Klima e investimeve në Serbi është përmirësuar lehtë në vitet e fundit, por mbeten problemet me burokracinë, korrupsionin, ndërmarrjet shtetërore joefikase, sektorin e madh informal dhe drejtësinë joefikase, vlerësoi Departamenti Amerikan i Shtetit dhe shtoi se një arsye për shqetësim është edhe ndikimi politik.

Në raportin "Klima e investimeve në Serbi 2025" përmenden si pozitive stabiliteti financiar, disiplinë fiskale dhe reformat që mbështeten nga Bashkimi Evropian (BE), dhe theksohet se prioritet i Serbisë është tërheqja e investimeve të huaja. Thuhet se angazhimi i Serbisë me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe politika fiskale e arsyeshme kanë kontribuar në kushte makroekonomike përgjithësisht të mira.


Përmendet se koeficienti i borxhit ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) është në një nivel relativisht të shëndetshëm, nën 50 për qind të PBB-së, dhe në tetor 2024 agjencia S&P i dha Serbisë për herë të parë një renditje investimi duke rritur vlerësimin nga BB+ në BBB- me perspektivë të qëndrueshme.

Në raport thuhet se investitorët amerikanë përgjithësisht kanë një qëndrim pozitiv ndaj Serbisë për shkak të pozicionit të saj gjeografik, fuqisë punëtore të mirë-arsimuar, kostove konkurruese, megjithëse në rritje të punës, stimujve bujarë për investime dhe marrëveshjeve për tregti të lirë me BE-në dhe tregje të tjera. Gjithashtu, investitorët amerikanë kryesisht përkrahin politikën e barazisë së mundësive.

Departamenti i Shtetit shprehu shqetësim për ndikimin e politikës, duke përmendur shembullin që si përgjigje ndaj protestave në 2022, Qeveria ndaloi projektin e propozuar për nxjerrjen e litiumit, raporton nova.rs.

Në tekst thuhet se reformat e mbështetura nga BE-ja vazhdojnë, por zbatimi nuk është gjithmonë i shpejtë apo i plotë, dhe theksohet se mundësitë për biznes do të vazhdojnë të përmirësohen nëse Qeveria do të zbatojë reformat lidhur me anëtarësimin në BE.

Vlerësohet gjithashtu se digjitalizimi i disa funksioneve të Qeverisë, si lejet ndërtimore dhe Administrata Tatimore, ende nuk ka sjellë përmirësim të dukshëm dhe mungon zbatimi i qëndrueshëm.

Në lidhje me zgjidhjen e çështjes së ndërmarrjeve shtetërore joefikase, Qeveria, sipas raportit të Departamentit të Shtetit, ka bërë përparim gradual. Po ashtu planifikon të privatizojë edhe 43 kompani dhe të zvogëlojë ngadalë sektorin e madh publik dhe fuqinë punëtore të ndërmarrjeve shtetërore.

Në raport flitet edhe për rrëzimin e një strehë në Novi Sad ku humbën jetën 16 persona. Thuhet se kjo tragjedi, që shihet si pasojë e korrupsionit, nxiti protesta të mëdha të udhëhequra nga studentët.

Beogradi zyrtar pretendon se protestat e vazhdueshme ndikojnë negativisht në ekonominë e Serbisë, ndërsa kritikët thonë se Qeveria përdor retorikë të ashpër dhe mjete të tjera për frikësimin përfshirë arrestime, paraqitje negative të protestuesve në media dhe deportimin e disa prej tyre që nuk kanë shtetësi serbe, shkruhet në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit.

Thuhet gjithashtu se fakti që Serbia do të jetë nikoqir i ekspozitës EXPO 2027 është një mundësi për kompanitë amerikane që furnizojnë pajisje dhe shërbime.

Theksohet se agresioni rus ndaj Ukrainës në fillim ndikoi në mënyrë të kufizuar në ekonominë e Serbisë, por që inflacioni arriti në 16 për qind në mars 2023 dhe më pas u ul në 4.5 për qind në shkurt 2025.

Gjithashtu përmendet se Zyra e Departamentit të Financave të SHBA-së për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) në prill ka vendosur në listën e sanksionuara 30 kompani dhe 20 individë nga Serbia, dhe përmenden sanksionet ndaj kompanisë naftës NIS që janë shtyrë disa herë, më së fundi deri më 8 tetor. /Telegrafi/