Mbi 50 mijë euro nga telefonatat dhe mjetet e dorëzuara në ambientet e Dukagjinit është shuma që është mbledhur deri tani për Gazmend Malokun, shumë kjo e cila po vazhdon të përditësohet.
E mahnitshme se çfarë njerëzit mund të bëjnë për dikë kur i bashkon një dëshirë, një qëllim.
E të enjten, është 35-vjeçari Gazmend Maloku nga Juniku, ai i cili bashkon shqiptarët brenda e jashtë Kosovës, në emisionin “Radar” me Edita Dolin në Radio Dukagjini.
Maloku është i biri i një dëshmori, ai aktualisht po qëndron në një hotel të Turqisë, në pritje të mbledhjes së shumës prej 50 mijë eurosh, shumë pa të cilën nuk po pranohet për trajtim mjekësor. Kjo është shuma e cila nevojitet vetëm për pranim në spital, ndërsa në total, trajtimi mjekësor arrin shumën prej 80 mijë eurosh.
Gazmendi tashmë ka pasur tri ndërhyrje kirurgjikale me 5 plagë në anën e majtë të trupit, të tri ndërhyrjet të rezultuara të pasuksesshme. Ai është diagnostikuar me multisklerozë dhe cista në tru.
Me fillim nga ora 9:40, ushtarët e “Radar”-it kanë ofruar shuma parash prej 50 eurosh, 70 eurosh, 100 eurosh e deri në 2000 euro për të ndihmuar Malokun. Brenda pak më shumë se një ore, dëgjuesit e “Radar”-it arritën të mbledhin 11 mijë e 400 euro, vetëm nga telefonatat.
Pesë minuta para se ora të shënonte njëmbëdhjetë, shuma arriti në 17 mijë e 500 euro, vetëm nga telefonatat. Përveç të hollave, Gazmendit iu sigurua edhe oksigjeni në hotel e deri në fund, shuma e mbledhur për të, arriti në 25 mijë e 280 euro.
Shumat janë akoma duke u numëruar dhe deri tani, arrijnë shifrën mbi 50 mijë euro.
Përpos dëgjueseve dhe dhuruesve të ndihmës, në linjë direkte hynë motra e Gazmendit dhe e ëma e tij. Motra e Gazmendit ka treguar se ky i fundit po përballet me dhimbje gjersa po qëndron në hotel.
“Po ka dhimbje gjatë gjithë kohës. Po i jap qetësues të dhënë nga mjeku që mos ta kapin dhimbjet, po frikësohem shkaku i oksigjenit”, ka deklaruar ajo, gjersa ka theksuar se “30 ditë ka trajtim, nëse nuk tërhiqen cistrat në tru, siç ka thënë mjeku, do duhej intervenim”.
35-vjeçari ka një familje të tijën e që për fëmijët po kujdeset e ëma e tij, Ylfete Maloku. Ajo ka falënderuar të gjithë për ndihmën e dhënë.
“Shumë e vështirë, shumë… Faleminderit… Po kujdesem për fëmijët e Gazmendit”, ka deklaruar ajo, gjersa ka shtuar se fëmijët i ka rritur vetë e me shumë sakrifica.
Për fund, moderatorja e “Radarit”-it, Edita Doli, bëri thirrje që ndihmat për Gazmendin të vazhdojnë gjatë gjithë ditës.
“Kemi vetëm edhe gjashtë minuta kohë program, por kjo nuk do të thotë se duhet të ndaleni me ‘Radar’. Gjatë gjithë ditës të vazhdohet me deponimet e nesër të marrim një lajm të mirë me fillim”, ka thënë ajo.
Për të ndihmuar më tutje Gazmendin, keni mundësinë që në xhirollogarinë e poshtëshënuar të depononi shumat dhe njëherësh, në kontaktin e mëposhtëm të kontaktoni familjarët.
Banka Private për Biznes “BPB”
Emri i përfituesit: Ylfete Maloku (nëna e Gazmendit)IBAN- XK05
Xhirollogaria: 1303003700394641
SWIDCODE: BPBXXKPRXXX
Tel: +383 49 826 600
Vlen të përmendet se shuma e mbledhur është në përditësim.