Qyteti i Janjevës ruan gjurmë të lashta të civilizimit kulturor, objekte të kultit si dhe gjurmë të hershme të xehetarisë. Është shumë e rëndësishme që qytetarët e Kosovës të njihen me zhvillimin e dikurshëm ekonomik të këtij qyteti të lashtë.
Për Janjevën ka shënime që datojnë që nga shekulli XIV, siç ka ashtu edhe për Kishën e Shën Kollit. Udhëpërshkrues të ndryshëm tregojnë se në këtë qytet janë nxjerrë edhe xehe të ndryshme, ari, argjend, etj.
E kemi shumë afër dhe shumë larg, njëkohësisht! Janjeva është një qytezë me të kaluar dhe histori të pasur, por tash e harruar dhe e braktisur, në një kënd të Kosovës.
Është një qytezë karakteristike, shumë e veçantë dhe shumë atraktive, por viteve përballet me varfëri. Është një vendbanim etnografik, me rrugë të ngushta e shtëpi të vjetra.
Janjeva ndodhet mes kodrave të larta, në lartësinë mbidetare rreth 600 metra, vetëm 12 km nga rruga magjistrale Prishtinë – Ferizaj, 15 km nga qendra komunale.
Udhëpërshkruesi i kohës, Mati Bici, në vitin 1610, e kishte vizituar Janjevën dhe kishte shkruar: “…herët në mëngjes arritëm në Janjevë, që është vendosur midis kodrave të shpuara prej minierave të argjendit, që aty nxirret me sasi të mëdha”.
Bici shkruan se Janjeva kishte popullsi të përzier: 120 familje katolike, 180 myslimane dhe 200 ortodokse, gjithsej 500 familje. Në qytet fliteshin shumë gjuhë: shqip, kroatisht, serbisht e turqisht.
Minierat kanë punuar deri në shek. XVI, kur Janjeva ishte në kulmin e zhvillimit. Këtë zhvillim ia mundësonte edhe pozita e përshtatshme gjeografike. Mirëpo, rezervat e arit dhe të argjendit me kohë shteruan dhe qyteti filloi dalëngadalë të varfërohet e popullsia të zhvendoset.
Janjeva, qytet i vjetër në zemrën e Kosovës, është një arkiv i pasur kulturor i shtrirë përgjatë shekujve, që nga arti i vjetër i argjendarisë e deri te kishat që flasin histori të shekujve XIX dhe XX.
Shtjefën Gjeçovi, një ndër figurat më të shquara të kulturës shqiptare u lind në Janjevë të Kosovës. Ky veprimtar i zellshëm i lëvizjes kombëtare ishte njëkohësisht etnolog, arkeolog, shkrimtar dhe klerik françeskan, nderuar me titullin “Mësues i Popullit”.
Edukimi i tij u përforcua në kolegjin françeskan të Troshanit dhe më pas në vitin 1888, ai vazhdoi studimet në Kroaci.
Gjeçovi ishte një intelektual i dalluar që grumbulloi dhe dokumentoi gojëdhëna dhe legjenda, krijoi monografi shkencore, shkroi artikuj, hartoi materiale mësimore dhe përktheu vepra nga letërsia botërore.
I përkushtuar në studimin e besimeve vendase dhe lidhjen e tyre me trashëgiminë trako-ilire dhe pellazge, Gjeçovi kërkoi të kuptonte kodin e jetës dhe besimit shqiptar. Ai mblodhi rregullat e kanunit drejtpërdrejt nga burimi i tyre më autentik – goja e popullit – dhe i botoi në revistën “Hylli i Dritës”.
Ministria e Kulturës e Kosovës ka angazhuar një ekip ekspertësh për restaurimin e objekteve në këtë qytet për t’ia kthyer atyre pamjen e dikurshme dhe vlerat historiko-kulturore.
Ky projekt, i mbështetur nga qeveria dhe partnerë ndërkombëtarë, pritet të jetë një nga hapat e parë drejt ringjalljes së Janjevës dhe për ta kthyer atë në një destinacion turistik dhe kulturor për vizitorët nga e gjithë bota.
Ministria shpreson se përmes këtyre nismave do të tërheqë vëmendjen e brezave të rinj, gjithashtu edhe të studentëve të historisë dhe trashëgimisë, duke u dhënë mundësinë të njihen dhe të vlerësojnë trashëgiminë e pasur dhe të larmishme kulturore që Janjeva ka.
Restaurimi i Janjevës është më shumë se një projekt restaurimi, është një udhëtim drejt ringjalljes së një zemre të humbur kulturore të Kosovës. /Telegrafi/