LAJMI I FUNDIT:

Revoltohemi, prandaj jemi

Revoltohemi, prandaj jemi
Albert Camus

Nga: Albert Camus (pjesë nga Njeriu i revoltuar)
Përmblodhi: Elona Caslli

Ç’është një njeri i revoltuar?

Një njeri që thotë jo. Mirëpo, nëse ai kundërshton, ai nuk heq dorë: ai është gjithashtu një njeri që thotë po, sapo bën lëvizjen e parë. Një skllav, i cili ka marrë urdhra gjithë jetën, por që papritur e gjykon të papranueshme një urdhëresë të re. Cila është përmbajtja e kësaj “jo”-je?


Ajo do të thotë, për shembull “gjërat kanë zgjatur së tepërmi”, “deri këtu po, përtej jo”, “po shkoni tepër larg” apo dhe “ka një kufi që nuk do ta kapërceni”. Shkurt , kjo “jo” pohon ekzistencën e një kufiri.

***

Revolta nuk është kurrsesi një kërkesë për liri të plotë. Përkundrazi, revolta ngre padi kundër lirisë së plotë. Ajo kundërshton pikërisht fuqinë e pakufizuar që i lejon një eprori të shkelë kufirin e ndaluar. Larg së kërkuari një pavarësi të përgjithshme, i revoltuari i kërkon që të pranohet se liria ka kufijtë e saj kudo ku gjendet një qënie njerëzore, dhe se ky kufi është pikërisht, fuqia e revoltës së kësaj qënieje. Këtu qëndron arsyeja e thellë e intrazigjencës së revoltës.

Sa më e vetëdijësuar të jetë revolta se kërkesa e saj ka një kufi të drejtë, aq më e palëkundur është ajo. I revoltuari kërkon pa dyshim njëfarë lirie për veten e tij; por në asnjë rast, nëse është konsekuent, të drejtën për të shkatërruar qënien dhe lirinë e tjetrit. Ai nuk poshtëron askënd. Lirinë që kërkon ai e kërkon për të gjithë; atë që nuk e pranon ai e ndalon për të gjithë. Ai nuk është vetëm skllavi kundër zotërisë së vet, por edhe njeriu kundër botës së zotërisë dhe skllavit. Falë revoltës, ka pra diçka më tepër në historinë e marrëdhënies mes sundimtarisë dhe robërisë. Fuqia e pakufizuar nuk është më i vetmi ligj.

***

Fryma e revoltës shprehet me vështirësi në ato shoqëri ku padrejtësitë janë shumë të mëdha ose në të kundërt në ato ku padrejtësia është absolute.

***

Vërejmë pastaj se revolta nuk lind vetëm dhe domosdoshmërisht tek i shtypuri , por se ajo mund të lindë gjithashtu përballë shfaqjes së shtypjes, ku viktimë bëhet një tjetër. Në këtë rast kemi njëjtësim me individin tjetër. Dhe duhet saktësuar se nuk bëhet fjalë për një njëjtësim psikologjik, dredhi nëpërmjet së cilës individi do ta ndiente në mënyrë imagjinare se fyerja i drejtohet atij. Mund të ndodhë përkundrazi që ato lloj fyerjesh, të cilat ne vetë i kemi vuajtur pa u revoltuar, të mos durojmë dot t’i shohim të ushtrohen ndaj të tjerëve.

***

Jo çdo vlerë bën që të lindë revolta, por çdo frymë revolte i referohet heshtas një vlere.