Rexhepi: I papranueshëm qëndrimi i mëtejmë i UNMIK-ut në veri të Mitrovicës

"Ne angazhohemi për rend dhe ligj dhe që sa më parë të nisë funksionimi i doganave në veri, të kthehen punëtorët e gjyqit, burgut etj dhe të normalizohet jeta. Në të kundërtën mund të krijohet hapësirë për anarki dhe evazion fiskal në këtë pjesë të vendit", tha Rexhepi.
Rexhepi ka përsëritur se ka dallime në koncept me administratorin rajonal të UNMIK-ut për çështje të ndryshme. Në këtë kontekst, sipas Rexhepit, është e papranueshme qasja për vazhdimin e status-quos në këtë qytet.
Kreu i Mitrovicës theksoi se është plotësisht e papranueshme edhe ideja për qëndrimin e mëtejmë të UNMIK ut në veri të qytetit. "Ne kemi kërkuar që sa më shpejt në veri të vendoset misioni i Bashkimit Evropian, që do të përgatisë terrenin për EULEX-in", tha ai, duke lënë të kuptohet se ka shumë konfuzion sa i përket mandatit të UNMIK-ut.
Rexhepi tha se çështja Gallucci është çështje e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, mirëpo duke pasur parasysh dallimet në koncept për shumë gjëra më të ka mbetur hapësirë jo shumë e gjerë për bashkëpunim.
Në anën tjetër, i pari i Mitrovicës, tha se bashkëpunimi me UNMIK un do të vazhdojë dhe kjo madje duhet të thellohet në këtë kohë, duke pasur parasysh sfidat që janë në ditët e ardhshme.
Administratori Gallucci më herët ka shkaktuar pakënaqësi tek Rexhepi, por edhe te administrat e UNMIK-ut në Prishtinë, ngase ka qenë kundër mënyrës së përdorur për nxjerrjen e protestuesve serbë nga gjykatat në veri të Mitrovicës, të cilat ata i patën uzurpuar. /qik/telegrafi/


































