Përdorimi i rezonancës magnetike gjatë shtatzënisë shoqërohet me shqetësime midis pacienteve dhe profesionistëve të kujdesit shëndetësor në lidhje me sigurinë e fetusit
Bsc. Mustafë Buzoku
Teknik i Radiologjisë
Rezonanca magnetike është një mjet i fuqishëm diagnostikues i indeve të buta me aftësinë për të ofruar anatominë e detajuar të prerjes tërthore të trupit të njeriut pa përdorimin e rrezatimit jonizues. Për vetë faktin që punon me fushë magnetike nuk shkakton asnjë efekt të dëmshëm mbi pacientin dhe shëndetin e tij.
Këto avantazhe e bëjnë rezonancën magnetike një modalitet tërheqës për imazhin e grave shtatzëna.
Ka disa shqetësime teorike që mund të shkaktojnë ankth të panevojshëm për pacientet, familjet e tyre dhe ekipin e kujdesit shëndetësor, duke kufizuar potencialisht përdorimin e gjerë të rezonancës magnetike gjatë shtatzënisë.
Kur kryhet rezonanca magnetike e fetusit?
Konsiderohet e paarsyeshme të kryhet një rezonancë magnetike nëse më parë nuk është kryer një vlerësim i detajuar ekografik nga gjinekologu kompetent që monitoron shtatzëninë.
Ekzaminimet standarde gjatë shtatzënisë nuk mund të japin informacion të mjaftueshëm për foshnjën ose kur imazhi me ultratinguj është i paqartë për shkak të pozicionit të fetusit, pesha e tepërt e nënës, pakësimi i lëngut amniotik (oligohydramnios) ose faktorë të tjerë.
Ky ekzaminim zakonisht bëhet në tremujorin e dytë ose të tretë të shtatzënisë.
Rezonanca magnetike mund të ndihmojë në vlerësimin e gjendjeve të ndryshme si:
• Anomalitë e trurit dhe shtyllës kurrizore në fetus (p.sh., hidrocefalus, spina bifida).
• Probleme me mushkëritë, zemrën ose organet e tjera të fetusit.
• Tumoret ose masat brenda ose rreth fetusit, si teratomat sakrokoksigjeale.
• Anomalitë e placentës, të tilla si placenta praevia ose placenta accreta, të cilat mund të përbëjnë rrezik për nënën dhe foshnjën gjatë lindjes.
Kjo metodë e modernizuar e imazherisë është gjithashtu e dobishme në situatat kur shtatzëna ka probleme specifike shëndetësore, të tilla si anomalitë e mitrës, operacionet e mëparshme abdominale ose të legenit, sëmundje kardiovaskulare ose komplikime të tilla si preeklampsia, ose nëse vërehen probleme me transfuzionin e gjakut,
Në raste të tilla, Rezonanca magnetike mund të sigurojë informacione shtesë që janë të rëndësishme për planifikimin e trajtimit dhe menaxhimin e shtatzënisë.
Përdorimi i kontrastit duhet të jetë i kufizuar
Vendimi për përdorimin e mjeteve të kontrastit të përdorura për imazhe me rezonancë magnetike duhet të merret rast pas rasti dhe pas konstatimit të përfitimeve dhe rreziqeve.
Agjentët e kontrastit duhet të përdoren vetëm nëse ato ofrojnë informacion shtesë potencialisht thelbësor për pacientin ose fëmijën e palindur.
Nëse administrimi i një agjenti kontrasti konsiderohet i nevojshëm ose shumë domethënës, duhet të administrohet doza më e ulët e mundshme, pasi ata përmbajnë gadolinium që mund të depërtojë në placentë.
Agjentët e kontrastit të përdorur për imazhe me rezonancë magnetike nuk duhet të përdoren në shtatzëna me funksion të kufizuar të veshkave.
Ekzaminimi i fetusit zgjat mesatarisht 15 minuta, në rastet kur fetusi është i qetë, ndërsa te kompleksiteti i keqformimeve, ekzaminimi mund të zgjasë më shumë.
Sigurisht që ky ekzaminim ka kufizimet e veta, sepse nuk mund t’i bësh të gjitha sekuencat, si me një të rritur, një nga arsyet është lëvizja e fetusit, në të cilën nuk mund të ndikojmë.
Vetë ekzaminimi është intensiv dhe i zhurmshëm, por që nuk ndikon shumë tek fetusi dhe është në interesin e gruas shtatzënë që të bëhet kur ka indikacion adekuat nga gjinekologu.
Pavarësisht pranisë së frikës, është e rëndësishme të mbani mend se ekipi profesional është gjithmonë pranë jush për të dhënë përgjigje të hollësishme për të gjitha pyetjet tuaja dhe për të siguruar sigurinë e çdo ekzaminimi. /Telegrafi/