Rreth gjashtë muaj nga vendosja e taksës – eksporti i produkteve serbe në Kosovë ka rënë prej 98.2 për qind

Kanë kaluar rreth gjashtë muaj që kur Qeveria e Kosovës vendosi taksën 100 për qind për importet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Për efektet e saj si në planin ekonomik ashtu edhe politik, ka mendime e vlerësime të ndryshme. Disa i shohin si pozitive, e të tjerë edhe negative.
Efektet më të mëdha të taksës 100 për qind, ndërlidhen me aspektin ekonomik.
Serbia, e cila para vendosjes së taksës ishte eksportuesja më e madhe e produkteve në Kosovë, për këto gjashtë muajt e fundit ka rënë si eksportuese e mallrave në vetëm 4 milionë euro, derisa për periudhën e njëjtë kohore gjatë vitit 2017, ky shtet eksportonte në Kosovë mbi 200 milionë euro.
Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, thotë për Radion Evropa e Lirë se ka ulje të eksporteve të produkteve nga Serbia në Kosovë prej 98.2 për qind.
“Në përgjithësi është vërejtur një rënie e theksuar e importeve me orgjinë serbe dhe atyre të Bosnjës. Nëse merret periudha janar – prill 2018 dhe krahasohet me periudhën e njëjtë të këtij viti vërehet se nga Serbia ka pasur rreth 134 milionë euro import, derisa në vitin 2019 kemi 2.4 milionë euro import që kemi një ulje prej 132 milionëve”, thotë Stavileci.
Produktet që vinin nga Serbia, sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, thekson Stavileci u zëvendësuan brenda një kohë të shkurtër nga vendet tjera.
“Në bazë të statistikave të doganave, Turqia ka një rritje të importeve në Kosovë prej 31 për qind krahasuar me vitin e kaluar po ashtu produktet nga Gjermania kanë rritje prej 24 për qind, pastaj janë produktet nga Maqedonia me 53 për qind, Shqipëria ka më së shumti përfitime nga kjo me rreth 60 për qind rritje, po ashtu rritje të importeve ka pasur edhe nga Sllovakia, Italia, Kroacia”, thotë Stavileci.
Prodhimet vendore dhe prodhimet nga shtete tjera të cilat kanë zëvendësuar produktet e Serbisë, sipas përfaqësuesve të bizneseve janë më cilësorë, por në disa raste ato janë të më shtrenjta duke bërë që edhe çmimet e konsumit të shënojnë rritje.
Rritje të çmimeve të konsumit në Kosovë, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ka pasur pothuajse çdo vit edhe para vendosjes së taksës.
Derisa në vitin 2016, çmimet e konsumit kishin shënuar ngritje për 0.3 për qind krahasuar me një vit më parë (2015), në vitin 2017 përqindja e ngritjes së çmimeve të konsumit ishte për 1.5 për qind. Ndërkohë në vitin 2018 mesatarja vjetore e ngritjes së çmimeve ishte në 1.1 për qind.
Ngritje të çmimeve thuhet të ketë pasur edhe në muajt e parë të këtij viti.
Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit sipas të dhënave të ASK-së është më i lartë për 3.4 për qind në muajin prill 2019, krahasuar me muajin prill 2018.
Prodhuesit vendor në Kosovë thuhet të jenë ata të cilat kanë përfituar më shumë nga taksa.
Hulumtimet e bëra gjatë kësaj kohe nga shoqatat ekonomike në vend kanë treguar se janë rritur kapacitetet prodhuese dhe është rritur numri i të punësuarve.
Drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha, tha për Radion Evropa e Lirë se shumë kompani kanë filluar të punojnë me tri ndërrime dhe rrjedhimisht kanë rritur edhe numrin e të punësuarve.
“Efekti i parë është se shumë kompani vendore që nuk kanë arritur të depërtojnë për shkak të produkteve të Serbisë që kanë ardhur me çmim më të lirë se kostoja e prodhimit, tani e kanë gjetur veten në treg, efekti i dytë është se kur rritet kërkesa për produktet domosdo rritet edhe numri i punëtoreve. Po ashtu edhe importet e investimeve kapitale, makineri dhe pajisjeve tjera për prodhim janë rritur për 17 për qind në krahasim me vitin e kaluar”, thotë Panxha.
Për efektet e taksës në prodhimin vendor, një raport i Institutit për Studime të Avancuara GAP i publikuar ditë më parë ka vë në pah se prodhuesit vendorë nuk kanë arritur t’i shfrytëzojnë mundësitë e taksës siç është menduar.
Megjithatë, sipas përfaqësuesve të biznesit, Kosova e cila ka trashëguar industri prodhuese të shkatërruar pas luftës dhe e cila në masë të madhe ka vazhduar të jetë e varur nga importet, në një periudhë të shkurtër nuk do të mund të arrinte që të zëvendësonte të gjitha ato produkte të cilat ishin importuar nga Serbia.
“Prodhuesit vendor automatikisht nuk mund t’i mbulojnë të gjitha kërkesat 100 për qind me prodhim vendi, njëkohësisht nuk është problemi tek prodhuesit, por edhe tek konsumatorët ku ende mungon vetëdija konsumuese për prodhim vendi. Por, mund të themi se ka pasur rritje të ekonomisë, ka pasur rritje të prodhimit dhe të punësimit dhe mund të themi të gjitha sferat ekonomike pas taksës janë pozitive për Kosovën”, thotë kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit Agim Shahini.
Ndikimi politik i taksës
Vendosja e taksës 100 për qind për produktet me origjinë nga Serbia, përveç efekteve ekonomike-tregtare, ka treguar edhe efekte politike.
Kryeministrit i Kosovës, Ramush Haradinaj taksën e kishte theksuar me efekte pozitive si në aspektin politik edhe atë ekonomik. Në deklarimet e tij, Haradinaj kishte potencuar se përmes taksës, Kosova i ka dhënë përgjigje ofensivës diplomatike të Serbisë ndaj shtetit të Kosovës, si dhe ka penguar idenë e hapjes së bisedimeve për çështjen e kufirit si rezultat eventual i një marrëveshjeje Kosovë – Serbi.
Por, taksa 100 për qind, sipas disa liderëve tjerë politik theksohet se përkeqësoi raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të Bashkimit Evropian. SHBA-ja dhe BE-ja, që nga fillimi i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës që të pezullojë taksën në mënyrë që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të vazhdojë.
Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe nënkryetar i Partisë Demokratike, Enver Hoxhaj, si njëri nga ata që janë përfolur si ideator i vendosjes së taksës, përmes një shkrimi në Facebook pati shkruar se raportet e Kosovës me vendet që i konsideron si mike, në këtë rast me SHBA-në, janë në nivelin më të ulët.
“Përgjatë përvojës time pesëmbëdhjetë vjeçare në politikë, fatkeqësisht, ndodhemi në pikën më të ulët të marrëdhënieve Kosovë-SHBA dhe ky duhet të jetë shqetësim për politikën dhe shoqërinë në Kosovë”, pati shkruar Hoxhaj.
Përfaqësuesit e mekanizmave ndërkombëtarë, përfshirë këtu ata të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që e konsideruan taksën me efekte negative, pos tjerash e kanë fajësuar Kosovën edhe si shkelëse të Marrëveshjes për Tregti të Lirë, CEFTA.
Debatet rreth taksës kanë vazhduar që nga vendosja e saj më 21 nëntor të vitit të kaluar.
Analisti i çështje politike nga instituti Demokratik i Kosovë, Artan Murati në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thotë se në aspektin politik ndikimin më të madh, taksa ka pasur në procesin e dialogut me Serbinë.
“Vendosja e taksës po merret si kusht për mospjesëmarrje në dialog nga ana e Serbisë, kjo ka ndalur edhe tërë procesin e dialogut. Duke e pasur parasysh rëndësinë e procesit dhe integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian, normalisht që kjo na ka lënë mbrapa gjatë këtij rrugëtimi. Është për keqardhje që jemi në këtë situatë të tillë ku Serbia është shteti i cili nuk i respekton marrëveshjet e arritura në Bruksel, kurse ne krijojmë përshtypjen se ne jemi duke penguar procesin e dialogut”.
“Në aspektin tjetër politik ka ndikuar direkt në raportet mike të Kosovës pasi që kemi parë një thirrje të vazhdueshme të shteteve si Gjermania, Franca si dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të hiqet taksa dhe si rrjedhojë kjo mund të jetë ftohje e raporteve, por që nuk është se ka ndikuar në aspekt praktik, sepse nuk kemi pasur ndonjë veprim konkret nga shtetet e përmendura”, thekson Murati.
Ai thotë se në aspektin e brendshëm kanë vazhduar polarizimet dhe debatet për dhe kundër taksës dhe në veçanti, siç thotë Murati, diskutimet banale se kush e vendosi taksën dhe kush po i merr iniciativat për ta hequr.
“Si efekt pozitiv është apostrofuar çështja që taksa e ka hequr vëmendjen nga tema ekorrigjimit të kufijve, që deri diku qëndron si e vërtet, pasi që një çështje e tillë me siguri që do të diskutohet në dialogun me Serbinë dhe duke e pamundësuar dialogun është pamundësuar edhe diskutimi për shkëmbim të territoreve që është një ide e rrezikshme e që asesi politika nuk do të duhej të lëshohet në këto diskutime pa pasur një agjendë dhe një plan konkret për këtë çështje”, thekson Murati.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka nisur në vitin 2011. Bashkimi Evropian, si ndërmjetësues i këtij procesi, ka kërkuar nga të dyja palët që të arrijnë një marrëveshje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve, e cila do t’u hapte rrugë të dyja shteteve në perspektivën evropiane.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka ngecur tash e sa muaj, pasi Serbia e sheh si pengesë për këtë proces taksën 100 për qind që Kosova u ka vënë prodhimeve të importuara nga Serbia qysh në nëntor të vitit të kaluar.
Megjithatë, një nivel tjetër i dialogut ndërmjet liderëve institucionalë të të dyja vendeve pritet të zhvillohet më 1 korrik në Paris, nën lehtësimin e presidentit francez, Emanuel Macron, dhe kancelares gjermane, Angela Merkel.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëNga Rubrika

Hoti: Viti 2025 nis me fatura të rritura të tatimit në pronë, 60 për qind më të larta se në 2021-ën

Mashtrimet bankare përmes E-mail-eve dhe SMS-ve: 36 raste të keqpërdorimit të kartelave në 2024 – BQK dhe SHBK rrisin masat e sigurisë

Bie në mënyrë drastike çmimi i kriptovalutës së Melanias – gjithçka duket si një grabitje e madhe

Mashtrimet bankare përmes E-mail-eve dhe SMS-ve: 36 raste të keqpërdorimit të kartelave në 2024 – BQK dhe SHBK rrisin masat e sigurisë

Bie në mënyrë drastike çmimi i kriptovalutës së Melanias - gjithçka duket si një grabitje e madhe

Trump është president, bursat po bien, Bitcoin po humb vlerë - çfarë po ndodh në SHBA?

Hoti: Viti 2025 nis me fatura të rritura të tatimit në pronë, 60 për qind më të larta se në 2021-ën

Afati i aplikimit po afron për bursa për studentë nga Kosova për studime Bachelor dhe Master në CITY College

Pse bizneset kosovare duhet të investojnë në një strategji të mirëfilltë të rrjeteve sociale në vitin 2025?

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

Marrëveshje: Melodia Px dhe Telegrafi Deals janë dakordu që atletet Nike për femra ti ofrojnë për vetëm 69.95€, deri më 09 mars!

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?

Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
Më të lexuarat

Gjesti deklarohet pas zarfit të zi: Pata një moment shumë të vështirë, po marr ngarkesë të madhe prej dy personave këtu brenda

Ilir Shaqiri ironizon keq me Gjestin pas tentativës për t’u larguar nga BBVA, e krahason me 'majmun kacavjerrës'

Zarf i zi për Gjestin në shtëpi, Vëllai i Madh njofton se ai ka shkelur rregullat flagrante të lojës dhe vendimi për të do të jepet të shtunën

Ndërron jetë njëri nga të plagosurit, dyshohet të jetë babai i të akuzuarit për vrasjen e boksierit kosovar

Nga Instagrami i Gjestit e konfirmojnë që ai deshi të arratisej nga shtëpia e BBVA duke kapërcyer murin?

Cila është rruga e 'Gold Card' e Trump drejt shtetësisë dhe si mund të funksionojë?