Real Madridi ka shprehur pakënaqësi ndaj mënyrës se si është menaxhuar situata e mesfushorit Jude Bellingham nga Kombëtarja e Anglisë gjatë grumbullimit të fundit.

Edhe pse pushimi ndërkombëtar përfundoi pa ndonjë dëmtim të ri për lojtarin, drejtuesit madrilenë nuk janë të kënaqur me faktin që Bellingham u ftua dhe udhëtoi me ekipin, pavarësisht se nuk ishte plotësisht i gatshëm për lojë.


Mesfushori anglez ishte rikthyer së fundmi nga një dëmtim në kofshën e pasme, që e kishte mbajtur jashtë fushave për disa ndeshje në La Liga. Megjithatë, përzgjedhësi i Anglisë, Thomas Tuchel, e përfshiu në listë për miqësoret ndaj Uruguait dhe Japonisë. Bellingham u stërvit me skuadrën, por nuk u aktivizua në asnjë minutë.

Tuchel e arsyetoi vendimin si masë paraprake, duke theksuar se dëmtimet muskulore kërkojnë kujdes maksimal dhe nuk duhet marrë asnjë rrezik i panevojshëm.

Megjithatë, kjo nuk e ka bindur Real Madridin. Në klubin spanjoll shtrojnë pyetjen pse lojtari duhej të udhëtonte, nëse nuk ishte në gjendje për të luajtur, duke theksuar se do të ishte më e dobishme për të që të qëndronte në qendrën stërvitore të klubit dhe të vazhdonte rikuperimin nën mbikëqyrjen e stafit mjekësor.

Një tension i vazhdueshëm

Kjo nuk është hera e parë që lind një situatë e tillë mes Real Madridit dhe Federatës Angleze të Futbollit. Një rast i ngjashëm ndodhi edhe në vitin 2023, kur Bellingham, pavarësisht problemeve fizike, u ftua sërish nga kombëtarja.

Ky episod i fundit vetëm sa ka rritur tensionet, në një moment delikat të sezonit për klubin madrilen. Real Madridi përballet me ndeshje vendimtare në garën për trofe, përfshirë sfidën ndaj RCD Mallorca dhe çerekfinalen e Ligës së Kampionëve kundër Bayern Munich.

Drejtuesit e klubit druhen se çdo ngarkesë e panevojshme ndaj Bellingham mund të ndikojë në performancën e tij, në një periudhë kur skuadra ka më së shumti nevojë për të. /Telegrafi/

telegrafi sport app