Liridon Latifi është rikthyer si protagonist në Superioren Shqiptare, pasi verës që lamë pas u bashkua me Vllazninë e Shkodrës.
Pas dy aventurave te Puscas Academy dhe Sheriff Tiraspool, anësori këmbëshpejtë u rikthye në Shqipëri, aty ku në të kaluarën kishte shkëlqyer te Skënderbeu.
Deri më tani ai po zhvillon një sezon shumë të mirë, duke shënuar 10 gola dhe duke dhënë shtatë asistime për bashkëlojtarët.
Në një intervistë për Telegrafin, sulmuesi ka thënë se ky sezon është pozitiv, por ai mundet të bëjë edhe më shumë.
“Po është sezon pozitiv, ku kam shënuar 10 gola dhe besoj që do ta rris numrin deri në fund të kampionatit. kam kapur një formë të mirë, por duhet ta rris nivelin ende”, ka thënë fillimisht Latifi për Telegrafin.
Vllaznia e Shkodrës me Latifin në skuadër mban vendin e katërt në renditje me 38 pikë, 14 më pak se lideri Tirana. Ai ka folur për ecurinë e skuadrës dhe ka treguar se çka e ka penalizuar skuadrën shkodrane deri më tani.
“Ecuria e skuadrës nuk është në maksimumin që e kemi pritur, për shkaqe të ndryshme. Kemi pasur shumë ndeshje ku jemi penalizuar nga gjyqtarët, por edhe në shumë ndeshje e kemi pasur në dorë situatën që ta mbyllnim ndeshjen, duke shënuat golin e dytë dhe nuk e kemi arritur, ku pastaj jemi ndëshkuar”, nënvizoi Latifi.
Me paraqitjet që ka bërë deri më tani, natyrisht që ka pasur oferta nga kampionatet më të mëdha se ai shqiptar, por Latifi thotë se është i fokusuar momentalisht vetëm te Vllaznia.
“Për momentin jam duke punuar dhe jam i fokusuar tek ekipi ku jam sepse kemi shumë punë për t’i arritur objektivat. Nuk po mendoj për asgjë tjetër. Gjithsesi unë kam kontratë deri në vitin 2023 me Vllazninë”, deklaroi Latifi.
Kosova dhe Superliga
Liridon Latifi ka shtatë vite që është larguar nga futbolli i Kosovës fizikisht, por në mendje gjithmonë e ka, ndërsa ndeshjet i shikon shumë shpesh.
Ai deklaroi se kthimi në Kosovë nuk ka qenë në opsion para disa muajsh.
“Të them të drejtën synimi im ka qenë kampionati shqiptar dhe jo i kosovar. Për këtë nuk jam interesuar shume për ofertat që vinin nga Kosova”.
Tutje ai u ndal te kampionati ynë, ku e mërzit forma e ish skuadrës së tij Prishtinës, ndërsa flet edhe për skuadrat që po i bëjnë përshtypje.
“Po e përcjelli kampionatin e Kosovës sepse më interesojnë rezultatet e Prishtinës, që tani po kalon një krizë dhe shpresoj që sa me shpejt të kthehet te rezultatet pozitive. Këtë sezon më ka bërë përshtypje Gjilani, por edhe Ballkani me Dritën janë dy ekipe interesante dhe po bëhët një kampionat shumë i luftuar”, ka thënë Latifi për Telegafin.
Lindja e djalit, frymëzim për Liridonin
28 vjeçari që ka luajtur pesë ndeshje me Kombëtaren e Shqipërisë, në vitin e shkuar është bërë baba për herë të parë.
Ai thotë se tani të gjithë kohën e lirë e kalon me djalin e tij dhe ia ka shtuar pozitivitetin.
“Ardhja e djalit në jetë ka qenë dhe është ende një frymëzim i ri për mua. Më ka shtuar pozitivitet dhe tërë kohen time të lire e kaloj me të”, përfundoi Latifi./Telegrafi/
https://www.youtube.com/watch?v=zCjPatj-fi0&ab_channel=%D0%9C%D0%B0%D0%BA%D1%81%D0%B8%D0%BC%D0%9D%D0%B5%D0%BD%D0%BE%D0%B2