LAJMI I FUNDIT:

Rojtarët e demokracisë…

Parlamenti dhe Qeveria luajnë një rol të pandashëm në formimin e ligjeve të Republikës së Kosovës. Ato janë institucione të veçanta që punojnë ngushtë, së bashku, kështu që është lehtë t’u përzihen kompetencat. Pikërisht i dallon përgjegjësia-papërgjegjësia dhe qëllimisht ndodhë që secili, apo asnjëri prej tyre, shprehet se nuk është përgjegjës për të hedhur pastaj problemin në Gjykatën Kushtetuese (edhe pse Gjykata Kushtetuese nuk është pjesë e marrëveshjeve, por as që ka reaguar ndonjëherë, nuk ka treguar as ndonjë interesim kur u arritën marrëveshjet).

Janë rritur llafet që nga deklarimi i "ustajve" të huaj për amendamentin për procesin zgjedhor e deri në zbatimin e marrëveshjes trepalëshe PDK-LDK-AKR për zgjedhjen e presidentit, të sponzoruar nga ish-ambasadori amerikan z. Dell. Marrëveshja humbi validetin pas dhënies së së mendimit të Gjykatës Kushtetuese se kryetarja e vendit mund të përfundojë mandatin pesëvjeçar. Athua do të ngre dikush në Gjykatë çështjen e validitetit të marrëveshjes dhe si rrjedhim procedurën e nominimit, kandidimit dhe zgjedhjes së presidentes? Cili do të jetë opinioni i saj për validitetin e marrëveshjes së nënshkruar?


Çështja shkon aq larg saqë vet mendimi i Gjykatës konteston edhe procedurën e votimit të dalë nga marrëveshja. Shtrohet pyetja a po vihet ky institucion mbi Parlamentin? Parlamenti është autoriteti më i lartë legjislativ; ka përgjegjësinë për të kontrolluar punën e qeverisë dhe të bëjë ekzaminimin e saj, të debatojë dhe të miratojë ligjet e reja. Është i njohur edhe si legjislaturë!

Se do të pësojë fiasko marrëveshja, këtë e kishin kuptuar shumica e atyre që njohin realitetin kosovar sipas menysë "Zanzibar", atëherë kur filluan të fluturojnë në ajër puplat e dyshekut të përbashkët të koalicionit qeverisës PDK-LDK. Njëherë mendohej se ishte intermexo publiciteti, derisa ish presidenti Sejdiu kuptoi se marrëveshja "xhentëlmene" në mes të Thaçit dhe Sejdiut – e mbështetur nga ambasadori me mëngë të gjata z. Dell – ishte konstitucionalisht e pavlerë, edhe pse marrëveshjet e tilla politike duhet të kishin validitetin ligjor.

Të zgjedhurit e popullit janë burimi i ndërtimit institucional të pushtetit, duke përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese. Pra, vendimet e tilla janë të ligjshme. E si do të dukeshin ndryshe në parlamentin britanik, shtet i cili funksionon në bazë të marrëveshjeve të sponzoruara nga qeveria e të votuara në "Dhomën e Ulët", edhe pse Mbretëria e Britanisë së Madhe nuk ka Kushtetutë të shkruar (dhe konsiderohet shteti më respektabël ligjor i bazuar në zbatimin e marrëveshjeve që kanë fuqinë ligjore dhe konstitucionale).

Në rastet kur abrogohet marrëveshja, shkohet në mocionin e besimit-mosbesimit. Qeveria duhet të mbajë besimin e shumicës në Parlament. Nëse vota tregon se nuk ka besim në qeverinë, qeveria mposhtet me një mocion mosbesimi – ose duke mposhtur politikën që qeveria ka treguar se marrëveshja nuk është "çështje e besimit". Pastaj, zgjedhjet e përgjithshme do të duhej të mbaheshin nëse kalon me vota mocioni i mosbesimit në qeverinë e tashme. Është çështje diskutabile se sa larg do të shkojnë LDK dhe AKR, duke marrë parasysh orarin e ngjeshur të Parlamentit, pastaj mundësitë e zvarritjes, dialogu politik, deri te presioni ndërkombëtarë…

Pushtetarët në pozitë e opozitë, veprimet e tyre politike i kanë kopje të raporteve rajonale ose evropiane, që nënkupton se nuk kanë ide të veta se çka duhet të arrihet, ku duan të shkojnë e çka mund të përfitojnë. Për çdo proces kombëtar u duhet të harxhojnë shumë kohë dhe energji. Së pari duhet të bëjnë luftë në mes veti, me fundërrinat e okupatorëve të ndryshëm, e pastaj të merremi me të tjerët. Kjo mund të tingëllojë si diçka e pa kuptimtë, por realiteti e dëshmon një gjë të tillë.

Nëse ndodhë ndonjë e papritur, atëherë shumë shpejt lë të kuptohet se aktivistët partiak do të lirohen nga barra e pavarësisë, e sovranitetit, e dialogut politik me Serbinë, duke kaluar në atë më me frymë garuese – zgjedhjet. Pastaj, elektorati do të ketë kënaqësi të veçantë të lexojë biografitë e kandidatëve, sa herë që mbahen zgjedhjet.

Poliglotët e vërtetë, nga një gjuhë e deklaruar si e mësuar në bankat shkollore, serbokroatishtja, tash janë bërë njohës edhe të kroatishtes, edhe të boshnjakishtes e edhe të serbishtes, duke ia bashkangjitur edhe ndonjë dialekt tjetër ballkanas. Nuk është keq që e dinë edhe shqipen, edhe pse çalojnë shumë, dhe sigurisht po t’i nënshtroheshin ndonjë testi gjuhësor të gjuhës standarde shqipe, shumë vështirë do të merrnin notë kaluese, kuptohet jo të gjithë.