Avokati shqiptar Shefqet Dizdari, i cili gjatë periudhës së luftës kishte ndërmjetësuar ndërmjet grupeve të shqiptarëve të Kosovës, ka ardhur për herë të parë me një rrëfim për luftën e Kosovës që nga fazat përgatitore.
Dizdari, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin transmetuar në RTV Dukagjini, ka thënë se për institucionet e atëhershme të Kosovës ka organizuar edhe takime të ndryshme ndërkombëtare për furnizimin e frontit të luftës me armë.
Ai kujton një takim që kishte organizuar në Izrael për të blerë armë, përcjell Telegrafi.
“Jonuz Tërstena ishte në krye të delegacionit si Ministër i Punëve të Brendshme të Kosovës bashkë me dy oficerë të Ministrisë së Mbrojtjes [FARK-ut]. Takimi ishte zyrtarë. Prej një jave kemi vizituar të gjitha uzinat dhe fabrikat e armëve. Kanë kaluar shumë vite dhe ky më nuk është një sekret. Na janë prezantuar të gjitha llojet e armëve që ata dispononin. Kanë rënë dakord që këto armë të silleshin në Kosovë dhe ashtu ka ndodhur”.
Dizdari thotë se armët janë blerë nga Izraeli pasi sipas tij askush në botë nuk dhuron armë pa pagesë, por thotë se për fat të keq më pas filluan të blejnë armë në mënyrë klandestinë nëpër Evropë në mënyra jo serioze.
Ai thotë se vizita në Izrael ishte shumë e rëndësishme pasi një shtet pranoi të përfshihej në këtë luftë me armë.
“Izraeli kishte helikopterë që nuk mund të goditeshin nga armët që posedonte Jugosllavia në atë kohë. Plani ishte që me këta helikopterë të dërgoheshin armë në zonat e Kosovës”, tha ndër të tjera Shefqet Dizdari./Telegrafi/