Nga: Ferid Hudhri
Ndryshe prej përshkrimeve të udhëtarëve, rrëfimeve nëpër libra, revista e botime të tjera, si dhe relacioneve për kancelaritë e kohës, shqiptarët e shekujve XVII-XX u paraqitën në pamjen e tyre më reale, më të plotë dhe më të bukur në veprat e piktorëve evropianë. Përmes vizatimeve, gravurave, litografive, akuareleve apo tablove me ngjyra vaji, artistë nga vende të ndryshme sollën para syve të gjithë botës imazhe të realizuara direkt në mjediset ku jetonin shqiptarët.
Krahas artistëve që erdhën posaçërisht për të pikturuar, të tjerë që nuk mundën të vinin fizikisht, i huajtën kostume shqiptare nga kolegët, u mbyllën nëpër studio dhe me përkushtimin dhe intuitën e krijuesve të vërtetë realizuan disa nga tablotë më të bukura. Bashkë me veprat që u ekspozuan në sallonet e Parisit, të Londrës dhe qyteteve të tjera evropiane, në të njëjtën periudhë, imazhet nga bota shqiptare u riprodhuan edhe në litografi, në katalogë dhe në albume arti. Që nga ajo kohë disa prej krijimeve me temë shqiptare u vendosën nëpër galeri, muze dhe koleksione nga më të njohurit nëpër botë.
Veç jehonës nëpër vendet ku u ekspozuan, krijimtaria e autorëve evropianë ka një vlerë të veçantë për historinë dhe kulturën shqiptare. Tablotë më të hershme të piktorëve britanikë, francezë, austriakë, gjermanë, italianë apo nga kombësi të tjera u realizuan pikërisht në kohën kur nga piktorët vendas mungonin imazhe nga jeta e përditshme.
Ishte koha kur shqiptarët për disa shekuj mbetën nën pushtetin e perandorive të Lindjes, ku krijimtaria artistike, e përqendruar kryesisht në pikturimin e ikonave dhe afreskeve, sipas kanoneve të artit pasbizantin, apo arabeskave e ornamenteve floreale të stilit oriental, nuk arriti të pasqyrojë jetën reale të njerëzve.
Të ndodhur në skajin më të largët të Perandorisë Otomane, shqiptarët ndonëse për pak shekuj u ndjen gati të harruar, gjithsesi, ata patën fatin të ishin pranë portave të Perëndimit, rrjedhimisht më pranë studiove të piktorëve dhe skulptorëve evropianë, ku aspekte të jetës së përditshme përjetësoheshin në tablo, statuja e monumente, si dhe në gjini të tjera të artit. Për fatin e mirë të saj, hapësira shqiptare u vizitua më shpejt dhe më shpesh nga piktorët dhe skulptorët evropianë, krahasimisht me vendet e tjera më në thellësi të perandorisë. Kështu, boshllëku që ishte krijuar prej disa shekujsh nga mungesa e tablove prej artistëve vendas u plotësua prej veprave e autorëve të ndryshëm që erdhën nga Evropa.
Nga krijimet më të hershme klasifikohen hartat e venecianëve gjatë shekullit XV. Siç dihet në ato skicime të thjeshta nuk paraqitej vetëm vija bregdetare apo kufizimet e qyteteve me emrat e lumenjve dhe liqeneve, por vizatoheshin kështjella, kisha, shtëpi, kodra me pemë, anije në breg të detit si edhe objekte të tjera. Duke dhënë një përfytyrim real figurativ, ato mund të përcaktohen si imazhe të moçme për trojet e banuara nga shqiptarët gjatë shekullit të zbulimeve dhe udhëtimeve të mëdha gjeografike. Nga ajo periudhë ruhen pamjet e hershme të Durrësit (Epidamno, Durazzo), Butrintit (Buthrōtum), Vlorës (Valona), Shkodrës (Scutari), Kaninës (Canina), si dhe të qyteteve apo krahinave të tjera.
Por, korpusi më i madh i krijimeve të artistëve evropianë iu kushtua qëndresës shqiptare ndaj perandorisë më të madhe të kohës. Imazhi i Gjergj Kastriotit Skënderbeut (1405-1468) është përjetësuar në qindra vizatime, gravura, litografi, tablo, qeramika, medalione, statuja dhe monumente që ndodhen nëpër muze, kështjella, galeri, sheshe qytetesh apo koleksione të ndryshme publike dhe private. Figurën e Skënderbeut e kanë vizatuar dhe pikturuar disa nga autorët më të shquar të artit evropian si Gentile Bellini, Rembrandt Van Rijn, Jorg Breu, Cristofano dell’Altssimo, Jost Amman, Joris Hoefnagel, Aliprando Capriolo, Antonio M. Crespi, Francesco Zucchi, si dhe shumë autorë të tjerë të njohur.
Pas tablosë “Mbrojtja e Shkodrës” nga Paolo Veronese ku paraqiten luftimet për ruajtjen e kështjellës së fundit antiosmane në Shqipëri, duket sikur humbi edhe interesi i artistëve ndaj banorëve që mbetën nën robërinë e pushtuesve. Ndërsa me të larguarit në bregun tjetër të Adriatikut, me arbëreshët ndodhi e kundërta. Artistë italianë dhe kolegë të tyre nga vende të tjera të Evropës në kontaktet me shqiptarët e sapo ardhur gjetën motive të reja, të bukura dhe të veçanta për tablotë e tyre. Kur pikturonte në Sicili, artisti francez Jean Houël shkruante se arbëreshet vishen gjithë madhështi e shkëlqim dhe se ato veshje i ruajnë nga atdheu i tyre i lashtë. Ndërkohë që autorët vendas B. Pinelli, M. Vito, A. Cefaly, S. Gatta, E. Bergler e shumë të tjerë prej kohësh vazhdonin të pikturonin dhe të ekspozonin në Itali dhe nëpër vende të tjera tablo me motive nga jeta e arbëreshëve. Kështu për shumë e shumë vite imazhet e shqiptarëve u paraqitën në artin botëror vetëm përmes pikturimeve të realizuara në Itali. Disa nga portretet me titujt “Albanese”, “Albanesen”, “Albanaise”, “Albanians” që ruhen edhe sot nëpër muze të njohur të botës, i takojnë kësaj periudhe.
Kjo vazhdoi deri nga fillimi i shekullit XVIII kur atdheu i Skënderbeut ende dukej tepër e largët edhe për fqinjët më të afërt evropianë. Siç shprehej historiani anglez Edward Gibbon (1737-1794), Shqipëria ishte një vend që duket nga Italia e që është më pak i njohur se brendësia e Amerikës. Por, nga mesi i shekullit XVIII, artistët evropianë u rikthyen përsëri në trojet shqiptare. Në periudhën midis shekujve XVIII-XIX shënohet koha me krijimtarinë më të pasur. Përmes veprave të shumta që u realizuan gjatë atyre viteve mund të themi se u bë Rizbulimi i dytë i Shqipërisë për evropianët, të cilët thuajse e kishin harruar që nga koha e qëndresës antiosmane. Në trojet shqiptare zbritën edhe autorë të shquar të romantizmit evropian. George Byron, i pikturuar me rroba shqiptare nga Thomas Philips dhe nga disa artistë të tjerë, u bë frymëzuesi i temës shqiptare në artin evropian. Eugène Delacroix, Alexandre Colin, Richard Woodville ishin ndër të parët artistë që u nxitën direkt nga vargjet këtij poeti kushtuar shqiptarëve.
Artistë të tjerë evropianë i pikturuan shqiptarët me veshjet e tyre karakteristike kudo që i takuan, gjatë udhëtimeve nëpër të gjitha vendet e perandorisë otomane. Egjipti i shekullit XIX për disa vite rresht dukej si një studio arti në natyrë, për pikturimin e tipave burrërorë me fustanellën e gjatë dhe jelekët e qëndisur me ar. Nën ndikimin e orientalistit të njohur Léon Gérôme, shqiptarët e atjeshëm u bënë po aq të pranishëm edhe në tablotë e artistëve Antoine Montfort, Charles Bargue, Joseph Benwell, Etienne Billet, Alexandre Bida, Arthur Bridgman, Albert Franke dhe autorëve të tjerë.
Shqiptarët me veshje tradicionale janë pikturuar edhe nëpër shumë vende të ndryshme të Lindjes, si në Turqi nga piktorët Van Mour, Alexandre Decamps, Thomas Allom, Etienne Vernet, Thomas Allom, Amedeo Preziosi, Charles Parsons, në Damask nga Charles-Théodore Frère në Maltë nga Charles Brockdorff në Delhi nga Louis Noe, në Rumani nga Costantin Lecca dhe Károly Szathnáry, në Venedik nga Mikhail Scotti, në Trieste nga Francesco Beda, si edhe nëpër vende të tjera të Mesdheut dhe të Ballkanit nga Theodor Valerio, Jaroslav Cermak, Louis Papety, Joseph Cartwright dhe artistë të tjerë.
Por, numrin më të madh e përbëjnë tablotë që u krijuan për shqiptarët në trojet helene. Shkrimtari dhe eseisti francez Jacques Lacarrière, një nga njohësit më të mirë të historisë greke, kur shkruan se në tablotë me temë nga Greqia gjenden edhe figura shqiptarësh, që dallohen nga veshjet karakteristike (Tsigakou, F.: La Grèce retrouvée, f. 10, Paris, 1984), ka parasysh jo vetëm pikturat e shumta të artistit gjerman Peter von Hess, por dhe shumë e shumë vepra të tjera nga Thomas Hope, Edward Doduell, Carl Hallerstein, Apollodore Callet, Francesco Hayes, Ludovico Lipparini, Charles Gleyre etj, ku shqiptarët janë gjithnjë të pranishëm.
Shumë vite më vonë, gjatë luftrave ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore nëpër trojet shqiptare erdhën edhe mjaft artistë nga vendet ndërluftuese. Kjo dëshmohet me veprat shumta që ruhen nga ajo periudhë. Në vitin 1918 u hap në Shkodër ekspozita me portrete dhe peizazhe të krijuara prej piktorëve austro-hungarezë Armin Horovitz, Pravotinski dhe László Beszédes, që është e para veprimtari e këtij lloji në trojet shqiptare.
Qetësia dhe stabiliteti i përkohshëm i krijuar në vitet e mbretërisë solli më shumë artistë nga Evropa. Pas ekspozitave të para të hapura në Shkodër (1918) dhe në Korçë (1932), kryeqyteti u kthye në qendrën artistëve të huaj që vinin për të pikturuar dhe ekspozuar në trojet shqiptare. Në Tiranën e vitit 1937 u organizua konkursi i parë ndërkombëtar për monumentin e Skënderbeut, ku morën pjesë disa artistë të njohur nga Evropa. Çmimin e parë e mori skulptori kroat Antun Agustinčić. Gjatë atyre viteve u realizuan edhe disa vepra të tjera monumentale në skulpturë, në mozaik dhe në relieve për institucionet më të rëndësishme të vendit, prej artistëve italianë Alfredo Biagini, Giulio Rosso dhe Gianni Remuzzi.
Edhe gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore nuk u ndërpre krijimtaria e artistëve të huaj. Vetëm në dy nga veprimtaritë më të rëndësishme, për konkursin «Çmimi Shqipëria» (Premio Albanese, 1939) dhe për pavionin shqiptar në Panairin Fiera dell’ Levante (Bari, 1939) u realizuan qindra peizazhe, portrete, tablo, skulptura, relieve e vepra të tjera me temë shqiptare. Prej artistëve italianë u hapën gjithashtu disa ekspozita vetjake me peizazhe e portrete në disa qytete të Italisë si dhe në Tiranë. Në vitin 1940 u ngrit monumenti i parë i Skënderbeut në sheshin Albania, pranë Koloseut në Romë.
Pas vitit 1945 Shqipëria i shkëputi të gjitha lidhjet me artistët nga vendet e perëndimit. Dyert ishin të hapura vetëm për piktorët nga Bashkimi Sovjetik dhe shtetet e tjera të bllokut komunist të Lindjes. Gjatë kësaj periudhe u organizuan më shumë ekspozita dhe veprimtari të tjera të përbashkëta midis artistëve. Në shtator të vitit 1955 në portin e Durrësit zbritën 19 piktorë dhe skulptorë nga Polonia. Pas pikturimeve nëpër krahina të ndryshme të vendit, në tetor të po atij viti artistët polakë hapën në Tiranë ekspozitën me 100 peizazhe, portrete, tablo, etyde, vizatime me laps dhe tush. Por ekspozita më e madhe me vepra arti kushtuar Shqipërisë u hap në Moskë në vitin 1959 nga piktorët Evgeni Zaicev, Juri Reiner dhe Grigor Khandjan. Aty u ekspozuan 215 piktura. Kjo është gjithashtu ekspozita më e madhe me temë shqiptare që është organizuar deri më sot nga artistët e huaj.
Gjatë viteve ‘90 të shekullit të kaluar, kur Shqipëria u rihap përsëri me të gjitha shtetet, rifilloi ardhja e artistëve nga vende të ndryshme. Në Tiranë dhe qytete të tjera u organizuan disa veprimtari të përbashkëta me artistët vendas, krahas konkurseve ndërkombëtare apo ekspozitave vetjake nga artistët e huaj. Dy dukuritë më të rëndësishme të këtyre viteve, Bienalja e Akuarelit dhe Muralet (pikturimet në fasadat e pallateve), kanë shënuar pjesëmarrjen më të madhe të artistëve të huaj në trojet shqiptare.
Në çdo etapë të historisë së trajtimit të temës shqiptare, me gjithë veçoritë karakteristike për llojin e punimeve apo stilin artistik, i përbashkët dhe i dukshëm është përkushtimi i artistëve ndaj bukurive së natyrës. Të shumtë janë peizazhet e realizuara në çdo periudhë, po ashtu i shumëllojtë është edhe këndvështrimi artistik i autorëve. Admirimin e tyre për natyrën e Shqipërisë artistët kanë shprehur edhe përmes ditarëve, letrave apo shënimeve të ndryshme.
Vlerësimet se Shqipëria “është një vend i mrekullueshëm për artistët, se kostumet shqiptare janë shumë piktoreske”1 se “vështirë mund të gjendet një vend, vetëm nëntë ditë larg nga Parisi që të jetë kaq piktoresk sa Shqipëria, se për artistët është një vend mbi gjithë të tjerët»2 apo “se vështirë të gjesh skena më madhështore dhe më hijerënda se sa këto të këtij vendi të famshëm»3, tërhoqën më shumë vëmendjen e artistëve evropianë gjatë shekujve XVIII-XIX për të pikturuar nëpër trojet shqiptare. Bukuritë e natyrës janë evidentuar edhe në vitet më të vështira të luftës. Poeti çek Stanislav Neumann në ditët e Luftës së Parë Botërore, kur pikturonte akuarelet e tij nga rrethinat e Elbasanit, i shkruante së shoqes «në se do të mundesh të shkosh në Shqipëri do të shohësh bukuri të mahnitshme të natyrës»4. I njëjti vlerësim shprehet edhe shumë vite më pas, kur piktorja japoneze Kimiko Amabe shkruan nga Tokio “se gjatë qëndrimit në Shqipëri ditët ishin plot emocione nga peizazhet e atij vendi të bukur, ndoshta më i bukuri në botë».5
Krahas tablove më të bukura si «Mali i Tomorit» dhe «Bregdeti i Shqipërisë» (nga Edward Lear), në historikun e krijimeve artistike me temë shqiptare cikli i peizazheve kushtuar Maleve Acrokeraune vlerësohet si më i madhi në numër, më i larmishëm në teknikat piktorike dhe është realizuar nga disa prej autorëve të njohur të artit. Nga pikturimi i atyre maleve të lartë nis edhe kontakti i parë i shumë artistëve evropianë që erdhën me për të rizbuluar botën shqiptare.
Le të shohim konkretisht kur dhe si u realizuan veprat nga filloi rizbulimi i Shqipërisë.
Vargmali i bregdetit të Jugut, prej shumë e shumë vitesh ka qenë peizazhi që i tërhiqte udhëtarët e huaj, kur kalonin pranë bregut perëndimor të trojeve shqiptare. Nga ai këndvështrim u realizuan edhe tablotë e para që e paraqitën Shqipërinë nëpër ekspozitat apo albumet e artit, në disa prej kryeqyteteve evropiane midis shekujve XVIII-XIX. Gjatë periudhës së pushtimit otoman, në pamundësi për t’u futur në brendësi të vendit, imazhin e bukur e madhështor të maleve Akrokeraune (apo maleve të Vetëtimës, siç quhen nga vendasit), artistët e huaj e pikturuan nga bordet e anijeve apo nga ishulli i Korfuzit. Edhe në kohët e mëvonshme, gjatë viteve të komunizmit, kur Shqipëria u vetëmbyll, përsëri vetëm nga ai këndvështrim u realizuan peizazhet me malet e larta të Jugut. Siç duket, andej nga deti është këndi më i përshtatshëm dhe më i bukur për pikturimin e tyre.
Faqja perëndimore e malit të Çikës, që ngrihet mbi fshatrat Palasë, Dhërmi e Vuno, e çarë nga përrenj të thatë e humnera të thella, me pak gjelbërim në pjesën e ulët, duket më madhështore kur e vështron nga larg, në distancë prej bregut të detit. Nga ky këndvështrim janë më të dallueshme edhe vetëtimat që shkrepin mbi kryet e majave të larta, në ditët me shi. Sipërfaqja horizontale e detit atje duket si një bazament i sheshtë, prej nga ngrihet si një amfiteatër gjigant, deri në lartësinë 2040 m, vargmali shkëmbor i Jugut shqiptar. Këto janë Malet e Vetëtimës apo Malet Akrokeraune, siç njihen nga të huajt.
Andej nga vështrohet pamja e tyre më magjepsëse, po andej janë bërë edhe përshkrimet më të hershme për këtë monument të bukur të natyrës. Nga ana e detit i filluan përshkrimet e para edhe gjeografët e periudhës antike, Straboni e Ptolemeu, ndërkohë që madhështia e Maleve Akrokerauneu bë e pranishme në krijimtarinë e disa prej autorëve më të shquar të letrave botërore, si te Homeri, Horaci, Eskili, Virgjili, Klaudiani dhe Bajroni, duke i cilësuar si “male vigane që kufizojnë thellësitë e qeta” (Klaudian, epigrama LXXXV), apo si male “madhështore [që] lartësohen para syve/ si amfiteatër vullkanik natyre” (Bajron, Çajld Harold, strofa 51) etj. Virgjili, duke i përmendur te Eneida (pjesa e III), shkruan “Pranë shkëmbinjve të Keraunias vazhduam udhëtimin tonë/ Rruga më e shkurtër për në bregdetin italian…” (sipas përkthimeve nga R. Kadia). Shumë vite më pas, nga përcaktimi “Kopsht shkëmbor”, që u bëri këtyre maleve anglezi Paul Edmonds, mori titullin eseja e njohur e Konicës për Shqipërinë. Pasi përshkruan shtrirjen e maleve Akrokeraune vetë Konica ka nënvizuar se “madhështia e tyre i ka bërë përshtypje të madhe natyralistit romak, Plinit Plak, sa dikur në shkrimet e tij ai thotë për to: “Ato janë të harkuara si një teatër”, ndërsa në ditët tona,– vazhdon Konica, madhështia e tyre rripa-rripa i ka dhënë Shqipërisë përcaktimin e goditur “Kopsht shkëmbor i Evropës Juglindore”.6
Gjenden edhe shumë përshkrime apo citime të tjera për malet Akrokeraune, ndërkohë që përjetësimet më të bukura për to janë bërë në art. Imazhet më të hershme piktorike që njihen deri tani u takojnë viteve të para të shekullit XIX. Akuareli “Malet shqiptare nga Korfuzi” u realizua prej piktorit William Haygarth në vitin 1810. Origjinali ndodhet në bibliotekën Genadio, në Athinë. Ndërsa në Muzeun Britanik në Londër ruhen dy vepra për malet Acroceraune; një vizatim dhe një akuarel nga piktori, arkeologu dhe udhëtari i njohur Sir William Gell. Artisti tjetër britanik H. W. Williams, gjatë udhëtimit nga Italia për në Greqi, në vitin 1819 i vëzhgoi që nga larg dhe i befasuar prej pamjes së tyre, vizatimin e parë e bëri që nga bordi i anijes. Ndonëse në plan të parë, si dhe në pjesën më të madhe të gravurës, paraqiten marinarë dhe objekte të ndryshme në mjediset e kuvertës, titulli i veprës ka ardhur nga malet e larta të bregut shqiptar, të vizatuara në sfondin e tablosë. Më pas, piktori që kishte ardhur për të pikturuar pamje nga Italia dhe Greqia, u afrua me anije pranë brigjeve të Vlorës e Himarës. Prej andej realizoi dhjetëra vizatime, mbi bazën e të cilave u dha formë tri gravurave të tjera që i titulloi: Panoramë malore në Shqipëri, Gjiri i Vlorës (Gulf of Avlona), Bregdeti i Shqipërisë së Jugut. Një vit më pas, kur u kthye në vendlindje, Williams, bashkë me librin Udhëtime në Itali, Greqi dhe ishujt jonianë (Travels in Italy, Greece and the Ionian Islands, Edinburg, 1820), botoi edhe gravurat e frymëzuara nga malet Akrokeraune. Pas nëntë vjetësh, më 1829, Williams i botoi përsëri në përmasa më të mëdha, ku ndihet më qartë tashmë mjeshtëria e piktorit në shëmbëllimin e disa peizazheve epike, ku deti i dallgëzuar që përplaset mbi shkëmbinjtë pranë maleve të larta me shkreptimat e rrufeve mbi krye, të krijon më shumë madhështi.
Pak vite më pas u realizua tabloja më e bukur në ngjyra vaji, që është krijuar deri tani me këtë motiv. Aty jepet më qartë ideja e maleve në formën e një amfiteatri natyror, siç është quajtur nga disa udhëtarë. Autori i kësaj pikture është anglezi Edward Lear. Para se të vinte në Shqipëri, për të pikturuar malet e larta që kufizojnë thellësitë e qeta, artisti anglez ishte njohur me madhështinë e tyre. Pas gravurave të Williams-it, të cilat i kishte parë në Londër, malet Akrokeraune i kishte vështruar edhe gjatë kohës kur pikturonte në Korfuz. Madje, që andej ai kishte realizuar edhe disa nga vizatimet, akuarelet e litografitë e para me atë motiv. Në ditarët e shkruar gjatë udhëtimit nëpër trojet shqiptare (Journals of a Landscape Painter in Albania & c. London, 1851), Lear tregon interesimin e veçantë dhe dëshirën për të arritur sa më shpejt pranë tyre. Në faqet e para të ditarit, sapo niset nga Durrësi, ai shkruan: …të shkoj drejt jugut duke i rënë nga bregu, do të futem në Vlorë dhe prej andej në Akrokeraunia. Ndërkohë, gjatë gjithë rrugës mblidhte të dhëna, bisedonte me të zotët e shtëpisë ku bujti natën e parë në Vlorë dhe në pasditen e 21 tetorit, kur arriti pranë maleve të larta, që i kishte parë nga Korfuzi, nuk u përmbajt nga emocioni dhe filloi të shkruante: …Çfarë bukurie! Në skajin e ngushtë të gjirit hapet një pamje e mrekullueshme, me detin si liqen i palëvizshëm dhe i errët nën murin e lartë të maleve të territorit të Himarës. Tragjasi, që mund të quhet edhe porta për në malet Akrokeraune, ngrihet mbi një lartësi mu përpara nesh, kurse mbi gjithë peizazhin mbizotëron maja madhështore e Çikës, e mbuluar nga dëbora. Maja më e lartë e Çikës duket qartë nga Korfuzi, kurse në Jug të saj shtrihen fshatrat e Himarës. Nuk më kujtohet të kem parë shpesh pamje më sublime e më të veçuar nga bota se kjo. Pasi tregon për skicat që bëri nga ajo pikë, duke i përshkruar pamjet më mbresëlënëse të një natyre të egër që nuk e kishte parë që kur ishte në Kalabri, Lear shpërthen duke iu drejtuar kolegëve të tij artistë: Shkoni o piktorë të vizitoni malet Akrokeraune! Po nuk shkuat atje, nuk keni për të mësuar për shkallët më madhështore të piktoreskes së egër, por klasike, qoftë ilire apo epirote, qofshin njerëz apo male; por shkoni, ama, me një udhërrëfyes të mirë… Malet Akrokeraune janë toka të pashkelura nga këmba e udhëtarit dhe mund të mos jenë fort të përshtatshme për një turist të vetmuar (f. 121,157, 160, sipas përkthimit të M. Nishkut).Nga gjithë pikturimet nëpër Shqipëri, pas qytetit të Beratit dhe malit të Tomorit, imazhet e maleve Akrokeraune janë më të pranishme midis vizatimeve dhe akuareleve të Lear-it.
Pesë vjet më pas, më 1853, drejt maleve rripa-rripa të Jugut shqiptar, u nis për t’i pikturuar edhe një autor tjetër britanik. Ndërkohë që i afrohej Korfuzit, piktorit Henry Cook i mbetën sytë nga malet në bregun e Shqipërisë dhe duke shprehur admirim për to, i quajti male të bukura dhe më interesantet që ka parë.7 Pasi i pikturoi në distancë, nga ishulli grek, Cook iu afrua me anije bregut shqiptar dhe realizoi disa litografi me pamjen e maleve. Në të njëjtën kohë ai qëndroi edhe në Butrint, ku krijoi litografinë e tij më të bukur.
Nga kërkimet e deritanishme, këta janë pesë nga piktorët më të hershëm që pikturuan malet e larta të Jugut. Artistë të tjerë që udhëtuan në këtë periudhë, si C. Cockerell, J. Cartwright, L. Dupre, si dhe P. Beresford, ndonëse kaluan dhe pikturuan deri në Butrint dhe krahina të tjera përreth, nuk krijuan ndonjë vepër për malet Akrokeraune. Ndoshta për arsyen se në tokën shqiptare ata u futën përmes Greqisë, pa kaluar nga bregdeti i Jugut, andej nga duket pamja e tyre madhështore.
Rreth viteve 1884-1885 u realizua një peizazh i bregdetit të Jugut edhe nga mbretëresha Aleksandra, bashkëshorte e mbretit Edward VII, mbret i Britanisë së Madhe. Kjo tablo, e pikturuar gjatë një udhëtimi me jahtin mbretëror pranë bregut shqiptar, ruhet në Koleksionin Mbretëror të Anglisë (Royal Collection Trust, London). Në atë koleksion të pasur ruhet një nga peizazhet më të bukura me këtë temë nga piktori i njohur Carl Ross. Tabloja e këtij artisti gjerman është pikturuar nga ishulli i Korfuzit.
Thuajse të gjitha pikturat e tjera të artistëve të huaj që njihen deri tani, janë realizuar gjatë udhëtimit pranë brigjeve shqiptare apo nga Korfuzi. Madje, edhe piktori i njohur John Frederick Lewis, për të cilin është shkruar se ka pikturuar edhe në brendësi të trojeve shqiptare, malet Akrokeraune i pikturoi nga Korfuzi, në vitin 1840 (disa vjet përpara krijimeve të njohura të E. Lear-it dhe H. Cook-ut). Në arkivin e muzeut Viktoria dhe Albert në Londër, krahas akuarelit nga Butrinti prej piktorit H. Sandham, ruhet edhe një peizazh nga Korfuzi, ku, siç shihet në tablo dhe siç përshkruhet në skedën e veçantë të kësaj vepre, janë pikturuar malet shqiptare që duken në horizont (Fondi: Sandham, dosja 61, Victoria & Albert Museum, London).
Nga i njëjti këndvështrim janë realizuar edhe tablotë e artistëve Karl Krazeisen (1827), William Linton (1830), Otto Wagner (1831), Eugène Peytier (1831), William Page (1832), Clarkson Stanfield (1832), Edward Finden (1832), G. F. Sargent (1832), Peter William Hamilton (1834), Thomas Cromek (1934), Jean Pourvoyer (1835), Joseph Benetly (1839), Orrin Smith (1841), Pierre E. Grandsire (1878), Joseph Schranz (1877), Lordi Windsor (1882), Ernest Edward Briggs (1909), Michael Zeno Diemer (1929), James Tristram Ellis, Tuxen Lauritis, Patrik Leonard (1985), Valerio Adami (1990). Kështjella në Korfuz, me malet shqiptare në sfond, është motivi i disa veprave të reja nga artistët e ditëve tona, si të anglezëve Anne Durham (1993), William Serridge (2003), Sara Williams (2004), piktores polake Anna Witkowska (2005), që banon në Korfuz dhe artistit britanik Julian Baley (2012).
Ndërkohë që artistë nga bota vinin dhe vazhdojnë të vijnë në tokën greke për të pikturuar malet shqiptare, do të ishte e pamundur dhe e mangët që vetë piktorët grekë të mos kenë qenë të frymëzuar prej maleve të bukura dhe interesante që shihen vazhdimisht nga ishulli i tyre. Nga kërkimet e deritanishme, Agelos Giallians ka realizuar një nga imazhet më të veçanta që është krijuar për ato male. I ka pikturuar në çastin e perëndimit të diellit, kur rrezet e fundi, me ngjyra të praruara midis së verdhës dhe portokallisë, u japin këtyre maleve madhështore një ndriçim të veçantë që krijon përfytyrimin e flakëve të ndezura që duken sikur ngrihen nga deti.
Kohët e fundit, me rritjen e teknologjisë digjitale, kur fotografimet në distancë arrihen me cilësi të lartë teknike, janë realizuar shumë foto të bukura artistike, ku malet Akrokeraune, të vështruara nga Korfuzi, shfaqen si një mrekulli e rrallë natyrore. Nën efektin e dritës që merr nuanca të ndryshme nga refleksi i detit, si dhe nga ndriçimi i diellit mbi malet e larta, apo mjegulla e mëngjesit, që ndan sipërfaqen e ujit nga masa shkëmbore, krijohen imazhe nga më të larmishmet dhe shumë tërheqëse. Stephen Cotterell dhe Paul Cohan janë dy nga fotografët e ditëve të sotme, të cilët kanë realizuar disa nga fotot më të bukura të atyre maleve.
Nga ndjesia që përftohet kur sheh pikturimet dhe fotografimet e mësipërme, të duket sikur shprehja e njohur madhështia e një mali të lartë kuptohet më mirë kur e sheh nga larg, është krijuar pasi janë soditur veprat e artit që paraqesin madhështinë e maleve Akrokeraune, të pikturuara nga largësia e bregdetit, apo ishulli i Korfuzit. Për banorët vendës, pikturat dhe fotot që përmendëm sjellin imazhet më magjepsëse që ata, për fat të keq, nuk kanë mundur t’i kundrojnë në përmasën e tyre të madhërishme kur kanë kaluar poshtë apo pranë dhe jo përtej e përballë tyre. Ndoshta ky është edhe shpjegimi më i saktë për mungesën e deritanishme të tablove me këtë motiv nga artistët shqiptarë, të cilët banojnë dhe pikturojnë në brendësi apo nën hijen e maleve Akrokeraune. /Gazeta “ExLibris“/
_____________________
-
Best, J.: Excursions in Albania, f. 200, London, 1842.
-
Mayhew, A.: In Albania with the Gegs, Scribner’s Monthly, vol. XXI, f. 377, New York, 1881.
-
Lear, E.: Journals of a Landscape Painter in Albania & c., f. 88, London, 1851.
-
Intervistë me gruan e S. Nojmanit, gazeta Drita, 30 prill, f. 3, Tiranë, 1961.
-
Amabe, K.: Shqipëria, vendlindja ime e dytë, gazeta Drita, Tiranë, 1 dhjetor 1985.
-
Konica,F.:Veprat, vëll. 2, f. 386, Botimet Dudaj,Tiranë, 1993.
-
7. Cook, H.: Ionian Islands, Greece and Constantinople, f. 4-5, London, 1853.