LAJMI I FUNDIT:

Rrëfimi i nënës që humbi dy djemtë dhe burrin në luftë: 10 maji i vitit 1999 ishte dita e fundit kur i pashë

Rrëfimi i nënës që humbi dy djemtë dhe burrin në luftë: 10 maji i vitit 1999 ishte dita e fundit kur i pashë

Luljeta Sharani, nga komuna e Gjakovës, i ka humbur gjashtë anëtarë të familjes së saj, më 10 maj të vitit 1999.

Në mesin e tyre, ajo ka humbur burrin e saj dhe dy djemtë. Ajo e kujton si sot, maltretimi që u është bërë asaj dhe familjes. Gjithçka kishte filluar më 9 maj të vitit 1999, një ditë para zhdukjes së familjarëve të saj, për të mos i parë më kurrë të gjallë.

Në këtë datë, ushtria serbe i kishte hyrë familjes Sharani në oborr, duke i malltretuar fizikisht e psiqikisht.


“Më 9 maj filloji tragjedia në familjen Sharani, kur hyn në orën 17 ushtria, na maltretuan në forma të ndryshme. Na urdhëruan të dalim jashtë në rrugë, prej vjehrrës që ishte më e vjetra, deri te visari më i riu që ishte. Dy kunetët dhe dy fëmijët i ndalën te dera, neve na shtrin për toke dhe duart për mure, i kishin automatet te ngritura sikurse të gjironin filma”, tha ajo.

Ajo rrëfeu, se përpos dhunës e torturave, ushtarët serbë edhe i plaçkitnin shqiptarët. Për këta arsye, ajo ka treguar që burrat mbanin të holla në gjep, në mënyrë që nëse ndaleshin nga serbët, t’ua jepnin paratë e të liroheshin nga ta.

Sharani, tregoi se dy djemtë e saj ishin në gjendje të bashkoheshin me UÇK-në, por për shkak të mungesës së armëve, nuk shkuan të luftonin me ta.

“Bërtisnin, na plaçkitën. Burri dhe djemtë kishin të holla në gjepa, arsyeja pse i mbanin të hollat, sepse kishin dëgjuar se nëse i japin të holla, sepse ishin të etshëm për të hollat, me i deportu apo me u largu. Djemtë kanë qenë kategorik të flaktë, të mos largohen, donin t’i bashkoheshin UÇK-së, por armë nuk kish të mjaftueshme dhe mbetëm deri më 9 maj në shtëpi”, u shpreh Sharani, për RTV Dukagjini.

“Kur na qitën në rrugë, kur i pashë valonin dhe visarin shtritë përtokë, u gjuajta në mes të tyre”, tha ajo me gjysmë zëri.

Sharani, tregoi edhe një moment delikat, ku djali i saj, Valoni, kishte refuzuar të fliste me ushtarët serbë, edhe pse ata ia thirrnin emrin.

“Valoni ka lind në Prizren, në atë vit ka pasur renovim spitali i Gjakovës, kemi shku në Prizren, në letërnjoftim, shkruajke në Prizren. Kur i morën ID-të, ushtria serbe, po shohin Prizren dhe po pyesin kush është prej Prizrenit. Prita që djali të lajmërohet, por nuk folke. Po i them Valon me ty e kanë, lajmërohu. Më tha, më lërë të qetë se unë nuk flas me ta. U detyrua unë, me thanë është djali im, ka lind në Prizren, por banon me ne në Gjakovë. Pastaj me toki-voki, u dëgjuem duke thënë se ‘jemi në familjen Sharani, çfarë të bëjmë me ta’. E kuptuam që ta thanë ‘futni brenda’”, rrëfeu Sharani.

Sharani tregoi se si u kërcënuan nga serbët dhe kërkuan informacione për UÇK-në.

“Në bodrum na ngujuen të gjithëve, gra e fëmijë. Na ishim në dysheme, ata në karrika e korridor me automatikë. Filluan nga Skiferi, burri, duke i thënë ‘ti je intelektual’? Ai tha jo, ‘njeri i thjeshtë’. I thanë ‘e dimë kush je’. Ia dhanë ID-në, burri i tha faleminderit, kurse serbët i thanë mbylle gojën se të vrasim.

“Më thanë cilët janë fëmijët e tu, i thash dy djemtë dhe vajza. Më tha ‘a i do djemtë e tu?’ I thashë ‘si çdo nanë’. Më tha ‘ju lehtë e keni, jeni krejt këtu, ne që katër muaj si kemi parë familjarët’. I thash ‘dashtë Zoti të kryhet sa më shpejt kjo, dhe të ktheheni te familjarët dhe ne të vazhdojmë këtu’”.

“U kthyen nga kunati, e pyetën ‘ku është UÇK-ja?’ Ai tha se nuk e di a ekziston UÇK-ja? Prej xhepit të vet e nxjerrri kapelën e UÇK-së, dhe ia gjujti për fytyre. Kërkuan kush është zot shtëpie, kunati u lajmërua, e morën me vete lart, kërkuan pije. Ata të dehur ishin, kur i pinë ato u dehën edhe më shumë. Kur zbritën poshtë edhe më të dehur”, u shpreh Sharani.

Pas ushtrisë serbe, ditën e nesërme në oborrin e familjes Sharani zbarkuan policët serbë. Kjo ishte edhe dita e fundit, që Luljeta Sharani, i pa të gjallë burrin dhe dy djemtë e saj.

“Të nesërmen me 10 maj u thyen dyert, hynë brenda policia, me uniformë të kaltër. Numër i madh, të armatosur, ne duarthatë, të mbështetur për muri. Sa mujtëm unë Skiferi, nuk kemi bë asgjë, ju lutem na lironi, nuk na dëgjonin.

“Na morën me shkelma e automatikë, gra e fëmijë na qitën jashtë. 11 meshkuj i ndalën. Familjes Sharani 6, Saraqini 4 dhe një familjes Berisha. Kur dolëm në rrugë çka me pa, policë, nja 200”, rrëfeu ajo.

Sharani, tregoi se si vajza e saj, e kishte bindur të mos kthehej në shtëpi, për të parë se a janë gjallë apo jo, burri dhe djemtë.

Duke iu dridhur zëri, ajo tregoi se vajza e saj, iu kishte përgjëruar që të mos e linte.

“Insistova me u kthy në shtëpi, sepse rafalët u dëgjuan. Nuk i kanë ekzekutu aty, por me kriju panik, ata gjuajshin. Ashtu e kemi kuptu, që pa i malltretu e dhunu nuk ia kanë marrë shpirtin”.

“I thash vajzës që ku e ke gjyshen, unë du mu kthy te babi e djemtë, sepse s’mund të jetoj pa ta. Aq shumë mu lut, ‘mam të lutem mos më lërë vetëm’. Unë i humba ndjenjat, nuk dita çka u bë me mu. Kunata arriti me u kthy në shtëpi, prej 11 burrave të rreshtum vetëm burrin nuk e ka pasur. Kur e kanë fut në bodrum, i kanë thënë ‘pare na jep nëse do të shpëtojmë burrin’”, tha ajo.

Për vdekjen e tyre, Sharani kishte kuptuar pas 8 viteve kërkim. Pas 8 viteve ishin kthyer eshtrat e familjarëve, për ta zbutur dhimbjen sadopak.

“E kuptuam që nuk janë më, pas lloj-lloj protestash që i kërkuam, falë zërit të nënave, që ngritëm zërin, tërë kohën të gjitha rrugët i kemi la me lot. Kemi trokit në çdo derë, nuk kemi gjet ndihmë. Për 4 vjet e shtatë muaj, në grupin e parë kur ka fillu me i kthy, në grupin e parë ka qenë kunati, më 2003. Mbas 4 muajsh, më 18 prill 2004 e kthyen burrin dhe dy kunetët. Pas tre vjetësh, më 2007 e kthyen Valonin edhe Visarin pas 8 viteve u kthyen”, tha ajo.

Dhimbja sipas saj është pak më e vogël pasi janë kthyer eshtrat, por Sharani rrëfen se ajo nuk zhduket asnjëherë, dhe se kujtimi për më të dashurit e saj, nuk do të shterohet asnjëherë.

Ajo e rrëfeu një moment, kur i kishte parë dy djemtë e saj të shtritë në tokë. Me t’i parë në atë gjendje, nëna e tyre ishte gjuajtur mbi ta. /Dukagjini/

Në trend Lajme

Më shumë
Protestat masive në Serbi, sugjerohet që Kosova të mos ndërhyjë

Protestat masive në Serbi, sugjerohet që Kosova të mos ndërhyjë

Lajme
Vdes infermierja Bedrije Gashi, shërbej për tre dekada në Klinikën e Neonatologjisë

Vdes infermierja Bedrije Gashi, shërbej për tre dekada në Klinikën e Neonatologjisë

Lajme
KQZ publikon video ku jep udhëzimet se si duhet plotësuar fletëvotimin, fton qytetarët të votojnë më 9 shkurt

KQZ publikon video ku jep udhëzimet se si duhet plotësuar fletëvotimin, fton qytetarët të votojnë më 9 shkurt

Lajme
Gjashtë vjeçari humb jetën në spitalin e Lushnjës, “pësoi arrest kardiak sapo u fut në ambulancë për Tiranë”

Gjashtë vjeçari humb jetën në spitalin e Lushnjës, “pësoi arrest kardiak sapo u fut në ambulancë për Tiranë”

Lajme
Pjesëmarrja e diasporës në zgjedhje, KQZ do të angazhojë 414 anëtarë për Këshillat e Vendvotimit në 19 shtete

Pjesëmarrja e diasporës në zgjedhje, KQZ do të angazhojë 414 anëtarë për Këshillat e Vendvotimit në 19 shtete

Lajme
Theren me mjet të mprehtë dy vëllezër në Drenas, policia arreston tre persona

Theren me mjet të mprehtë dy vëllezër në Drenas, policia arreston tre persona

Kronika e Zezë
Kalo në kategori