Spitali i Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë ka rritur kapacitetet profesionale përmes shtimit të stafit shëndetësor, me qëllim përmirësimin e cilësisë dhe efikasitetit të shërbimeve ndaj pacientëve.

Sipas njoftimit zyrtar të spitalit, së fundmi ekipit mjekësor i janë bashkuar tetë mjekë specialistë të profileve të ndryshme, përfshirë tre specialistë pediatër, një specialiste të dermatologjisë, një specialist të radiologjisë, dy specialistë të gjinekologjisë dhe një specialist të oftalmologjisë.


Po ashtu, stafi është përforcuar edhe me nëntë infermierë, prej të cilëve gjashtë infermierë të përgjithshëm dhe tre mami, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e kapaciteteve të shërbimeve spitalore.

Për herë të parë, pjesë e ekipit të këtij institucioni shëndetësor është bërë edhe një logopede, çka konsiderohet hap i rëndësishëm në zgjerimin e spektrit të shërbimeve profesionale për pacientët.

Nga Spitali i Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” bëhet e ditur se gjatë vitit 2026 do të vazhdojë pranimi i mjekëve dhe infermierëve të tjerë, me synimin e vetëm ofrimin e shërbimeve shëndetësore sa më cilësore dhe profesionale për qytetarët e Mitrovicës dhe më gjerë. /Telegrafi/