“Kur jeton në Islandë, aq larg prej çdo gjëje tjetër, nuk e ke idenë nëse diçka që ti bën do të dëgjohet jashtë Reikjavikut. Nuk e di se si ia dolëm”, ka thënë Jon Thor Birgisson, lideri i kult-grupit islandez, Sigur Ros.
Për herë të parë e kam dëgjuar këtë grup në vitin 2002, kur Blerim Shala – që ndër të tjera është një prej koleksionistëve më të mëdhenj të rock-muzikës – ma solli si dhuratë albumin e tyre të atij viti. “Duhet ta dëgjosh. Muzikë e veçantë. Me vokale të çuditshme”, më tha. Në shikim të parë, diçka vërtetë e veçantë – si mbështjellësja e CD-së ashtu edhe bukleti. Minimalizëm. Shtypje në paus! Titulli veç me dy kllapa “( )”. Faqet shumica të bardha (në dritë mund t’i vëreje paksa ato kllapat e dekoruara). Asnjë fjalë aty.
Në atë kohë e kisha një shkrim për rock-skenën e Kosovës dhe njëri më thotë: “Shqipen e kishim barrierë gjuhësore për të depërtuar jashtë, se shumë larg kishim shkuar”?! Arsyetim pa arsyetim. Sigur Ros e kanë krijuar një gjuhë – për muzikën e tyre – të cilën e quajnë Vonlenska! Nëse më parë Karl Jenkins me “Adiemus” e Vangelis me “Conquest of Paradise” e përdornin të ashtuquajturën pseudo-latinishte (ndryshe – latinishte qenqe), duke trilluar fraza që tingëllojnë bukur – sepse qëllimi i tyre nuk ishte teksti me kuptim, por me muzikalitet – Sigur Ros përdorin diçka që tingëllon më “ashpër”, si toka e tyre, por që prapë përshtatet me muzikën dhe me konceptin e tyre minimalist. Pra, gjuha nuk është barrierë. Barrierë është mediokriteti.
Prej atëherë kam pasë kureshtje për Islandën. Për këtë shtet që banorë ka ndoshta më pak se Prishtina. Për këtë shtet që vendin më të “afërt” fqinj i ka Ishujt Faroe – gati 800 kilometra larg. Për popullin me gjuhën më të pastër që nuk e lejon “infektimin” me fjalët e huaja. Për shtetin me emra të mëdhenj në letërsi (pa harruar sagat e tyre), në pikturë, në muzikë, në film, në sport … Përgjigja që sot ia jap vetes është: forca, shpirti luftarak viking.
Islanda ka qenë ndër vendet më të varfra të Evropës deri në Luftën e Dytë Botërore (hiç këtu shqiptarët, që vazhdojnë të jenë ende më të varfrit), derisa nuk ndihmohen nga amerikanët me Planin Marshal. Një vend jopjellor, i ftohtë, i pllakosur disa herë nga zija e bukës për çka të huajt, kur i provojnë ushqimet tradicionale të tyre (si peshkaqeni i fermentuar), nuk munden t’i përpijnë. Ishte vend pak e hiç tërheqës për turistët, derisa më 1970 Led Zeppelin nuk e këndojnë këngën “Immigrant Song” me vargjet: “Valhalla, jam duke ardhur”. Apo, kur më 1972 Reikjaviku mësyhet nga gazetarët e botës për ta ndjekur Kampionatin Botëror të Shahut mes amerikanit Bobby Fischer dhe rusit Boris Spasssky (që perceptohej në suazat e Luftës së Ftohtë, sidomos kur amerikani e përmbys supremacinë ruse në shah).
Islanda të mahnit me artin që ofron. Kjo bindje përforcohet edhe kur e sheh filmin debutues të regjisorit Valdimar Johannsson – “The Lamb” (Qengji). Po e përsëris: film debutues! Skenari është shkruar nga Johannsson dhe shkrimtari që shkurtimisht njihet si Sjorn (i përkthyer në mbi 30 gjuhë). Gjithçka në film duket si bartje në të tashmen të pjesëve të sagave të vjetra që reflektojnë luftën dhe konfliktet e banorëve të parë të Islandës. Por, ky konflikt nuk është brenda një shoqërie!
Ngjarja zhvillohet në një fermë me dele e desh si në mes të asgjësë. Janë vetëm tre aktorë që bëjnë role të shkëlqyera (dhe një në TV). Secili unik në rolin e vet, siç ishin edhe “rivalët” … nga bota shtazore!? Fjalë ka pak. Nga ajo që kam parë deri sot, është filmi i vetëm ku shtazët shihen si karaktere. Si pjesë e lojës. E ka thënë edhe regjisori – kur i ka falënderuar fermerët për ndihmën – se ka bërë regji edhe me shtazët. Kjo vërehet sidomos në fillim të filmit, ku delet në stallë duket se janë pjesë e një koreografie.
Çifti Maria dhe Ingvar merren me fermën. Puna i bënë të jenë të lidhur me njëri tjetrin; kanë edhe mirëkuptim për njëri-tjetrin. Por, çojnë një jetë pa emocione, si moti i ftohtë islandez. Më parë kishin humbur të bijën e tyre të quajtur Ada. Mungesa e saj ua kishte krijuar një boshllëk shpirtëror, si hapësira e madhe ku jetonin. Por, jeta e tyre merr kah tjetër, kur ndodh diçka e çuditshme: një dele polli një krijesë të çuditshme, gjysmë qengj e gjysmë njeri.
Nuk dihet pse regjisori u përcaktua për delen kur ato nuk kanë rëndësi për mitologjinë pagane nordike. Derisa në këtë mitologji përmendet kali, dreri, ujku, derri, sorra, gjarpri, dhia … delja ka pasë vlerë veç për jetën e përditshme, si burim ushqimi. Dhe, nuk është se regjisori na ofron nuanca të doktrinës së krishterë, të Agnus Deit. Sidomos jo me mënyrën se si përfundon filmi (edhe pse vlen thënia: “Nuk do të vrasësh”, Eksodi 20:13).
Në anën tjetër, nëse i analizojmë veprat e mëhershme të kinemasë kur apokalipsi perceptohej se vinte nga bota e jashtme – nga goditjet e kometave apo nga sulmet e UFO-ve – sot ajo del se vjen si rezultat i ndryshimeve klimatike. Por, në film, me atë natyrë të bukur, ka harmoni ideale mes botës njerëzore dhe asaj shtazore.
Krejt kjo harmoni, kjo paqe, shkatërrohet kur çifti Maria dhe Angvar e çojnë krijesën hibride në shtëpi. E quajnë Ada dhe e rrisin si bijë të tyre. Këtu nis konflikti me nënën biologjike që – vërtetë është e çuditshme kur e them këtë, por e kuptoni kur e shihni filmin – sikur e luan një “rol”; reflekton dhembje para dritares së shtëpisë ku jeton krijesa e saj, si Maria para varrit të së bijës.
Me Adën lind konflikti mes asaj që të takon e asaj që kërkon; mes asaj që je e asaj që dëshiron të jesh; mes të zotit e shërbëtorit … mes dy botëve të kundërta. Dhe, si rëndom, e keqja më e madhe vjen kur lakmia ta errëson arsyen. Lufta mes nënës adoptuese dhe nënës biologjike përfundon me vrasje. E, dihet, viktimat janë kryesisht ata që nuk vlerësohen me emra po me numra!
Interpretimet për këtë film mund të jenë të ndryshme. Ka shumë simbolika aty. Nëna biologjike e qenies hibride mban numrin 3115. Sipas numerologjisë, kjo nënkupton se ti je krijues i jetës tënde dhe se duhet të marrësh vendime për veten tënde. Por, ndoshta zbërthimi më i mirë jepet me këto thënie shqiptare: “Mos hy në gjynah me hajvanin” dhe “Ajo që është e huaja nuk bëhet kurrë e jotja”!
Para shtatë vjetësh, Islanda ishte në garë për Oscar me filmin “Rams”, me pak personazhe e me shumë dele e desh. Sivjet në garë është edhe “The Lamb”. Ia vlen t’i shihni që të dy këta filma. Mbi të gjitha sepse temat islandeze janë unike në kinematografi. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

Për vetëm 29.95€ me Telegrafi Deals dhe Melodia PX, këto patika bëhen tuajat!

Marrëveshje: Melodia Px dhe Telegrafi Deals janë dakordu që atletet Nike për femra ti ofrojnë për vetëm 69.95€, deri më 09 mars!

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?
Më të lexuarat

Pas uniformës së policisë, shantazhuese dhe punonjëse seksi në Dubai e Mikonos: Kush është oficerja shqiptare?

Kryeministri i Malit të Zi kërkon heqjen e shtetësisë për biznesmenin kosovar

Policia jep detaje për zhdukjen e 54-vjeçares - kërkimi po bëhet edhe me dronë

Ndërprerja e energjisë elektrike në Spanjë dhe Portugali: çfarë e shkaktoi dhe a pati ndonjë sulm kibernetik?

Pse LVV nuk i votonte kryeparlamentarët e tjerë, përgjigjet Haxhiu

Aeroplani luftarak amerikan F-18 bie nga aeroplanmbajtësja dhe përfundon në Detin e Kuq, marina humb fluturaken 70 milionë dollarëshe