Refuzimi i Abdixhikut për takim konsultativ me Kurtin, Cakolli: Është bllokim dhe autoizolim

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka reaguar pasi kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka refuzuar të shkojë në takim konsultativ me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, për krijimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Cakolli, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “dinjiteti politik është i rëndësishëm, po aq sa edhe përgjegjësia për të mos u kthyer në pengesë!”.
“Është legjitime të refuzosh bashkëpunimin politik me dikë që të ka fyer apo delegjitimuar ndër vite. Është po aq legjitime të ruash një qëndrim të distancuar ndaj polarizimit dhe fjalorit përçarës”, ka shkruar Cakolli, transmeton Telegrafi.
Por, sipas Cakollit, kur ky refuzim bëhet universal – ndaj të parit, por edhe ndaj pjesës tjetër të spektrit opozitar – atëherë çështja nuk është më morale, por politike. “Kjo qasje e LDK-së mund të tingëllojë si strategji afatmesme për të ruajtur fjalën e dhënë, por në realitet shndërrohet në një formë autoizolimi, që e privon partinë jo vetëm nga pushteti, por edhe nga mundësia për të pasur rol udhëheqës opozitar”.
Cakolli ka thënë se “nuk ka shumë kuptim që një parti të mos pranojë të flasë me partinë e parë, por në të njëjtën kohë të mos i hapë rrugë as ndonjë formule tjetër opozitare, duke e bërë të pamundur çdo shumicë – përfshirë atë që lë jashtë partinë e parë. Ky pozicion nuk është më qëndrim, është bllokim”.
“Në një sistem politik si i yni, ku asnjë palë nuk ka shumicë parlamentare, nëse nuk je pjesë e zgjidhjes, je pjesë e problemit. Po, fjalët kanë peshë në politikë. Por edhe mosveprimi. Sepse, kur nuk ndihmon në ndërtimin e një rruge të re – qoftë përmes dialogut apo një alternative opozitare – rrezikon të mbetesh i pastër, por i parëndësishëm”, ka shkruar Cakolli.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, njoftoi të martën se nuk e ka pranuar t’i përgjigjet ftesës së udhëheqësit të Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për takim konsultativ, në përpjekje për arritjen e një marrëveshjeje për koalicion qeverisës.
Në një postim në Facebook, Abdixhiku tha se kishte pranuar letër nga Kurti të hënën, por vendosi ta refuzojë takimin me të për shkak gjuhës së kryeministrit në detyrë para dhe gjatë fushatës zgjedhore drejtuar LDK-së. /Telegrafi/








































