Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Mehmeti-Selimi, nuk mori pjesë në votimin për zgjedhjen e Donika Gërvallës si kryetare e Kuvendit, propozim që erdhi nga vetë partia e saj.

Mehmeti-Selimi tha se qëndrimi i saj lidhet me deklaratat e Gërvallës të bëra në të kaluarën ndaj bashkëshortit të saj, ish-komandantit të UÇK-së dhe deputetit Rexhep Selimi.


“Në përgjigje të interesimit të madh të mediave dhe opinionit publik lidhur me arsyen se pse nuk mora pjesë në votim gjatë seancës së sotme, dëshiroj të sqaroj se mospjesëmarrja ime nuk lidhet me motive partiake. Ajo ka të bëjë me një postim të datës 7 shkurt dhe 25 mars 2020, të cilin po e bashkëngjis në këtë shkrim. Këtë shpjegim po e bëj për hir të transparencës dhe respektit ndaj opinionit, mediave dhe në veçanti, përkrahësve e votuesve të Lëvizjes Vetëvendosje. I falënderoj për mirëkuptimin kolegët, aktivistët dhe votuesit e Lëvizjes”, shkroi ajo në Facebook.

Ndaj kësaj situate ka reaguar edhe Donika Gërvalla, e cila duket se iu përgjigj me tone ironike ose metaforike, duke cituar fjalët e babait të saj, poetit Jusuf Gërvalla.

“Rruga e nderës asht ma e zorshmja, po ma e mira dhe e vetmja rrugë e vërtetë për njeriun. Dhe, kush u mundue për nder, nder ka gjetë!”, shkroi Gërvalla.

Ndryshe, me një kërkim të thjeshtë në Facebook, gjenden postimet e Gërvallës, ku në vitin 2020 ajo shkruante: "Sa e gërditshme me e pa pikërisht Rexhep Selimin duke folur për shtetin e së drejtës. Fakti më i shëmtuar që as LVV nuk ka arritur të çlirohet tërësisht nga figurat e saj të diskretuara të botës së krimit”.

Gërvalla mori sot 57 vota, 56 kundër e nga tri abstenime. Kryesuesi i seancës ka ndërprerë seancë për të vazhduar më 22 gusht./Telegrafi/