Në fillim të mësimit, çdo vjeshtë i ngacmoj studentët e mi me pyetjen e mëposhtme: A është më mirë të jesh i varfër në një vend të pasur apo i pasur në një vend të varfër? Pyetja zakonisht shkakton një debat të konsiderueshëm dhe jovendimtar. Por, ne mund të krijojmë një version më të strukturuar dhe të kufizuar të pyetjes për të cilën ka një përgjigje përfundimtare.
Le ta përqendrojmë vëmendjen te të ardhurat dhe të supozojmë se njerëzit shqetësohen vetëm për nivelet e tyre të konsumit (duke shpërfillur pabarazinë dhe kushtet e tjera sociale). “Të pasur” dhe “të varfër” janë ata që janë në krye dhe në pesë përqindëshin e fundit të shpërndarjes së të ardhurave. Në një vend të pasur tipik, pesë përqindëshi më i varfër i popullsisë marrin rreth një për qind të të ardhurave kombëtare. Të dhënat janë shumë më të pakta për vendet e varfra, por nuk do të ishte e tepërt të supozohet që pesë përqindëshi më i pasur atje marrin 25 për qind të të ardhurave kombëtare.
Në mënyrë të ngjashme, le të supozojmë se vendet e pasura dhe të varfra janë ato në krye dhe pesë përqindëshin e fundit të të gjitha vendeve të renditura sipas të ardhurave për frymë. Në një vend tipik të varfër (si Liberia ose Nigeria), kjo është rreth njëmijë dollarë, krahasuar me 65 mijë dollarë në një vend të pasur tipik (të themi Zvicër ose Norvegji… Këto të ardhura rregullohen për diferencat e kostos së jetesës ose fuqisë blerëse, në mënyrë që ato të mund të krahasohen drejtpërdrejt).
Tani, ne mund të llogarisim që një person i pasur në një vend të varfër ka të ardhura prej 5,000 dollarësh (1,000 dollarë x 0,25 x 20) ndërsa një person i varfër në një vend të pasur fiton 13,000 dollarë (65,000 dollarë x 0.01 x 20). Matur nga standardet e jetesës materiale, një person i varfër në një vend të pasur është më shumë se dy herë më i pasur sesa një person i pasur në një vend të varfër.
Ky rezultat i habit studentët e mi; shumica e tyre presin që e kundërta të jetë e vërtetë. Kur ata mendojnë për individë të pasur në vende të varfra, ata imagjinojnë manjatë që jetojnë nëpër vila me shërbëtorë dhe shumë makina të shtrenjta. Por, ndërkohë që individë të tillë sigurisht ekzistojnë, një përfaqësues i pesë përqindëshit të të pasurve në vende shumë të varfra ka të ngjarë të jetë një burokrat qeveritar i nivelit të mesëm.
Pika më e madhe e këtij krahasimi është të nënvizoni rëndësinë e diferencave të të ardhurave në të gjithë vendet, në lidhje me pabarazitë brenda vendeve. Në agimin e rritjes ekonomike moderne, para Revolucionit Industrial, pabarazia globale erdhi pothuajse ekskluzivisht nga pabarazia brenda vendeve. Hendekët e të ardhurave midis Evropës dhe pjesëve më të varfra të botës ishin të vogla. Por, teksa Perëndimi u zhvillua në shekullin XIX, ekonomia botërore pësoi një “divergjencë të madhe” midis bërthamës industriale dhe periferisë prodhuese të mallrave parësore. Gjatë pjesës më të madhe të periudhës së pasluftës, hendeku i të ardhurave midis vendeve të pasura dhe të varfra shkaktonte pjesën më të madhe të pabarazisë globale.
Nga fundi i viteve 1980 e në vazhdim, dy trendë filluan ta ndryshojnë këtë pamje. Së pari, të udhëhequr nga Kina, shumë pjesë të rajoneve të mbetura pas filluan të përjetonin një rritje më të shpejtë ekonomike sesa vendet e pasura të botës. Për herë të parë në histori, banori tipik i vendit në zhvillim po pasurohej me një ritëm më të shpejtë sesa homologët e tij/saj në Evropë dhe në Amerikën e Veriut.
Së dyti, pabarazitë filluan të rriten në shumë ekonomi të përparuara, sidomos ato me tregje pune më pak të rregulluara dhe me mbrojtje të dobët sociale. Rritja e pabarazisë në Shtetet e Bashkuara ka qenë aq e mprehtë saqë nuk është më e qartë se standardi i jetesës së “të varfërve” amerikanë është më i lartë sesa ai i “të pasurve” në vendet më të varfra (me të pasur dhe të varfër të përcaktuar si më sipër).
Këto dy trende hynë në drejtime kompensuese sa i përket pabarazisë së përgjithshme globale-– njëri e uli ndërsa tjetri e rriti atë. Por, të dy këta trendë e kanë rritur pjesën e pabarazisë brenda vendit në total, duke përmbysur një trend të pandërprerë të vërejtur që nga shekulli XIX.
Duke pasur parasysh të dhëna fragmentare, nuk mund të jemi të sigurt përsa i takon pjesëve përkatëse të pabarazisë brenda dhe midis vendit në ekonominë botërore të ditëve të sotme. Por, në një studim të pabotuar bazuar në të dhëna nga Baza e të Dhënave për Pabarazinë Botërore, Lucas Chancel nga School of Economics Paris vlerëson se tre të katërtat e pabarazisë aktuale globale mund të jenë për shkak të pabarazisë brenda vendit. Vlerësimet historike nga dy ekonomistë të tjerë francezë, François Bourguignon dhe Christian Morrison, sugjerojnë se pabarazia brenda vendit nuk ka qenë dhe aq e madhe që nga fundi i shekullit XIX.
Këto vlerësime, nëse janë të sakta, sugjerojnë se ekonomia botërore ka kapërcyer një prag të rëndësishëm, duke na kërkuar që të rishikojmë prioritetet e politikave. Për një kohë të gjatë, ekonomistët si unë i kanë treguar botës se mënyra më efikase për të reduktuar pabarazitë globale të të ardhurave do të ishte të përshpejtohej rritja ekonomike në vendet me të ardhura të ulëta.
Rritja e nacionalizmit populist në të gjithë Perëndimin është nxitur pjesërisht nga tensioni midis objektivave të barazisë në vendet e pasura dhe standardeve më të larta të jetesës në vendet e varfra. Rritja e tregtisë në ekonomitë e përparuara me vende me të ardhura të ulëta ka kontribuar në pabarazinë e pagave të vendit. Dhe ndoshta e vetmja mënyrë më e mirë për të rritur të ardhurat në pjesën tjetër të botës do të ishte lejimi i një fluksi masiv punëtorësh nga vendet e varfra në tregjet e punës të vendeve të pasura. Ky nuk do të ishte një lajm i mirë për punonjësit më pak të arsimuar, me pagë të ulët të vendit.
Megjithatë, politikat e ekonomisë së përparuar që theksojnë barazinë e brendshme nuk duhet të jenë të dëmshme për të varfrit global, madje edhe në tregtinë ndërkombëtare. Politikat ekonomike që grenë të ardhurat në fund të tregut të punës dhe zvogëlojnë pasigurinë ekonomike janë të mira si për kapitalin e brendshëm ashtu edhe për mirëmbajtjen e një ekonomie të shëndetshme botërore që u jep ekonomive të varfra një shans për t’u zhvilluar. /Burimi: Project Syndicate/Në shqip nga: BIRN/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
Lumbardh Salihu jashtë listës së më të votuarve në LDK deri më tani, shanset për t’u bërë deputet zvogëlohen

Më të votuarit e LDK-së nga 60 për qind të votave të numëruara

"Kush është ky", momenti kur Gjesti ngatërron Jezusin me figurën e Çerçiz Topullit në spektaklin e BBVA

Prokuroria Speciale kërkesë gjykatës për të urdhëruar Kurtin të paraqitet për të dëshmuar në prokurori

Trump pretendon se Ukraina e filloi luftën me Rusinë

Kjo është lista e përditësuar me votat e kandidatëve për deputetë të PDK-së

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?

Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!

25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Më të lexuarat

Më të votuarit e LDK-së nga 60 për qind të votave të numëruara

Prokuroria Speciale kërkesë gjykatës për të urdhëruar Kurtin të paraqitet për të dëshmuar në prokurori

Trump pretendon se Ukraina e filloi luftën me Rusinë

"Kush është ky", momenti kur Gjesti ngatërron Jezusin me figurën e Çerçiz Topullit në spektaklin e BBVA

Kjo është lista e përditësuar me votat e kandidatëve për deputetë të PDK-së

Kryeziu: Konsullata e Kosovës në Shtutgart bëri skandal pasi organizoi përvjetorin e pavarësisë në qendrën islame