Reja: Shpresoj që Lewandoski të mos luajë si te Bayern Munich, ndaj Polonisë për të fituar pikë

Trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit, Edoardo Reja ka dalë ditën e sotme në konferencën zyrtare për media, në prag të ndeshjes që Shqipëria do të zhvillojë ditën e nesërme ndaj Polonisë.
Sfida e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botëror “Katar 2022”, që do të nisë në ora 20:45 e që do të zhvillohet në stadiumin “PGE Narodowy” në Varshavë.
Teksa iu përgjigj interesit të medias shqiptare dhe polake, tekniku i Kombëtares shqiptare, Edy Reja u shpreh se ndeshja ndaj Polonisë do të jetë e fortë, por Shqipëria ka elementë mjaft të mirë dhe skuadra është përgatitur.
Ai theksoi se djemtë do të futen në fushë me idenë për të fituar dhe ekipi do të japë 100% në këtë ndeshje, pasi motoja e kësaj skuadre është të respektojë çdo kundërshtar, por nuk ka frikë askënd.
Markim special për Lewandowskin? – “Duhet të jemi të organizuar shumë mirë për të markuar Lewandowskin sidomos në zonën e golit, sepse sulmon hapësirat në mënyrë të shkëlqyer. Nuk mjafton një lojtar por duhet të mbrojmë në grup mirë, mbase duke i vendosur një të dytë pranë. Ne do të evitojmë t’i japim hapësirë këtij lojtari që nuk fal kurrë. Uroj të mos ketë rendimentin që ka në klub, sepse e qartë që ekipi Kombëtar është më ndryshe, por është një lojtar shumë i rrezikshëm sepse ka cilësi të jashtëzakonshme.
Polonia? – Me trajnerin Sousa kemi një marrëdhënie të mirë dhe plot konsideratë. Di që në Kampionat Europian nuk bëri mirë por është e vështirë të hysh në një Kombëtare, sepse nuk është si në një klub. Shpresoj që të gjejë zgjedhjet e duhura, zgjedhjet e mira t’i bëjë pas ndeshjes me ne, që do të jetë shumë e vështirë për ta. Ne kemi filluar të bëjmë një punë të mirë në organizim, nuk do të bëjmë një ndeshje mbrojtëse. Sigurisht që nëse do të na sulmojë Polonia gjithë ndeshjet do t’i reagojmë gjithashtu. Kemi cilësi në mbrojtje por kemi aftësi për të bërë keq ndaj kundërshtarit në fazën sulmuese.





















































