të poliomielitit për të krijuar vaksinën. Ishte shkencë eksperimentale, ku infermieret dërgonin jashtëqitjet e pacientëve në bodrum nga kati i tretë ku punonin, në mënyrë që laboratori të izolonte virusin. Por, Salku dhe ekipi i tij ende duhej të provonin se vaksina do të stimulonte antitrupat e nevojshëm për të luftuar virusin e poliomielitit.
Zhvillimi i vaksinës kundër poliomielitit, siç i tha ai BBC-së në vitin 1982, erdhi si rezultat i përpjekjeve së durueshme dhe të përsëritura. “Kishte tregues se ka mendësi imunizimi kundër poliomielitit”, shpjegoi ai. “Dhe, pastaj duhej zgjedhur një nga shumë prej rrugëve të mundshme alternative. Gjatë punës, u shfaqën shumë gjëra që nuk ishin parashikuar, dhe duhej të shfrytëzoheshin mundësitë, kështu që në këtë kuptim pati disa suksese gjatë rrugës”. A pati rrugë pa krye? “Rrugët pa krye për mua janë gjithmonë mundësi”, u përgjigj Salku. “Gjithmonë e kam marrë të papriturën si sinjal dhe kam parë shpejt se cilat janë rrugët alternative”.
Zbulimi erdhi “relativisht shpejt, sipas këndvështrimit tim”, tha ai. Dekada të tëra kërkimesh të mëparshme nga të tjerët kishin përgatitur terrenin. Kur Salku filloi në vitin 1948, virusi sapo ishte rritur për herë të parë në kulturë indore, mjetet ishin të qasshme dhe ishin identifikuar tri llojet kryesore të poliovirusit. “Midis viteve 1951 dhe 1952 ishim gati të imunizonim fëmijët. Në vitin 1953 shenjat ishin të qarta, në vitin 1954 u zhvillua prova në terren dhe në vitin 1955 vaksina u bë e qasshme për përdorim të përgjithshëm”.
Raportimet se ai e testoi vaksinën te vetja dhe familja e tij ishin të vërteta. “Sigurisht”, tha ai. “Është rutinë nëse ke mjaftueshëm besim dhe siguri”. Deri në vitin 1952, ai ishte aq i bindur për sigurinë e vaksinës saqë vaksinoi bashkëshorten dhe tre djemtë e tij, si dhe të gjithë ata që punonin me të në laborator. Djali i tij, Peteri, duke folur për BBC në vitin 2020, kujtonte “ditën kur ai erdhi në shtëpi nga zyra, me shiringa dhe gjilpëra të cilat i ziente në sobë në një nga tenxheret tona të kuzhinës, për t’i sterilizuar, i mbushi me vaksinën eksperimentale kundër poliomielitit mbi të cilën po punonte dhe më pas na rreshtoi ne fëmijëve dhe na dha injeksionet”.
Për të ditur me siguri nëse vaksina funksiononte, nevojitej një provë shumë më e madhe. Në prill 1954, filloi eksperimenti më i madh mjekësor në historinë e njerëzimit, që kërkoi bashkëpunimin e më shumë se 50 mijë mësuesve në të gjithë ShBA-në për të imunizuar pothuajse dy milionë fëmijë. U desh një vit verifikimesh të ndërsjella për të konfirmuar lajmin që aq shumë njerëz prisnin me dëshpërim ta dëgjonin.
Njoftimi u bë më 12 prill 1955, pikërisht 10 vjet pas vdekjes së presidentit Franklin D. Roosevelt. Kambanat e kishave kumbuan në të gjithë vendin, sirenat e fabrikave u dëgjuan dhe njerëzit qanin në rrugë nga lehtësimi i madh. Numri i rasteve të poliomielitit - të regjistruara në ShBA -6 ra nga 60 mijë në dy mijë brenda një viti pas vaksinës së Jonas Salkut. Brenda një dekade, poliomieliti në ShBA pothuajse u zhduk.
Një lugë sheqer
Pas suksesit të vaksinës, Jonas Salku u bë i famshëm në mbarë botën - brenda natës. Ai e pa reagimin e jashtëzakonshëm si “një ndjenjë e çlirimit nga frika” dhe jo si një masë të aftësive të tij. “[Reagimi] dukej jashtë përpjesëtimit me kontributet shkencore”, i tha ai BBC-së. “Ishte i paparashikuar dhe i papritur, megjithëse tani, në retrospektivë, duhej të ishte pritshëm”.
Për të shmangur shpërqendrimin nga puna e tij, ai vendosi të mos e merrte shumë seriozisht “këtë sasi të jashtëzakonshme adhurimi”. Ai vazhdoi duke krijuar Institutin e Salkut, një laborator i pavarur jofitimprurës në një shkëmb në Kaliforni, i projektuar për të tërhequr mendjet më të mira të shkencës në botë. “Kjo, mendoj unë, ishte vepra ime e madhe e radhës”, tha ai. “Ky ishte një tempull për krijimtarinë ... një vend ku shpirti njerëzor do të ngrihej”.
Po vaksina rivale e Dr. Albert Sabinit? Ajo administrohej nga goja, dhe jo me injeksion, duke e bërë më të përshtatshme për fushatat e vaksinimit masiv. Madje, ndihmoi në frymëzimin e një prej këngëve më të dashura të Holivudit. Në fillim të viteve ’60 të shekullit XX, babai i Jeffrey Shermanit, Roberti, dhe xhaxhai i tij Richard po punonin për muzikën e filmit të Disney-t, Meri Popinsi [Mary Poppins], dhe po përballeshin me mungesë idesh. Një pasdite, Jeffrey i tregoi babait se atë ditë në shkollë kishte marrë vaksinën orale kundër poliomielitit. “A të dhembi”? - e pyeti Robert Shermani. “I thashë që ma vendosën në një kub sheqeri dhe thjesht e ngrëna”, shkroi Jeffrey Sherman në Facebook. “Ai më pa, pastaj mori telefonin dhe telefonoi xhaxhain tim, Dickun. Ata u kthyen në zyrë dhe bënë këngën Një lugë sheqer - ndihmon që ilaçi të shkojë poshtë [A Spoonful of Sugar - Helps the Medicine Go Down].
Për të mbajtur koston e vaksinave të ulët, as Albert Sabini dhe as Jonas Salku nuk i patentuan zbulimet e veta për përfitime financiare. “Shumë njerëz këmbëngulën që unë ta patentoja vaksinën, por nuk doja ta bëja këtë”, ka thënë Sabini. “Është dhurata ime për të gjithë fëmijët e botës”. /Telegrafi/



















































