Real Madridi po përgatit një transferim me kosto të ulët

Real Madridi po dëshmon edhe një herë se planifikimi sportiv i klubit shkon përtej afatit të shkurtër, teksa po punon për një transferim me kosto të ulët, i menduar kryesisht për të ardhmen.
Sipas raportimeve, klubi madrilen po monitoron nga afër Min-hyeok Yang, anësorin koreanojugor, i cili tashmë po luan në Angli dhe përputhet plotësisht me politikën e Real Madridit për të investuar te lojtarët e rinj me potencial të madh zhvillimi.
Plani i Real Madridit nuk është që ta përforcojë menjëherë ekipin e parë, por të sjellë talente të reja, t’i zhvillojë gradualisht dhe të vlerësojë progresin e tyre brenda strukturës së klubit.
Besim i plotë te Real Madrid Castilla
Sipas strategjisë së përgatitur në Valdebebas, Min-hyeok Yang do të bashkohej fillimisht me Real Madrid Castilla. Objektivi kryesor i ekipit rezervë është ngjitja në La Liga Hypermotion dhe drejtuesit e klubit e konsiderojnë thelbësore që skuadra të pajiset me lojtarë ofensivë të aftë për të bërë diferencën.

Në këtë kontekst, Yang shihet si një profil ideal për të marrë minuta, për t’u përshtatur me futbollin spanjoll dhe për të ndihmuar Castilla-n të luftojë për objektiva ambicioze, pa rrezik të tepruar për klubin.
Pavarësisht moshës së re, Min-hyeok Yang ka fituar tashmë eksperiencë në një kampionat shumë kërkues si Championshipi anglez. Pikërisht fakti që ka luajtur në një ambient fizikisht të fortë dhe me intensitet të lartë vlerësohet shumë nga Real Madridi.
Aktualisht, ai është i huazuar te Portsmouth FC, ku ka zhvilluar 13 ndeshje zyrtare, duke realizuar 2 gola dhe 1 asist. Këto shifra, së bashku me shpejtësinë dhe aftësinë e tij në driblim, kanë tërhequr vëmendjen e skautëve të Real Madridit.
Marrëveshja që po shqyrton klubi madrilen mund të arrijë deri në 7 milionë euro. Sipas planit, 5 milionë euro do të ishin shumë fikse, ndërsa 2 milionë të tjera do të përfshiheshin si bonuse, një formulë e zakonshme për transferime të tilla, që synon të minimizojë rrezikun financiar./Telegrafi











































