Ryan Mason duhet ta falënderojë ish-klubin e tij, Tottenham Hotspur, jo vetëm që ia shpëtoi karrierën, por që ia ka shpëtuar edhe jetën.
Mesfushori i Hull Cityt pësoi një frakturë në kafkë pas përplasjes me Gary Cahill në ndeshjen kundër Chelseat dhe iu nënshtrua urgjentisht ndërhyrjes kirurgjike, ndërsa tani është në gjendje të qëndrueshme shëndetësore.
Por, arsyeja e intervenimit të menjëhershëm të grupeve paramjekësore dhe largimin e tij nga fusha kanë të bëjnë me disa rregulla të reja të Federatës Angleze të futbollit dhe Ligës Premier, të iniciuara pikërisht nga Spursat.
Në nëntor të vitit 2013, portieri Hugo Lloris pësoi një lëndim serioz në kokë në ndeshjen kundër Evertonit, ndërsa atij iu lejua të vazhdonte të luajë me këtë dëmtim, edhe pse e kishte humbur vetëdijen pas goditjes me gju nga Romelu Lukaku.
Pas këtij incidenti, klubet morën një rregullore të re se si të vepronin me lojtarët në rast të dyshimeve për lëndime serioze në kokë, në mënyrë që të mos ndodhë ndonjë tragjedi.
Prandaj reagimi në rastin e Mason ishte i menjëhershëm. Në këtë mënyrë ai i ka shpëtuar më të keqes.
Edhe Chelsea që nga lëndimi i Petr Cech në vitin 2006, vazhdimisht ka kërkuar ndryshime, ndërsa një prej arritjeve ishte përfshirja e një mjeku në hyrjen e tunelit për t’i ndihmuar lojtarët e lënduar në kokë. /Telegrafi/