Reali kthehet pas golit të pësuar dhe i shënon katër herë Gironas
Real Madridi e ka fituar me përmbysje ndeshjen e dytë sezonale në La Liga duke e mposhtur Gironan në udhëtim me rezultat 4-1.
Në ndeshjen e zhvilluar në Estadi Montilivi, nikoqirët befasuan duke shënuar gol në minutën e 17-të përmes Borja Garcias, ndërsa në minutat në vazhdim i patën edhe disa raste të tjera shënimi që nuk i konkretizuan.

Me kalimin e minutave, Los Blancos u konsoliduan dhe filluan të tregoheshin të rrezikshëm në sulm. Pa përfunduar pjesa e parë u akordua penallti në favor të mysafirëve, ndërsa Sergio Ramos u tregua i saktë nga pika e bardhë (39').
Një tjetër penallti për Mbretërit u akordua në fillim të pjesës së dytë dhe Karim Benzema u kujdes për përmbysjen e rezultatit (52').

Pas një asistimi të bukur nga Isco, Gareth Bale pati kohë të mjaftueshme për të shkuar përpara dhe për ta mposhtur portierin kundërshtar (59').
Benzema e shënoi edhe golin e dytë personal në këtë sfidë (80'), ndërsa e pati të lehtë të realizonte, pasi asistimi i Bale ishte shumë i mirë.

Dy ndeshje dhe dy fitore për Real Madridin që numëron gjashtë pikë në tabelën e La Ligas. Girona numëron një pikë nga barazimi pa gola në xhiron e parë.
Në javën e ardhshme, Los Blancos luajnë kundër Leganes, kurse Giorna udhëton te Villarreali. /Telegrafi/
https://www.dailymotion.com/video/x6sncn3
https://www.dailymotion.com/video/x6snd7b
https://www.dailymotion.com/video/x6sne4l
https://www.dailymotion.com/video/x6snedc
https://www.dailymotion.com/video/x6snf1h






























