Kategoritë e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), OVL, SHIL dhe SHFD kanë dënuar me forcë praninë në Kosovë të ndihmësit të Petar Petkoviqit, Igor Popoviq i njohur për gjuhën fyese dhe qëndrimet armiqësore ndaj UÇK-së dhe luftës çlirimtare të shqiptarëve.

Në reagimin e tyre, ata e cilësojnë Popoviqin si përfaqësues të mentalitetit të vartësve të Millosheviqit, që sot përfaqësohet nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ish-ministër i regjimit gjenocidal serb.


“Çdo tentativë për të provokuar, për të njollosur UÇK-në dhe për të përdorur territorin e Kosovës për propagandë antikombëtare është e papranueshme dhe duhet ndalur me vendosmëri”, thuhet në reagim.

Ata theksojnë se nuk do të heshtin ndaj fyerjeve që godasin sakrificën për liri dhe gjakun e dëshmorëve dhe martirëve të Kosovës.

“Ne, kategoritë e dala nga lufta, nuk do të heshtim ndaj fyerjeve që synojnë të fyejnë sakrificën për liri dhe gjakun e dëshmorëve dhe martirëve tanë”, thuhet në reagim.

Igor Popoviq ndërkaq raportohet se është ndaluar nga Policia e Kosovës, pasi që i njëjti gjatë një fjalimi në Rahovec e kishte cilësuar UÇK-në si organizatë terroriste. /Telegrafi/