LAJMI I FUNDIT:

“Reçak: Historia e një krimi lufte”, nga William G. Walker – ngjarja që ndryshoi të ardhmen e Kosovës

“Reçak: Historia e një krimi lufte”, nga William G. Walker – ngjarja që ndryshoi të ardhmen e Kosovës

Edhe pak ditë na ndajnë nga dita kur libri “Reçak: Historia e një krimi lufte” nga William Walker-i do të shohë dritën e botimit, si anglisht, ashtu edhe në gjuhën shqipe.

Librat, më shumë sesa të mos harrohen emrat e autorëve, shkruhen për të mos harruar edhe ngjarjet e rëndësishme historike, të cilat vendosën për fatin përfundimtar të popujve në trajektoren e historisë. I tillë është edhe libri në fjalë, i shkruar nga Ambasadori William G. Walker: “Reçak: Historia e një krimi lufte”, i botuar nga shtëpia botuese “Dukagjini”.

Të shkruash një libër, duke ekstrahuar kujtimet e një kohe në zgrip, t’i ripërjetosh rishtazi të gjitha ato ngjarje të një tragjedie të madhe njerëzore, ta rikonceptosh ecejakun diplomatik, gjeopolitik dhe ndërsyerjen për një shkatërrim ushtarak të Jugosllavisë së Millosheviqit, është një përpjekje intelektuale dhe shpirtërore e pashoqe.

Rrëfenja boshtore e këtij libri është masakra e Reçakut dhe roli i ambasadorit William Walker, atëbotë Shef i Misionit Verifikues në Kosovë në kuadër të OSBE-së, ku më 15 janar 1999 forcat serbe masakruan 45 civilë shqiptarë. Kakofonia e fjalëve të tij në cilësimin e kësaj ngjarjeje si “krim kundër njerëzimit” dhe jo “dënim dhune”, si dhe vënia e drejtësisë në vend për të vrarët do të ndryshojë përgjithmonë fatin e popullit të Kosovës, me ç’rast do të jetë shkas i intervenimit ushtarak të NATO-s në Republikën Federale të Jugosllavisë.

Libri “Reçak: historia e një krimi lufte”, në fakt, është një autobiografi e ambasadorit Walker, në të cilin përshkruan jetën e tij që nga fëmijëria e deri në largimin e Misionit Verifikues të OSBE-së nga Kosova.

Ai është i ndarë në dy pjesë; ku pjesa e parë përshkruan autobiografinë e autorit nga fëmijëria deri te karriera e tij 40-vjeçare në Shërbimin e Jashtëm, përfshirë misionet në Japoni, Amerikën Latine dhe Ballkan, ndërsa pjesa e dytë fokusohet në përvojat e tij në Ballkan, sidomos në misionet e Kombeve të Bashkuara dhe OSBE-së në Kosovë.

Ambasadori Walker, përmes këtij libri, përbri trajektores së tragjedisë së madhe njerëzore që po përjetonte populli i Kosovës, i revokon edhe kujtimet rreth prapaskenave politike, pasigurinë dhe implikimin gjeopolitik e ndërkombëtar të masakrave të forcave serbe ndaj popullatës civile në Kosovë. Të gjitha këto janë të përshkruara në formë të një narracioni linear e dinamik, në ndërthurjen e komplekseve të ngjarjeve, me ç’rast e mban lexuesin kurioz e ndërveprues deri në fund.

Libri do të jetë në duart e lexuesve nga dita e 14 janarit, pas një promovimi të mbyllur, në vigjilje të përvjetorit të Masakrës së Reçakut. Mirëpo, në librarinë “Dukagjini” do të organizohet një takim, ku lexuesit do të mund të takohen me ambasadorin William G. Walker, me ç’rast do të mund të diskutojnë për këtë kontekst politik dhe rolin esencial të KVM-së në Kosovë. Po ashtu, autori do të nënshkruajë kopje libri për të pranishmit.

Ditëve në vazhdim, libraria “Dukagjini” do t’ju përditësojë me informacione në lidhje me oraret e prezencës së ambasadorit William G. Walker dhe takimin me të!

Në trend Ekonomi

Më shumë
Njoftim me rëndësi nga Aeroporti i Prishtinës!

Njoftim me rëndësi nga Aeroporti i Prishtinës!

Ekonomi
A keni fatura të larta të energjisë elektrike? UniSolar ofron zgjidhje ekonomike dhe ekologjike për ju!

A keni fatura të larta të energjisë elektrike? UniSolar ofron zgjidhje ekonomike dhe ekologjike për ju!

Ekonomi
Të drejtat dhe regjistrimi i pronës në Kosovë: Për 5 muaj vizitohen mbi 6 mijë familje në kuadër të fushatës vetëdijësuese nga shoqëria civile

Të drejtat dhe regjistrimi i pronës në Kosovë: Për 5 muaj vizitohen mbi 6 mijë familje në kuadër të fushatës vetëdijësuese nga shoqëria civile

Ekonomi
EBC Cosmetics me oferta unike për Ditën e Gruas!

EBC Cosmetics me oferta unike për Ditën e Gruas!

Ekonomi
Tregtarët shtrenjtuan produktet për Ramazan

Tregtarët shtrenjtuan produktet për Ramazan

Ekonomi
Pse bizneset kosovare duhet të investojnë në një strategji të mirëfilltë të rrjeteve sociale në vitin 2025?

Pse bizneset kosovare duhet të investojnë në një strategji të mirëfilltë të rrjeteve sociale në vitin 2025?

Ekonomi
Kalo në kategori