Artikuj nga dosjet e Epstein, përfshirë një foto të Donald Trump, u hoqën nga Departamenti i Drejtësisë nga faqja e tij e internetit për shkak të shqetësimeve të ngritura nga viktimat, ka njoftuar zëvendësprokurori i përgjithshëm.

“Imazhi i Trumpit u rivendos më vonë pas shqyrtimit”, tha Todd Blanche.


Blanche hodhi poshtë kritikat se heqja e fotos lidhej me presidentin e SHBA-së dhe tha se fotografia që e përfshinte atë tregonte edhe imazhe të paredaktuara të grave.

Të paktën 13 skedarë - nga mijëra të publikuar të premten në lidhje me pedofilin Jeffrey Epstein - ishin zhdukur nga faqja e internetit pa shpjegim deri të shtunën.

Demokratët në Komitetin Mbikëqyrës të Dhomës së Përfaqësuesve vunë në pikëpyetje heqjen e imazheve.

Në një postim në rrjete sociale, ata e pyetën Prokuroren e Përgjithshme Pam Bondi “çfarë tjetër po mbulohet".

Departamenti Amerikan i Drejtësisë (DOJ) tha se imazhi i Trumpit u hoq përkohësisht për shqyrtim të mëtejshëm.

“Pas shqyrtimit, u përcaktua se nuk ka prova që ndonjë viktimë e Epsteinit është përshkruar në fotografi dhe ajo është ripostuar pa asnjë ndryshim apo redaktim”, sipas Departamentit të Drejtësisë.

Blanche e quajti "qesharak" sugjerimin se fotografia u hoq për shkak të Trumpit.

"Nuk ka të bëjë fare me presidentin Trump", tha ai.

"Ka dhjetëra foto të presidentit Trump që janë publikuar tashmë për publikun, ku e shohin atë me Epstein", shtoi Blanche.

Ndryshe, Trump ka mohuar vazhdimisht çdo shkelje në lidhje me Epstein dhe nuk është akuzuar për ndonjë krim nga viktimat e Epstein.

Gjithashtu, nuk ka asnjë sugjerim që këto fotografi nënkuptojnë ndonjë shkelje. /Telegrafi/