LAJMI I FUNDIT:

Retorika dhe realitetet e rrezikshme alternative

Retorika dhe realitetet e rrezikshme alternative

Tipar dallues i regjimeve me prirje autoritare dhe populiste është retorika boshe dhe sajimi i realiteteve të ndryshme e të kundërta me ato ekzistuese, ku vitet e fundit shquhet presidenti amerikan Donald Trump. E filloi qysh më 21 janar 2017 me pretendimin se ceremonia e inaugurimit ishte më e madhja në histori, kur realiteti ishte krejt ndryshe; ndërsa më 14 nëntor u tha se në protestën kundër “vjedhjes së votave” në Uashington ishin një milion vetë, por në fakt ishin vetëm disa mijëra. Nga ana tjetër, të pretendosh për vjedhje dhe falsifikim masiv votash në ShBA-të me tradita demokratike 230-vjeçare dhe të mos urosh për herë të parë qysh nga viti 1792 fitoren rekord të Joe Bidenit me një diferencë prej shtatë milionë votuesish dhe 74 vota më shumë në Kolegjin Zgjedhor, dhe të bësh thirrje për përmbysjen e rezultatit, do të thotë se Trumpi jeton në një realitet tjetër (ndonëse Conway, ish-këshilltarja e tij e komunikimit, i quan me terma eufemikë “fakte dhe realitete alternative”).

Siç pohojnë shumë ekspertë dhe politologë në ShBA, ka filluar fabrikimi i së vërtetës që sipas Obamas “po degradon”, mbasi “faktet nuk kanë më rëndësi”. Po ndodh çka pohon Hannah Arendt, se “subjekt i liderëve autoritarë nuk janë më komunisti dhe nazisti, por njerëzit në masë; për ta pothuajse nuk ka më dallim midis faktit dhe realitetit, së vërtetës dhe gënjeshtrës”. Mirë, kjo e zhyt demokracinë në errësirë. Ndaj dhe CNN kanë lançuar fushatën: “Të parat faktet” (Facts First).

Kur janë në opozitë, populistët vetëm e mohojnë, nxijnë dhe demonizojnë realitetin; por, kur vijnë në pushtet, realitetin e tyre e “pikturojnë” rozë, glorifikojnë gjithçka, duke quajtur sukses edhe dështimet, siç ka ndodhur me Covidin-19 në ShBA pavarësisht nga mbi 250 mijë viktimat. Në kushte normale, kjo nuk do të ishte problem, sepse demokracia i lejon idetë, mendimet dhe këndvështrimet e kundërta dhe alternative. Mirëpo, shqetësimi i madh këtu është “shenjtërimi” i tyre, duke e bërë të vërtetën “pronë” ekskluzive të qeverisë; veç kësaj, nëpërmjet shantazhit dhe masave represive ndaj opozitës, medias, personaliteteve të ndryshme dhe medias me të vërtetat e tyre, përçahet shoqëria dhe futet gjuha e urrejtjes, çka u hap rrugën dhunës dhe ekstremizmit.


Kështu, Trump e konsideron median “armike të popullit”, ndërsa te ne ajo quhet “kazan” etj. Veç kësaj, liderët neo-populistë nuk lejojnë hapësira diskutimi e debate, sillen me arrogancë ndaj mendimit ndryshe, duke përjashtuar edhe rikthimin e opozitës në pushtet, sepse “e kemi provuar më parë”. Kjo ndihmon qeveritarët që të shmangin llogaridhënien, të fshehin realitetet e hidhura dhe të largojnë vëmendjen publike nga telashet e ditës. Për pasojë, këto të “vërteta alternative” e ndajnë shoqërinë në “ne dhe ata”, “miq dhe armiq”, “të mirë dhe të ligj”, çuditërisht si në monizëm! Ja, Salvini i Italisë ulërin për “çakejtë në Bruksel”, të tjerë flasin për “tiraninë e Brukselit, Parisit e të Berlinit”. Disa liderë të ish-Lindjes e krahasojnë BE-në me Bashkimin Sovjetik, ndërsa Brukselin me Moskën. Më tej, këto fakte alternative përdoren për t’iu kundërvënë realiteteve dhe arritjeve të deritanishme demokratike. Kështu, Hungaria dhe Polonia kanë dalë me variantin e “demokracisë iliberale”, duke bllokuar tani së fundi edhe buxhetin e BE-së!

Për fat të keq, kjo dukuri tejet negative po bëhet mbizotëruese edhe në vendin tonë. Shumica e sotme po pohon dhe bën të kundërtën e ish-oponencës së saj lidhur me azilin, papunësinë, krimin, korrupsionin, integrimin në BE etj. Debatet, argumentet dhe alternativat po zëvendësohen me gjuhën e drunjtë, etiketime dhe insinuata personale ndaj kujtdo që del kundër realiteteve të Rilindjes! Dhe Plani alternativ me pesë pika i opozitës për përballimin e Covidit-19 krahasohet nga shumica qeverisëse me “pesë pika uji” në vend të vlerësimit dhe objeksioneve të rastit! Por dhe opozita ka “kusuret” e saj. Kështu, lidershipi i saj pothuajse e ka krijuar qysh tani realitetin virtual të fitores më 25 prill! Demek “më 25 prill do të bëhet nami” dhe se “merr fund kjo shumicë”! Mirëpo ky realitet i parakohshëm opozitar nuk krijohet me britma dhe betime nëpër konferenca shtypi e rrjete sociale, as vetëm me zgjedhje të brendshme demokratike, por me alternativa të dallueshme, të besueshme dhe bindëse. Ndryshe, opozita mund të ketë një fat edhe më të keq se në qershor 2017 dhe 2019 kur kishte shpallur fitoren aventurë!

Por, nëse siç thoshte Kennedy, “politika e brendshme mund të të dështojë, e jashtmja mund të të vrasë”. Ndaj, po ndalemi në tri aspekte madhore të politikës sonë të jashtme lidhur me rrezikshmërinë e realiteteve alternative.

Dihet se negociatat nuk po çelen vetëm për mosplotësimin e të paktën pesë nga 15 kushtet e njohura. Këtë realitet të padiskutueshëm e njohin opozita, media, ekspertët, shoqëria civile dhe jashtë vendit BE-ja dhe aktorë të tjerë politikë. Por, lidershipi qeveritar “ngul këmbë si mushka” në realitetin e tij televiziv; me justifikimin se i “kemi kryer detyrat”, se vetëm pret të vijnë ta çojnë “hopa” në negociata; apo dhe me “dinamikat e brendshme dhe zgjedhjet” në vende të caktuara të BE-së. Siç kemi përmendur edhe më parë, këto të fundit mund të luanin rol deri vitin e kaluar kur ishin zgjedhjet europiane dhe gjetkë. Mirëpo, situata ndryshoi rrënjësisht pas tetorit 2019; më 25 mars 2020, në kulmin e pandemisë Covidit-19, BE jo vetëm që nuk e shtyu vendimin, por e shprehu qartë mesazhin e saj me një “Po” të shpejtë dhe brenda këtij viti. Në maj, Komisioni akordoi 3,3 miliardë euro për koronën për Ballkanin Perëndimor, veç 1,15 miliardëve që kishte mbledhur në shkurt për pasojat e tërmetit të 26 nëntorit. Këtë mbështetje, BE-ja e rikonfirmoi dhe e përforcoi më 6 tetor, me miratimin e Paketës gjigande Ekonomike për rajonin me nëntë miliardë euro. Atëherë, nëse do të ishte për “dinamikat e brendshme dhe zgjedhjet” që janë proces i vazhdueshëm, përse duhej që BE-ja të ndërmerrte gjithë këta hapa në mbështetje të rajonit dhe Shqipërisë? Rreziku i këtij “realiteti alternativ” është se nuk ofron shanse për negociatat as vitin tjetër.

Veç kësaj, qeveria përdor si “gjethe fiku” edhe një realitet pjesor, duke “shpikur” një BE ndryshe. Sipas saj, ajo që ka rëndësi është Komisioni, deri diku Parlamenti Evropian dhe disa vende me peshë. Mirëpo, edhe “bufi e di” se BE-ja përfshin në radhë të parë 27 vendet anëtare, nga Gjermania e madhe te Malta e vogël. Se janë ato që krijuan BE-në, që kanë zgjedhur dhe ngarkuar Komisionin të bëjë propozime dhe t’u raportojë atyre, siç kanë krijuar dhe europarlamentin, shërbimin e jashtëm, Gjykatën Evropiane etj. Ca më tepër tani e tutje kur gjithkush në BE do të “rrijë gatitu përpara çdo vendi anëtar”. Bllokimi i çeljes së negociatave të Maqedonisë së Veriut vetëm nga Bullgaria që nuk deshi t’ia dijë për asnjë “të madh” është dëshmia më e freskët e këtij realiteti. Ndërsa ndaj nesh ka më shumë se një vend skeptik.

Si për ta vështirësuar edhe më shumë punën tonë, po kalohet dhe në digresion/diversion të hapur ndaj vendeve të ndryshme anëtare. Kështu, kryeministri Rama u është referuar Suedisë, Finlandës e ndonjë vendi tjetër se, demek, nuk i kanë më të ulëta standardet demokratike se vendet hezituese ndaj nesh! Një pohim i tillë tregon mosnjohje të realiteteve historike brenda BE-së, ku secili vend ka rolin, peshën, specifikat dhe qëndrimet e veta. Ja që kështu është bërë dhe funksionon ajo, për mirë apo për keq. Pastaj, në respekt të Suedisë dhe Finlandës që kanë aderuar në vitin 1992 dhe 1995, po aq, madje dhe më shumë respekt do treguar sidomos për Gjermaninë, Francën dhe Holandën. Ato janë bashkëthemelueset e BE-së, duke treguar më se njëherë se të “bëjnë gjëmën kur luan” me demokracinë.

Duke kaluar te Kosova, dihet tashmë realiteti i njohur dhe ndërkombëtarisht për regjimin shtypës dhe krimet ndaj njerëzimit të regjimit të Millosheviqit, luftën heroike të popullit të Kosovës dhe UÇK-së, mbështetjen ndërkombëtare, pavarësinë dhe kursin e saj euroatlantik. Mirëpo, tri javët e fundit janë artikuluar akuza dhe sulme politike të paprincipta ndaj liderit të opozitës; dashur pa dashur ato rrezikojnë krijimin e një realiteti tjetër fantom, por tejet të dëmshëm për Kosovën. Duke krijuar perceptimin e gabuar se shkaktari i asaj tragjedie dhe procedimit në Hagë të liderëve të UÇK-së na qenka lideri i opozitës Basha i cili ka shërbyer si përkthyes dhe ndihmës ligjor pranë UNMIK të OKB-së, a thua se ishte pjesë e UDB-së! Madje, shumica depozitoi edhe një nismë ligjvënëse në Kuvend lidhur me Raportin e Dick Marty-t.

Pa konsulencë me KiE-në, tejet vonë, pa relevancë, pa kurrfarë shansi dhe më shumë gjasa për bumerang ndaj nismëtarëve dhe imazhit të vendit tonë. Ca më tepër që akuzat për trafikim organesh në Shqipëri janë nulifikuar nga drejtësia. Në fakt, Rezoluta e 25 Janarit 2011 e KiE-së nuk miratoi përmbajtjen e raportit të Marty-t, por vetëm kërkoi hetimin e fakteve dhe akuzave politike nga organet gjyqësore që u ngritën më vonë. Atëherë, përse duhej votuar kundër kur Kosova dhe Shqipëria me të drejtë e kishin hedhur poshtë politikisht raportin në fjalë, por edhe ishin shprehur të hapur për çdo hetim dhe kur “nuk e kishim mizën nën kësulë”? Ca më tepër, kur vetë KiE-ja kishte pohuar me zë të lartë se Rezoluta nuk hidhte dyshime dhe nuk njolloste popullin martir të Kosovës dhe UÇK-në! Por, edhe sikur të kishim votuar kundër ata 4 apo 10 deputetë tanët, kjo nuk do të kishte kurrfarë ndikimi përkundrejt 169 votave të tjera pro, vetëm 8 kundër dhe 14 abstenimeve! Pastaj, po aleatëve tanë në BE dhe NATO që e mbështetën pothuajse të gjithë, ç’t’u thoshim? Vërtet që ky realitet alternativ që synohet të sajohet ndoshta mund t’i shtojë ca pikë shumicës në zgjedhje; por, nga ana tjetër, ajo “çon ujë në mullirin” e propagandës serbe, e furnizon atë me “karburant dhe municion” të dobishëm kundër nesh, Kosovës, BE-së dhe SHBA-ve.

Në mbyllje, diçka lidhur me krijimin e Tregut të Përbashkët Ballkanik; një ide e kahershme e aktualizuar gjatë Procesit të Berlinit nga viti 2014 e këtej. Projekt që po materializohet nga CEFTA, ku janë të gjitha vendet e rajonit, pa zhurmë dhe gërr-vërre. Mirëpo, dy vite më parë, pamë konturimin e një realiteti tjetër, me nismën e Vuçiqit me përkrahjen e Rama-Zaev, duke e ambalazhuar si “Mini-Shengen”. Pikëpyetjet dhe dyshimet për këtë realitet alternativ që mbivendosej pa të drejtë ishin të shumta te ne, në rajon dhe gjetkë. Përse pikërisht vjet, kur BE-ja ende nuk po jepte ‘Po’-në për negociatat, kur Kosova lëngonte nën peshën e krizave të brendshme dhe agresivitetit serb lidhur me çnjohjet e saj? Përse ky ngut, kur edhe dy vende të tjera veç Kosovës hezitojnë dhe kundërshtojnë? Kur nuk kishte asnjë analizë dhe studim mbi kostot/përfitimet, dhe ku Serbia dilte fituesja më e madhe ekonomike, por dhe politike, plus imazhit të saj të kuruar për bukuri dhe me stil, ama në dëm të Kosovës? Ca më keq akoma, kur Serbia që hiqet aq e moderuar, nuk e njeh dhe as nuk do ta njohë Kosovën? Në këto kushte dhe përplasje, me shumë të drejtë, Samiti BE – Ballkani Perëndimor në Sofje, më 10 nëntor, i dha fund kësaj “molle sherri” dhe “mes vedi”, duke folur vetëm për tregun unik dhe zonën ekonomike në Ballkanin Perëndimor.

Në trend

Më shumë
Nëse ndeshja me Rumaninë nuk sjell tri pikë: Rivalët e mundshëm të Kosovës për play-off, mes tyre edhe Shqipëria

Nëse ndeshja me Rumaninë nuk sjell tri pikë: Rivalët e mundshëm të Kosovës për play-off, mes tyre edhe Shqipëria

Përfaqësuesja e Kosovës
Eskalon situata pas hedhjes së proteinave, përfshihen edhe banorët e tjerë

Eskalon situata pas hedhjes së proteinave, përfshihen edhe banorët e tjerë

Magazina

"Hykmete ku është paswordi?" - Kelmendi kërkon llogari nga ish-ministrja për platformën e digjitalizimit prej 5.6 milionë euro

Lajme
Pasagjerët të tmerruar, gjërat filluan të bien në dysheme – pamje të aeroplanit të Scandinavian Airlines, teksa po përballej me turbulenca në ajër

Pasagjerët të tmerruar, gjërat filluan të bien në dysheme – pamje të aeroplanit të Scandinavian Airlines, teksa po përballej me turbulenca në ajër

Botë
Lista e ndihmave ushtarake për Ukrainën, top 10 shtetet që e ndihmuan në luftën kundër Rusisë

Lista e ndihmave ushtarake për Ukrainën, top 10 shtetet që e ndihmuan në luftën kundër Rusisë

Botë
Çoçaj: Ferat Shala më kërkoi t’i bashkohem SHIK-ut, me siguri drejtor ka qenë Kadri Veseli

Çoçaj: Ferat Shala më kërkoi t’i bashkohem SHIK-ut, me siguri drejtor ka qenë Kadri Veseli

Drejtësi
Kalo në kategori