Radioterapia moderne në Onkologjinë e SHSKUK: Sistemi C-Rad sjell më shumë saktësi dhe siguri për gratë me kancer të gjirit

Në muajin e ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, teknologjia C-Rad në SHSKUK sjell më shumë kujdes, siguri dhe shpresë për çdo grua
MSc. Fesal Selimi, PhDc.
Ekspert i Fizikës Mjekësore & Ekspert për Mbrojtje nga Rrezatimi
Çdo tetor rozë mbulon botën për të kujtuar rëndësinë e zbulimit të hershëm dhe trajtimit të kancerit të gjirit. Por përveç fushatave të ndërgjegjësimit, në Kosovë ka edhe arsye të forta për optimizëm: Radioterapia në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) po hyn në një epokë të re, falë teknologjisë së avancuar C-Rad.
C-Rad – teknologjia që “sheh” çdo lëvizje
Sistemi C-Rad është si një sy dixhital që vëzhgon çdo frymëmarrje të pacientes në kohë reale gjatë trajtimit me rreze. Ai përdor kamera 3D dhe algoritme të avancuara për të siguruar që rrezet të drejtohen me përpikëri vetëm në vendin e duhur (tek tumori).

Në rastin e kancerit të gjirit, sidomos në anën e majtë, kjo teknologji ka një rëndësi jetike. Me metodën “Deep Inspiration Breath Hold (DIBH)”, pacientja udhëzohet të marrë frymë thellë dhe ta mbajë për pak sekonda gjatë rrezatimit. Kjo zhvendos zemrën më larg nga fushat e rrezatimit, duke e mbrojtur atë nga dëmtimet afatgjata.
Teknologjia C-Rad na lejon të ofrojmë një trajtim shumë më të personalizuar. Në çdo seancë, ne monitorojmë me saktësi milimetrike pozicionin e trupit të pacientes. Nëse ajo lëviz qoftë edhe pak, trajtimi ndalet automatikisht. Kjo do të thotë siguri më e madhe dhe më pak efekte anësore.

Ndërsa shumica e njerëzve i njohin mjekët onkologë, pak kush e di se kush qëndron pas saktësisë së çdo trajtimi me rreze. Ai është fizikani mjekësor, një profesion që bashkon shkencën e fizikës me misionin human të mjekësisë.
Detyra jonë është të sigurohemi që çdo milimetër i planit të trajtimit të jetë i saktë. Ne kontrollojmë dozën e rrezatimit, kalibrojmë pajisjet dhe sigurohemi që çdo pacient të marrë trajtimin më të mirë të mundshëm.

Nga frika te shpresa – një epokë e re për trajtimin e grave
Implementimi i sistemit C-Rad në SHSKUK shënon një hap të madh përpara drejt trajtimeve më humane dhe më të sigurta për gratë kosovare. Kjo teknologji, e përdorur në qendrat më të avancuara evropiane, tani u mundëson pacienteve në Kosovë të marrin trajtim të njëjtë me standardet ndërkombëtare, pa pasur nevojë të udhëtojnë jashtë vendit.
Kur pacientet kuptojnë se trajtimi është i sigurt dhe se teknologjia mbron zemrën dhe organet e tjera, ato e përballojnë terapinë me më shumë besim dhe qetësi. Dhe kjo është po aq e rëndësishme sa edhe vetë teknologjia.

Tetor rozë – kujdes, kontroll, dhe besim në shkencë
Në këtë muaj të ndërgjegjësimit, SHSKUK përcjell një mesazh të fuqishëm: Kontrollohuni rregullisht. Mos e shtyni mamografinë. Dhe dijeni që trajtimi në vendin tonë është çdo ditë më i sigurt falë teknologjisë moderne dhe profesionistëve të përkushtuar.
Radioterapia në SHSKUK me sistemin C-Rad është një shembull konkret se si shkenca, teknologjia dhe përkushtimi njerëzor mund të bashkohen për të dhuruar shpresë dhe jetë.

/Telegrafi/


















































